top of page

“FLAKA E JANARIT”


TRAGJEDIA E NJË KOMBI, QËNDRESA DHE “FLAKA E JANARIT”

Nga Miho Gjini

“Talia e Flakës”, si në orakujt e lashtë të besimit e shpresës së një populli, vazhdon në 29 edicione këtu në Gjilan të Kosovës, me po atë nderim. Shprehur si vetëdije e kombit mbi të gjitha valët e tragjedive të së shkuarës, të përpjekjeve e luftërave, qëndresava e vetëflijimeve, që do të mbetet e të festohet ngaheri si “FLAKA E JANARIT”. Simbol emblematik nga më te bukurit e më të shënjtëruarit që ka ky “Tempull i Madh”, me emrrin KOSOVË. Duke thirrur këtu dramaturgët, artistët e teatrit, poetët, shkrimtarët, piktorë e skulptorë, - që të gjithë si rikrijues të “shpirtit njerëzor”, vendosur në të njëjtin tempull të vetëdijes.

Duke ndjekur këtu Festivalin Teatror që e mbylli mbrëm perden si event i rëndësishm, ajo që mbetet përfundimisht është krijimtaria letraro-artistike e jona, mbi këto drama të së shkuarës, të qëndresës, të luftërave e të fitoreve, larë me gjakun e dëshmorëve e të heronjëve të shumtë. Dhe një tragjedi që interpretohet në skenën e këtushme, si shprehje e memorjes e të dhimbjeve të mëdha. Përmes dramës shqipe që aq shumë kërkohet , po mezi gjëndet këtu tek ne, kur bota i ka të shkruara ato me kohë dhe i ka mbajtur tempujt, institucionet e veta po me këto vepra që shprehin dhe janë bartëse të vetëdijes kombëtare. E megjithatë, ja tek kemi disa drama të tilla që i hedhin “sytë e mendjes” në ato plagë që hapi lufta, poshtërimi i dinjitetit kombëtar nga barbarët, si në të djeshmen, ashtu edhe në të sotmen, kur grahmat e agresorëve mbeten gjithsesi si shenja ogurzeza dhe vendi mbushet me varre e tempujt e heronjëve. Kemi kështu një dramë të fuqishme nga Fadil Hysaj, të titulluar ‘SHKAMAT” që mbështetet në humbjen e një jete të pafajshme njerëzore në luftë, plagë që mbetet e hapur krejt, një jetë tek dy bashkëshortët e thjeshtë si të qe një bosh gërryes brenda zemrës dhe trurit të lodhur, vakum i dhimbjes sfilitëse e të përhershme, e pabesuar asnjëherë si një gjëmë tashmë e ndodhur, me përshpirtjen e saj tragjike; kemi një diadramë nga Aqif Mulliqi me titullin “TRENAT”, të cilët i presin me ankth e shpresë të dy bashkëshortët e traumatizuar në një stacion ndërmjetës, për t’u mbartur sa më larg shkatërrimeve, poshtërimeve e vdekjeve; kemi më tutje një dramë të karakterit masiv, gjithashtu, nga Milazim Krasniqi të titulluar “BRYMA E VDEKJES”, e mbështetur në shpërnguljet masive të shqiptarëve nga trojet e tyre, me dhunë, duke e bartuar atdhen në dhimbjet e tyre pa e harruar kurrë; si edhe një dramë tjetër e përmasave tragjike nga Jeton Neziraj, me titullin “a,y.l.a.n”, që sensibilizon edhe më gjerësisht, të njëjtën plagë, spostuar diku në Europë, si plagë e të gjithë popujve, vepër e cila vjen si tragjedi e përbashkët. Se tragjedia e një populli është po njësoj edhe për një popull tjetër. Këto drama në gjuhën shqipe, që kërkohen të pasqyrohen në këtë festival, të të gjithë forcave krijuese, nga trevat shqiptare, herë me sukses e herë pa sukses, gjithsesi shënjojnë një përçapje, paksa e shurrdhët, kur shumë teatro e kanë më të lehtë të realizojnë një dramë të huaj, e cila e ka me te sigurt suksesin, sesa një drame shqipe, mbetur shpesh nëpër “shpërngajë”, asnjëjerë e plotë dhe e denjë të furnizojë e t’i “mbajë gjallë” teatrot tona profesioniste. Dhe, kur vjen puna të nxirret në skenë edhe njëfare teksti deklamativ me titillin”GRAVITETI”, servirur si dramë, spektatori ndjen vetëm trishtim për këtë farë mjerimi, ku është katandisur drama shqipe. E të vjen mirë, kur regjisori, dramaturgu e esteti Fadil Hysaj realizon me dramën e tij një paralelizmë me “Karriget” e Joneskos, e vendosur në terrenin tonë kombëtar dhe me ngjyrimin tonë psikosocial kryesisht, edhe si atmosferë e personazhe, ku dhimbja tragjike është dhe mbetet universale. Sikunder ndjehet edhe në diadramën e Aqif Mulliqit, - që të dyja të shprehura gjithsesi me mjetet e Teatrit Absurd, me nëntekstet dhe shtresimet kuptimore të natyrës associative, aq më mirë kur edhe “operohet në po ato terrene të absurdes!

