Fjala e plotë e Im Zot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris


Fotaq Andrea

Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris

– Me rastin e 100 vjetorit –

Përkthyer për herë të parë e përgatitur për botim sipas origjinalit në frëngjisht

Nga Fotaq Andrea

Konferenca e Paqes në Paris në mbarim të Luftës së parë botërore, organizuar nga shtetet fituese të saj (janar 1919 - qershor 1920), shënon një ngjarje tejet të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, që vulosi përfundimisht, pas një mbijetese historike të paepur, fatet e tij brenda kufijëve të sotëm territorialë të shtetit shqiptar.

Meritë dhe lavd u takon delegacioneve shqiptare që morën pjesë në Konferencë, e në radhë të parë përfaqësuesve të qeverisë së Durrësit dhe të diasporës shqiptare që ditën të bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimet e tyre politike e diplomatike për zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes kombëtare dhe njohjen e domosdoshme të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Delegacioni kryesor shqiptar në këtë Konferencë, me në krye ImZot Luigj Bumçin dhe sekretar Atë Gjergj Fishtën, pasuar nga një plejadë e tërë patriotësh, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, Mid’had Frashëri, Mihal Turtulli, Lef Nosi etj. shkëlqeu në përpjekjet e tij të suksesshme për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të kombit shqiptar, kërcënuar vazhdimisht me coptim e zhdukje nga shtetet fqinje. Historiografia shqiptare i ka një borxh të madh pasqyrimit në gjerësi e thellësi të kësaj veprimtarie të fuqishme atdhetare, dhe 100 vjetori i kësaj ngjarjeje të shënuar, pasuar nga 100 vjetori i Kongresit të Lushnjës përbënin rastin më të mirë për organizimin e një konference shkencore në rrafsh të lartë institucional e kombëtar, ndonëse nuk munguan shkrime, studime e artikuj seriozë, sidomos nga publicistët e mirënjohur Fritz Radovani, Frank Shkreli, Dalip Greca, etj. Për më tepër që edhe vetë konteksti aktual në Kosovë, përballur me makinacionet politike dhe rivendikimet e përhershme serbe në kurriz të shtetit të ri kosovar e kërkon si një domosdoshmëri jetike analogjinë dhe referencën historike të themelimit të shtetit të parë shqiptar, për t’u mbështetur në mësimet e tij se si mbrohet me dashuri të shenjtë dhe dinjitet kombëtar çdo pëllëmbë trualli kombëtar.

Është fakt i njohur historik se, që para Konferencës së Paqes në Paris, takimi i Fan Nolit me ish presidentin amerikan Wilson në korrik 1918, si dhe premtimi i tij për të mbështetur çështjen shqiptare në kuadrin e të drejtës së mbarë kombeve për sovranitet dhe integritet territorial, i çelën udhë njohjes së shtetit të ri shqiptar dhe të të drejtave të Shqipërisë etnike dhe të shqiptarëve si komb, viktimë e hershme e Perandorisë osmane, e fqinjëve grabitqarë, e Kongresit të Berlinit më 1878 dhe e vetë Traktatit të Londrës së vitit 1913.

Delegacionet kryesore shqiptare në Konferencën e Paqes, mbështetur mbi një bazë të fuqishme përfaqësuesish të diasporës dhe veçanërisht të Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, nuk rreshtën së paraqituri promemorie e protesta të fuqishme në emër të kombit shqiptar kundër padrejtësive historike, kundër krimeve të vijueshme serbo-greke ndaj shqiptarëve, kundër pretendimeve absurde greke për të shpallur territore greke krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, dhe po ashtu kundër makinacioneve italiane për të mbajtur të zaptuara Vlorën dhe rrethinat e saj. Kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencë, ImZot Luigj Bumçi, “me aftësi gjeniale”, siç shprehet me të drejtë për të studjuesi Fritz Radovani, luajti rol parësor në takimet e tij të shumta me krejt delegacionet e vendeve pjesëmarrëse në Konferencë kundër planeve për coptim dhe zhdukje të Shqipërisë, e sidomos gjatë takimit me papa Benediktin XV, të cilit i kërkoi drejtpërdrejt të ndërhynte që Korça dhe Gjirokastra të mbetshin krahina shqiptare, duke hedhur kësisoj poshtë marrëveshjen Titoni-Venizellos që i shkëpuste këto krahina nga trungu i Shqipërisë etnike1.

