Fletë leximi nga "ngujimi"


Fletë leximi për të ngujuarit

MALLI QË MË ZGJOI BESNIK KOKA I REÇIT TË DIBRËS...

Pasi zbrita sokakëve, herë duke u mbajtur pas bordurave të gurta e herë duke i hapur krahët për të krijuar baraspeshë, mora të ngjitem. Kur bëra hapat e parë vështrimin ma mori një vitrinë në qiell të hapur me copëza akulli poshtë e me peshk sipër e nëpër të. Nga të gjithë llojet e peshqve, nga ata që njihja e nga ata që i shihja për herë të parë. Pastaj ma mori një tjetër vitrinë, me perime të freskëta ku patëllxhanët e bardhë dukeshin si kunguj, aq të mëdhenj ishin. Në të djathtë, si në një shpellë një burrë me bluzë e kapuç të bardhë këndellte prushin e rrotullonte me mashë patëllxhanët që e kishin lënë të bardhën e natyrës dhe kishin marrë të kaftën e zjarrit...

Kur ndala hapin në shkallën e tretë vështrimin ma mori një shesh mbushur me tavolina me mbulesa të bardha prej ku pamja të gozhdonte e të mbante peng.

U ndala, ose më saktë të them më ndali syri hetues i një burri. Unë ngjitesha dhe ai priste. I hodha një sy sa nga koka tek këmbët, siç i hedhim një sy një kavaku të gjatë për t’i rrok majën e rrënjët, siç matim malin e lartë nga qeleshja e dëborës majave, në rrjedhën e lumit shtratit të ngushtë, poshtë.

Ai më foli anglisht dhe unë i përgjigja shqip. Ai më tha “good evening” e unë i thashë “mirëmbrëma“. Ai qeshi me shpirt e unë ia lexova atë jo mbi buzë e fytyrë por në zemër.

E pyeta se nga ishte. Më tha se jam nga Reçi i Dibrës. I përmenda me radhë fshatrat të cilat mbarojnë të gjitha në fund me Reç: Hurdhë-Reç, Gjurë-Reç, Bardhë-Reç, Zall-Reç, Draj-Reç, Kraj-Reç...

U ndal tek i fundit, Kraj-Reçi.

E pyeta se cilat janë “Tre mrekullitë e Reçit“ dhe ai nisi t’i numërojë: “Burri me fustan”, “Frigoriferi në shkamb”, “ Rrëzimi mbi saç“ – një mesele e vjetër me gurrë Gjurë - Reçin që vinte në tehun e sarkazmës popullore një të deleguar të Tiranës...

Qeshëm siç dinë të qeshin njerëzit kur rrëmojnë e gjejnë pjesë të përbashkëta të jetës.

E pyeta se si quhej. Më tha se quhej Besnik dhe ishte nga fisi i njohur i Koke. Këtu u ndala, e pashë në sy dhe prashita arën e madhe të kujtesës. I pari mu kujtua një shoku dhe miku im, i punës dhe i pallatit, Myslim Koka. Ai uli kokën dhe më tha me gjysmë zëri se Myslimi nuk jeton më. U trondita. Dy vjet të shkuara një tepelenas, Luan Memishi, më kishte pyetur për të. Vajza e tij në emigracion kishte rënë në dashuri me djalin e Myslimit po në emigracion. Pata kënaqësinë të vija dorën në “zjarr“ e t’i thosha se njeri më të mirë, të besës, të fjalës dhe të dijes e kulturës nuk gjeje. U bënë miq dhe iu gëzuan nipit të parë. Luanin e pata takuar një herë në Athinë bashkë me djalin e Myslimit dhe së fundi në Tiranë në një kafene prapa muzeut. I pata marrë numrin e telefonit të Myslimit që kishte zbritur nga Peshkopia në Durrës dhe prisja që një ditë të ulesha me të e të kujtonim ditët e dimrit 1985 kur mes dëborës që e kalonte metrin dhe akullit, ngjiteshim maleve të Luznisë ku ai asokohe punonte...

Besniku ma uli kokën në dëshpërim dhe vetëm ftesa për një kafe ma mblodhi shpirtin. I thashë të më piqte një “Kafe Reçi“. Vetëm ajo më mblodhi për ta marrë shpirtin e për ta përcjellë në ato vende e ato njerëz ku pihet kafja më e mirë në botë e ku miku e ndjen veten si në shtëpinë e tij...

Më tha se kishte qenë mësues. Kishte mbaruar shkollën e mesme pedagogjike të Peshkopisë dhe mësimin e parë e kishte dhënë në Soricë.

Këtu u ndalëm. Ai me nxënësit e vet e unë me kujtimet e mija. Sorica është një fshat i vogël në pëllëmbë të malit të Gjagjishtit. Paralel sheh Sllovën e vertikal Korabin në tërë vargmalin e vet, nga Bushtrica, Çaji, Sorokoli, Fusha dhe maja e Korabit e deri në Gramë e Zimurë. Këtu kishte trojet e vjetra Eles Isufi, “Gjenerali me Shajak“ e këtu e kishte kaluar fëmijërinë Hazis Ndreu i këngës dhe i valles popullore dibrane. Pak më tej, në Lashkizë kishte lindur Lirie Rasha e pak më poshtë Saje Poleshi e Xhediku i këngës “Cuca e Radomirës“...