Dhe duhet theksuar se përkujdesjet regjisoriale, si ajo e regjisorit Fadil Hysaj, Zana Duraku, Blerta Neziraj dhe Burbuqe Berisha, jane shqetsime e përpjekje reale që kjo dramë shqipe te ndjehet gjithsesi, në ato përmasa varfërie që ndodhet akoma si gjini. Ndërkohë që kemi një “armatë” dërmuese aktorësh që presin, kur shkollat tona të arteve në Tiranë, Prishtinë dhe në Tetovë, nxjerrin pa ndërprerje aktorë, të cilët duhet vazhdimisht të presin “Personazhin GODO” (!) të Beketit, aman o Perëndi, “me gojën hapur”!, jo pak herë edhe duke bërë punën e pjatalarësit në Athinë, në Berlin, apo në Paris! E megjithatë, përherë dalin emra aktorësh me pretendime profesionale, qe ia bëjnë me zell ysmetin roleve të tyre, sikundër ishin të tre aktorët: Sheqerie Buçaj, Xhevdet Doda e Bislim Muçaj që luajtën me devocion e mjeshtri të lartë aktrimi pjesën e Fadil Hysës (midis të cilëve shëlqente talenti i aktores Buçaj); aktorët prishtinas, po ashtu, Valmir Krasniqi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi tek “Bryma e vdekjes”etj; më tutje Shpëtim Selmani e Rabije Kryeziu tek “Trenat”; Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani e Alban Shahiqi të Teatrit të Gjilanit.

Po jo gjithmonë idetë e mesazhet e mëdha që i vendos para vetes ky event i përvitshem artistik e kulturor, me një sfond patriotizmi, e ka efektin e rrezatimit që duhet të përcjellin në “Flakët e janarit”, me nivelet e mirëfillta të arteve respektive. Se stonojnë përherë amatorizmat në teatër, ne poezi, ne skulpturat e shesheve publike, kur ende eshte i pranishm skematizmi, karakteri informativ-deklamativ. Idete e mesazhet e mëdha shprehen vetem me një përkushtim e art të madh, pas një parapërgatitjeje të mëparshme e sistematike, derisa të vijmë deri këtu e të “ndezim flakën” . Me më shumë larmi në gjini e në trajtime, me më shumë pjesëmarrje nga trevat shqiptare, pa asnjë përjashtim dhe, doemos me nje buxhet dinjitoz që pjesëmarrësit e këtij eventi me karakter kombëtar, që të njihen e të shohin edhe me njeri-tjetrin, të flasin e të këmbejnë eksperiencën, si edhe të nxirren konkluzione për të arthmen e artit shqiptar e jo vetëm të teatrit në Gjilan e përreth Gjilanit. Mandej është për të arrdhur keq që nuk shihen më në sallën e teatrit apo të dalin në skenë për të përshëndetur, të paktën, mysafirët e largët, nga kuadrot e reja të Kosovës, deputetët, politikanët e zyrtarët që merren “me hallet” e tyre të pushtetit. Ndërkohë, artistët e këtushëm diçka bëjnë për t’a “mbajtur gjallë” këtë tempull të shenjtë që quhet Teatër. Dhe e bëjnë shumë bukur!



25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page