top of page

Fjongoja e qiellit...


Fjongoja e qiellit nga Marash Mirashi….

KUR PËRTHYHET NGJYRA E QIELLIT NË MAGJINË E DIKURSHME !....

- Si në kohët moderne me mitee legjenda,MARASH MIRASHI –poet thurr si “fjongo në qiell” brengën që pikturon dhimbjen…




NGA SPASSE THANASI

Nga pema e vjetër në oborr, “strehon” kujtimet në verandën e pikëllimit me “gjurmët” mbi pluhurin e fëmijërisë. Nuk vjen lehtë në dëshirat e tij me ngjyrë poeti. Mundimshëm nga “Visaret e dhimbjes” doli në “Britmat e muzgut modern” dhe tani si një vals lumturie derdh një “Fjongo në qiell”…

Marash Mirashi si poet i talentuar i brezit të viteve 1990, si një gazetar i sprovuar në shumë “sfida” jetësore e profesionale, e përthyen rrezen e pritjes dhe brengën në mitologjinë e reve, hap “gracka thellësie” mbi lëkurën e trungut dhe nga emri mbi xham shpërndan fjongo në qiell si makinist i qytetit pa tren. I mjafton të thotë me paqe mbi ngjyrat : “Jam gjallë !”. Si një filiz i hollë e i brishtë ai ngre një bazorelievë poetik “gdhendur” si monument lirie me titullin e bukur “Fjongo në qiell”. Cdo varg ka simfoninë e Nënës, tingëllon përhumbur në një lojë të përjetshme me dhimbjen :

- “Më vjen përditë Shenjtorja ime

Nëna ime e dashur

Si mjegull ngjyer në qiell…”

E sjell këtë shtatore prej fryme mbi mbretërinë e gjetheve e drurëve, në ajrin sipër çatisë prindërore dhe thërret fort si atëhere muzgjeve të fëmijërisë ku Toka ka lëvizur në tjetër hapësirë :

- “Ah, ju lejlekët e fëmijërisë

Dhe ti, o dritë e Nënës time

Që ikët kaq shpejt

E më latë fill

Mua, që kurrë nuk mësova vjeshtën !....”

Mes shiut e moteve të shkuar, me rrugët e dikurshme në derë të vjetër druri, me një copë qiell si këmishë mes shpatullave ndër vite me grushta yjesh, me lutjet në heshtje në diellin e kujtimeve, me manin e vjetër në oborrin e fëmijërisë ku shfaqet marketi i lodrave e tisi i trishtë i fantazisë, me stinën e dhimbjeve dhe mallin për tulipanët, me lojën e lejlekëve në ajër për të mësuar vjeshtën, me erën e qytetit të Lezhës, me statujat në lëvizje përmes qytetit, me malet që flasin me qiellin, me arratinë e Hënës si një vejushë me dritë të zbehtë sikur tjerr trishtimin e qiejve, me akaciet në rrapet e Pukës ku fle shpirti i Marash Palit, me faqe mbi ngjyrat ku piktori cicëron me gjuhë të kafenjtë, me plagë mbi lëkurën e trungut që krijon fjongo në qiellin gri, me emrin mbi xham ku prêt udhëtarët mbi shkëmbinjtë koralorë, endur si makinist i qytetit pa tren mbi mitologjinë e reve që krijon figura të frikshme, poeti Marash Mirashi i del për zot fëshfërimës së lehtë të fijeve të barit dhe luan si fëmijë me dy lodra që banojnë në qiell, me balonë dhe hënë. Njësoj u gëzohet të dyja lodrave, tek rend me këmishë zbërthyer dhe sytë nga qielli :

Ti ke një lodër

Në qiell

Një balonë

Që dridhet në erë

Ke edhe një hënë

Që të ndjek !...

Po shkoj te fëmijëria

Të mbush ujë në pusin e oborrit

Të pi, moshën time !....


Poezitë tilla si “Stina e dhimbjes pa Nënën”, “ Loja e Lejlekëve”, “Gruaja e dhunuar”, Qyteti pa librari”, “ Një kalë në shi”,Pemë e zhveshur në fushë”,Akaciet në rrapet e Pukës”, “Arratisja e Hënës”, “Paqe mbi ngjyrat” etj, janë si rreze në shkëmbinjtë kolarë ku poeti prêt me shpresë baticat e kohrave dhe në stinën e sytheve krijon një kapotë të vjetër malli si në mitologjinë e reve me frymë gulçuese dhe frymë moderne në vetëtimat e botës. Si poet me dritë, me lule, me shira dhe erë, Marash Mirashi ngre dhimshëm valsin e lumturisë dhe të dashurisë duke ëndërruar si i çmendur në lojën e pulëbardhave me mjegull të kaltër. E quan “Sahara” vjeshtën e viseve magjike të lindjes dhe mundohet të gjejë gjethen e fundit për të luajtur muzikë!... Si mimikë ekzotike qan mbi murin e vjetër dhe ngre strehë në fushën e paanë. Dhe mendon gjithnjë i trishtuar : “Bota ka marrë tjetër formë!”…

84 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page