top of page

FJALA E ENERGJISË ARTISTIKE


Ndini Bardhi


Fjala, kënga, piktura, drama janë energjia e ndjesisë emocionale për artistin myzeqar. Fjala e bukur shpërthen natyrshëm nga brendia shpirtërore e çdo myzeqari të vërtetë. Ajo shfaq misterin e jetës, të dashurisë njerëzore dhe gjithëçka energjike shndërrohet në art. Është shpirti i madh i myzeqarit që ndërton fjalën, mendimin dhe këngën e jetës.

Për gjetjen e tyre, artistit i është dashur shumë përpjekje dhe lodhje. Fjala me energjinë e saj bën për vehte gjëra të shumta, që nga më e thjeshta dhe deri tek më e ndërlikuara, shpirtin dhe bukurinë njerëzore, madhështinë dhe thellësinë e jetës së kërkuar.

Artisti myzeqar, punën me fjalën artistike e ka bërë në mënyrë të zellshme dhe si diçka hyjnore. E gjithë kjo nuk është e lehtë, sepse të futesh në marrëdhënie me fjalën është përgjegjësi dhe eksperiencë.

Në shpirtin artistik ajo është kryefjala e mendimit. Tek fjala është sistemuar ndjenja dhe niveli i sipërm shpirtëror. Fjala e zgjedhur bukur, ka në embrionin e saj muzikën, pikturën, poezinë, dramën dhe mbi çdo gjë shpirtin njerëzor. Dhe më tej, të vazhdojmë: fjala ka peshë vlerash, ngjyrë dialogu, aromë bukurie, vëllim mendimi, temperaturë shpirtërore.

Ajo është refren kënge, tingull jete, thellësi ndjenjash, lartësi nivelesh, gjerësi poetike, pejsazh lirie dhe jetë njerëzore. Fjala e mëndjes dhe e shpirtit myzeqar vepron tek njeriu dhe dashuria për jetën. Fjala është krye njerëzore dhe gjithçka për artistin myzeqar. Godinën artistike myzeqari e ka mbështetur pikërisht në këtë njësi themelore, si gur themelore, si gur themeli dhe sigurie për kohën e tashme dhe të ardhme.

Myzeqari artist, si mjeshtër tipik i fjalës e njeh mirë peshën e saj që nga ajo burimore deri tek ajo e kultivuar. Krijuesi nëpërmjet saj tregon formimin kulturor dhe personalitetin e tij. Ajo ka një peshë të madhe në komunikimin artistik dhe gjuhësor në mes të njerëzve artist. Artisti, si mjeshtër i fjalës, nuk do të lodhet asnjëherë në zgjedhjen e saj. Ai përpiqet në çdo çast për gjetjen e asaj fjale që ruan energji vlerash artistike dhe pambarimisht kërkon nocione themelore të saj. Fjalën e gjen në hapësirën e lirisë njerëzore, e merr dhe e vendos si vlerë estetike në vepër. Në këtë vend ajo merr kuptim të thellë të ndjenjës dhe ngrohtësisë së saj. Ajo, sa herë që flitet, merr kolorite të ndryshme, nuanca të shijes së mirë dhe i së keqes, të qetësisë dhe revoltës, të paqes dhe luftës. Prandaj, artistit i duhet të gjej fjalë me përdorim të ngrohtë të gjuhës së mirëkuptimit dhe emocionit.

Fjala e mirë mirëpritet nga çdo njeri dhe rrezaton ngrohtësi shpirtërore. Pikërisht, këtu qëndron mjeshtria e artistit në zgjedhjen e fjalës. Kjo mund të jetë e hollë (e tërthortë) në përdorim dhe e ftohtë në të folur, kushtëzuar prej mjedisit dhe bashkëbiseduesin.

Fjala artistike shqipe është e pazëvendësueshme për çdo artist myzeqar dhe kombëtar. Shqiptimi i saj krijon lidhje të ngushta mes njerëzve dhe hyjnë në një komunikim të ngrohtë si një domosdoshmëri e ngutshme mes tyre, për t’u marrë vesh dhe realizuar interesat e tyre të gjithëanshme.

Fjala si fjalë shqipe në art e kudo tingëllon si magji, me forcën e saj goditëse gdhend mjeshtërisht modelin më të mirë artistik në pikturë, këngë, poezi, dramë etj.

Fjala me këtë energji të mrekullueshme, me këtë shpërthim të bukur estetik që kulmon fuqishëm, ka një ecje të bukur dhe të pandalshme shpirtërore, që ngjet si një jetë bilbilash dhe simfoni këngësh të pakënduara më parë.

Ajo është hyjnore dhe shumë e shtrenjtë për njeriun në këtë jetë. Njeriu si subjekt lirik e njeh shumë mirë vlerën e madhe të fjalës, sepse nëpërmjet saj ai ka ndjerë shpirtërisht të mirat dhe të këqijat e kësaj bote.

Fjala energjike njerëzore shpreh dukuri të natyrshme të jetës dhe universit. Kjo është dukje e jashtme e gjërave. Ajo vazhdon më thellë drejt të panjohurës.

Fjala gatuan, ndërton, shkatërron, bën luftëra dhe përmbysje revolucionare. Fjala energjike shtreson kuptime të thella filozofike, që kanë të bëjnë me njeriun, jetën dhe botën.

Fjala zbulon vlera artistike dhe njohëse tek njeriu me cilësi shpirtërore dhe përfaqësimi.

Na lind në çdo çast ta vlerësojmë shumë atë, se fjala si një koncept i një shfaqjeje të re, që në dukje të parë e nënvleftësojmë, më pas na del një mrekulli vlerash.

Artisti myzeqar ka marrë prej shpirtit popullor thelbin dhe fjalën e artë emocionale. Kjo fjalë është e gatuar bukur estetikisht në veprën artistike që nga më e thjeshta e deri në ato të mpleksura, të cilat së bashku japin produktin me nivel të lartë shpirtëror myzeqar. Duke marrë nga realiteti myzeqar dhe përdorur fjalë të thjeshta trualli, tabani, tradite etj., i janë bërë gjëra të mira e me vlerë. Për të mbrritur tek kjo filozofi, artisti myzeqar, sjell modele të gjalla nga jeta myzeqare, duke thënë qetësisht se sa natyrshëm ndodhin fenomenet natyrore, nga e cila duhet të mësojë edhe shoqëria njerëzore e sotme.

Si e tillë, arrijmë në konkluzionin se çdo mendim, ide, koncept thellohen tek shfaqja se në jetë duhet të dish si njeri dhe artist, si ta përdorësh me mënçuri vlerash artistike, kryefjalën e artit, FJALËN SI FJALË SHQIPE DHE ENERGJIKE.

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page