Flora Brovina...


Meri Lalaj

Dija shumë pak për Flora Brovinën, pata lexuar vetëm librat e saj me poezi dhe e përfytyroja si Shën Marenën, shenjtoren famëmadhe, të cilës në qytetin tim i luten dhe i falen të krishterët, myslimanët, jevgjit. Shën Marena ka qenë një vajzë e bukur flokartë që bënte mrekullira duke shëruar të sëmurët, ndërsa ata të pafetë e ndiqnin këmba këmbës për ta vrarë. Së fundi ajo u fsheh në një shpellë shumë të thellë me hyrje dalje të shumta e të gurta, u zvarrit nëpër thellësirat shkëmbore deri atje ku dëgjohet oshëtima e Shkumbinit, sepse ky lumë aty e ka burimin. Unë kam qenë atje larg në malet e Mokrës ku ndodhet manastiri dhe Kisha e Shën Marenës. Vit për vit njerëzia shkojnë në fund të korrikut për t’u lutur te ky manastir. Flenë përjashta ose nëpër konakë apo brenda në kishë të sëmurë e të shëndoshë, që besojnë në mrekulli. E shpesh kanë ndodhur mrekulli. Kur fjeta një natë atje e pashë në ëndërr, m’u shfaq e bardhë e shndritshme me flokët e artë deri tek gishtërinjtë e këmbëve. Besoj në mrekullitë e flokëverdhave. Tek shpella e saj njerëzia shkëpusin copëza guri stralli, të cilat nuset e reja i përdorin për t’i mbrojtur fëmijët e vegjël kur bien mësysh. Është fat të mbash me vete një copëz gur Shën Marene. Dhe… Gojë pas goje erdhi edhe këtu tek ne lajmi se poetesha dhe mjekja Flora Brovina ishte arrestuar prej serbëve më 20 prill. Nuk doja që ky lajm të ishte i vërtetë madje unë shpresoja që ta takoja diku këtu në Tiranë, në Shqipëri. Kur ka ardhur Flora në Shqipëri më ka kërkuar pasi kishte lexuar librin tim “Lasgushi në Poradec” Atëherë nuk u takuam dot. Gjatë muajve të gjatë kur Flora ndodhej në burg, shpesh, shumë shpesh mendoja për të. E një natë duke u gdhirë 1 shkurt i vitit 2000, nuk po më zinte gjumi, përfytyroja se si do të takoheshim me Florën, u ngrita mora një copë letër dhe me sytë plot lot e shkrojta një poezi për të: Letër Flora Brovinës E dashur Florë! Kam shtruar tryezën: koran Poradeci, fërlik Dukagjini, verë Gjirokastre, ballokum Elbasani, mollë Korçe e po të pres. Unë nuk mund të vdes pa folur gjerë e gjatë me ty. Ti, motër, si mund të vdesësh pa m`i rrëfyer të gjitha. Eja, Florë! Tryeza e shtruar të pret, të pret, të pret… Tiranë, 01.02.2000 Për çudi po atë ditë në kohën e drekës më erdhi nga Prishtina libri i Florës: “Thirrje e Kosovë” Pasi Flora u lirua nga burgu më 1 nëntor 2000, unë vajta në Kosovë më 10 dhjetor, por Flora ndodhej në Gjermani. Nuk e takova dot. I lashë një letër dhe brenda në të futa një copëz gur Shën Marene për ta ruajtur nga syri i keq. Sidoqoftë do ta takoj. Përse duhet ta takoj pas pesëdhjetë vitesh kur, mund të kishim këmbyer vjershat e para me njëra tjetrën… Të dyja flasim shqip e shkruajmë shqip dhe fati e desh që të jetojmë të ndara. Ka qenë një kohë kur edhe qielli shqiptar ishte rrethuar me tela me gjemba. Kufirin që më ndante prej Kosovës unë e kam pasur larg si vijë gjeografike. E kështu ne nga të dy anët e kufijve zgjateshim mundimshëm me duart lart drejt qiellit e duke përgjakur gishtërinjtë përpiqeshim të përftonim nga kultura njëri tjetrit. Bota ka qenë dhe vazhdon të jetë e ndarë me lloj-lloj kufijsh. Mure të lartë të betonuar, thurima me tela me gjemba e rrymë elektrike e shumë sajesa të tjera, por çuditërisht kufiri që më ndante mua pogradecaren prej shqiptarëve të Maqedonisë ishte pikërisht, ai liqeni i kaltër, i kthjellët, i shndritshëm me një bukuri mahnitëse që të pikonte në shpirt teksa e vështroje dimër e verë. Netëve me qiell të kulluar ne hidhnim sytë në bregun përballë e vështronim dritat e Ohrit dhe Strugës. Patëm mësuar shumë gjëra në shkollë, por asgjë për shqiptarët që jetonin në Kosovë dhe më tej kufirit. E më së fundi e takova Flora Brovinën në Vushtrri, në Takimin e Poeteshave në vitin 2002. Të gjithë e fotografonin, donin një fjalë prej saj. Unë i thashë: ”Më duhet Flora njeri, Flora poete” (nuk guxova të shtoja “Flora shenjtore”). E vërtet ajo u shenjtërua duke bërë aq sa mundi për Kosovën e saj të dashur. Një natë kemi qenë të dyja me Florën në një dhomë hoteli në Shkup dhe kemi biseduar derisa doli dielli në mëngjes.. Dhe sa bukur sikur ajo të ishte zgjedhur Presidente e parë e dheut shqiptar. Shkëputur nga libri "Romeo dhe Xhulieta takohen"

38 views0 comments

Shkrimet e fundit