Të përpjetës së Soricës, jo asaj që ngjitet nga Zall Dardha në këmbë por asaj që ngjitet nga Shënlleshe i isha ngjitur një herë në kabinën e skodës së Qerim Sulës. Nuk mund ta harroj atë çast nga jeta ime, atë ndërthurje të këngës me gulçimën e diezelit të kamionit si në një simfoni të pambaruar, atë madhështi të fjalëve të këngës ku flitej për luftërat popullore të Dibrës kundër pushtuesve, për trimërinë e gruas që në llogore “ngrehte pushkën e piqte bukën”. E kisha dëgjuar atë në skenën e shtëpisë së kulturës, e kisha parë në ekranin e vogël kur jehonën e saj e merrte Kalaja e Gjirokastrës për t’ia dhënë Malit të Gjerë, por kaq të madhe, kaq jetësore, kaq epike nuk e kisha parë e dëgjuar. Qerim Sula kishte në duar timonin e vërtetë të këngës, atë timon që pas çdo kthese ngjitej e pas çdo fjale rritej...

Kisha shumë kujtime nga ato male, shumë mall për ata njerëz që gjithnjë kanë tundur dhe tundin djepin e këngës dhe valles popullore dibrane.

I mblodhëm vlerat e jetës në ato male në një trastë dhe me Besnikun u ngjitëm në Fushë të Madhe për të pirë ujë me grusht në krojet nën rrënjët e ahut e për tu çlodhur në livadhe me lule të rralla...

Ishim larg atyre vendeve ku kori i bilbilave dhe kori i këngëtarëve janë në një festival të përjetshëm.

Ai u ishte vjedhur atyre maleve ashtu siç u isha vjedhur edhe unë. Kishte ikur natën pa e kthyer kokën mbrapa për t’i lënë kullat në pleq e shkollat nën tjegulla të thyera...

Në Thira të Santorinit kishte ardhur në vitin 1998 pas një stacioni të shkurtër në Shkallë të Tiranës, ku edhe ishte martuar me Vjollcën, e pas një shërbimi të shkurtër si kamerier në Akrotiri, diku “atje matanë”...

Kishte ardhur drejt e këtu pas ftesës së një shoku dhe nuk kishte lëvizë. Kishte marrë me vete gruan, motrën, vëllanë e kishin krijuar “koloninë” e vet ikacake.

E pyes se si e shikon të ardhmen. Më thotë “Unë për veten time e shoh në Shqipëri”.

Më doli në shteg për ta ngacmuar e për ta marrë përsëri me vete maleve të vendlindjes së tij. E pyes:

“Mos donë të ngjitesh edhe njëherë në Soricë e në Qa ?”

“Jo, jo, më thotë.- Atje janë boshatis fshatrat. Është boshatis komplet Reçi”.

E pyes se për çfarë e ka marrë malli më shumë ?

“Më ka marrë malli për Shqipërinë. Dhe më pëlqen me gjithë mend. Dua, sikur të hapet biznes të shkoj vetëm në Shqipëri. Çfarë të bësh këtu? Edhe ne do të kemi turizëm”

“Dielli lind dhe perëndon edhe në Shqipëri” - e ngacmoj duke i treguar një grup turistësh që shkojnë drejt Ijo-s për të parë perëndimin e diellit.

“Po, po – thotë - Ka diell edhe në Shqipëri. Një santoriniot i tha një ditë një shqiptari “A ka diell atje tek ju? “

Pastaj hymë në një bisedë familjare.

“Me vëllanë je këtu ? “

“Vëllai punon në një lokal tjetër.“

“Vëllai me familje është ?“

“Po, me familje. Është edhe dhëndri këtu bashkë me nusen, me motrën“

“Si e quajnë dhëndrin ? “

“Rami Delishi. Është ai që pjek patëllxhanët “ – dhe më tregoi tunelthin që pak më parë ma kishte marrë vështrimin.

“Vëllanë tënd si e quajnë ? “

“Shpëtim.”

“Po të shoqen ? “

“Marsela. Punon lart në një lokal. “

“E paski pushtuar të gjithë panoramën e bukur të Firas. “

Qesh.

“Ku nuk i gjen reçianët. Dje i gjeje në Fierzë e Koman, ku hapej një tunel e ndërtohej një vepër e madhe. Sot kanë marrë dheun... “

“Vetëm unë dhe disa kushërinj të mi jemi nga Reçi. Të tjerë nuk ka më. Nga Reçi është edhe Përparim Uklala. Ka një lokal të vetin në Kamari, “ Pero ” i thonë...”

...Shkova në Kamari. E gjeta edhe “Peron“ por nuk gjeta Përparim Uklalën. Një kuksian i ri nga Çaja më tha se kishte shkuar jashtë ishullit për furnizime. Ishte një lokal i madh, me kuzhinë, restorant e kafene, jo në bregun e detit, por në “bregun“ e kërkesave për të darkuar e pirë një kafe, falë kjo shërbimit të kulturuar.

Ika dhe i lash një “krande“ në derë siç është zakon në Reç të Dibrës...

Abdurahim Ashiku

36 views

Shkrimet e fundit