Fjolla Muhaxhiri Agusholli: Një poezi që nuk u shkrua kurrë
- Aug 2, 2025
- 1 min read

Në fletën që kurrë nuk u prek nga pena,
mbeti një frymë, një mall i paemër.
E prita vargun që vinte si mjegull,
por nata e përpiu dhe fjala më trembi.
Ti ishe strofa që më vinte në ëndërr,
një fjalë që nuk mund ta shqiptoja me zë.
Në vend të rimës, e mbaja në gjoks,
si zog që nuk di të këndojë, por dridhet në dhe.
Më premtove se do jesh fjalia e parë,
po u fshive si rëra nga hapat e tua.
Mbete metaforë në gojën e heshtur,
si dritë që nuk ndriçon, por digjet tek mua.
U rrita me pritjen e një vargu të ndalur,
një stinë që nuk erdhi kurrë në prag.
Ti nuk erdhe si fjalë, as si kthesë në tregim,
por si frymë që vret, pa lënë asnjë shenjë.
Tani kur lexoj të tjerët me zë,
unë ndaloj te fjala që nuk munda ta them.
Një poezi që nuk u shkrua kurrë,
është ajo që më dhe… e më more në zemër.
Ti ishe sirena që më thërriste nga larg,
jo në det, por në honet e shpirtit tim.
Unë, si Odiseu, i lidhur në mall,
Nuk e shënova dot vargun që digjej në amshim.









Comments