E ndërsa, jo pa dëshpërim, Shoqëria “Vatra” do të kërkonte në mars 1920 që Shqipërisë t’i “liheshin të paktën kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës (më 1913) dhe t’i shmangej një copëtim të ri”2, kur Greqia dhe Serbia kërkonin ethshëm të zgjeroheshin ende në kurriz të Shqipërisë, Esat pasha, i vendosur në Paris që më 1918, në ambicien e tij politike si i vetëshpallur mbret në kurriz të interesave kombëtare, deklaronte me cinizëm në prill 1919: “Mora vesh, në të vërtetë, se ardhja ime [në Konferencë] pothuajse përkoi me të ashtuquajturit delegatë shqiptarë që e kaluan pjesën më të madhe të kohës gjatë luftës në Vjenë, në Kostandinopojë a gjetkë. Nuk e di përse kanë ardhur në Paris e çfarë mund të bëjnë këtu; por di që gjatë gjithë periudhës së gjendjes së luftës, ndërsa unë isha duke luftuar në krye të trupave të mia përkrah Antantës, ata mezi lodheshin në favor të aleatëve. Sot, ata do të ishte më mirë dhe më saktë t’i cilësojmë si delegatë të Hohenzollern-it a të Habsburgëve, por jo si përfaqësues të Shqipërisë. Përveç kësaj, unë nuk kam ndërmend të kujdesem për atë që ata dashkan të bëjnë këtu.”3

Shfaqet në këtë deklaratë, veç akuzave të rreme, mashtrimit, cmirës, fodullëkut e injorimit të kundërshtarëve sivëllezër politikë, edhe sëmundja e hershme e politikave të vogla separatiste dhe egoiste, që i ka bërë historikisht - dhe vazhdon t’i bëjë - dëm të madh çështjes kombëtare. Sepse është fakt po aq historik që në këtë ngjarje madhore për fatet e Shqipërisë, siç ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, një numër delegacionesh shqiptare shkonin mjerisht të përçara, me interesa të ngushta rajonale e fetare, duke zgjedhur gjithkush “aleatin” e vet të jashtëm për mbështetje klanore, por gjithnjë në dëm të tërësisë etnike dhe integritetit territorial të kombit shqiptar. Dhe do ndodhte në këtë kuadër vdekja e papritur para Konferencës së Paqes e Ismail Qemalit, kryetar i Partisë së Kombit, vdekje e cilësuar “misterioze”, por aspak e tillë në kontektin e kohës, si dhe vrasja e Esad Pashës në emër të tradhtisë kombëtare, si “zgjidhje” këto të dëshpëruara e të përshpejtuara me anë të zhdukjes fizike të personazheve politikë, duke i çelur rrugën vrasjeve dhe atentateve politike që do pasonin në vitet ’20 e më tej, kur Faik Konica kishte paralajmërur tashmë që më 1906 “dëmin e madh që mund t’i sjellë kombit tonë një politikë shtazërisht e gjakshme...[kur] krimi politik është një luftë vëllavrasëse, ...[kur] krimi i ka duart me gjak, i ka duart e zeza”.4

Në këtë kuadër të errët përçarës, me mungesë të theksuar të kohezionit politik e të largpamësisë – sëmundja foshnjore kjo e krejt politikave të djeshme dhe të sotme shqiptaro-kosovare që mban peng e në vend numëro përparimin dhe europianizimin e kombit – del edhe më në pah merita e madhe historike dhe patriotike e ImZot Luigj Bumçit që predikoi parreshtur “bashkimin e plotë, urtësinë e madhe, durimin dhe nderin për njeni-tjetrin”, për të shuar “hidhënimet e mënitë që na ndajnë, për të respektuar mendimet e shokëve tanë, për të mos ftohur e ashpërsuar marrëdhaniet në mes të Shqiptarëve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të vijnë. Për të mirën e Atdheut, - thekson ai (nënvizojmë) - duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve”5. Ja këtu një apoftegmë e pavdekshme e ImZot Bumçit, me vlerë proverbiale për domosdoshmërinë jetike të bashkimit të shqiptarëve, shenjtëruar që në vargun e parë të Himnit kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Vetë shtypi francez i kohës nuk mungonte të theksonte këtë bashkim nën titullin “Myslimanë e të krishterë, të bashkuar në një zë në Shqipëri”.“Delegacioni shqiptar pranë Konferencës së Paqes, vinte në dukje gazeta “Paris-Midi”, u shtua me dy anëtarë të rinj. Janë ImZot Bumçi, peshkop i Alessios dhe anëtar i qeverisë së përkohëshme, dhe Atë Goerges Fishta, franciskan i Skutarit dhe poet i madh kombëtar shqiptar. Këta dy delegatë të rinj, që u pritën n