top of page

Fjalët e fundit


Astrit Lulushi



Thellësia e fjalës tregohet në thjeshtësinë e saj. Në fjalët e fundit të njeriut përmblidhet ndonjëherë gjithë urtësia e jetës së tij. Gjatë shekullit të 3-të, Shën Laurenti u dënua me vdekje në Romë se ishte i krishterë. Zyrtari romak e dënoi me një vdekje mizore. Ai do të digjej i gjallë. Fjalët e tij të fundit ishin: “Kur të më kesh pjekur mirë në njërën anë, mos harro të më kthesh në anën tjetër”. Ironia e tij e tërboi romakun, i cili s’mund t’i bënte gjë tjetër veçse ta digjte.

Arkimedi i lashtë ishte matematicien, i cili shpiku shkencat e mekanikës dhe hidro-statikës, dhe zbuloi metoda të ndryshme për të lëvizur objekte të rënda duke përdorur forca të vogla, të tilla si levën dhe rrotën. Fjalët e fundit të Arkimedit ishin jo “mos më vrit” por “mos i prish rrathët e mia”, një referencë për qarqet në vizatimin matematik që ai po studionte para se të vritej nga një ushtar romak.

Volteri, filozof, ishte i njohur për rebelim kundër intolerancës fetare dhe monarkisë absolute. Gjatë gjithë jetës, përpjekja e tij më e gjatë dhe e vështirë ishte për liri për të komunikuar. Liria e fjalës, besonte Volteri, ishte rrënja e të gjitha lirive, sepse vetëm liria e fjalës ka aftësinë t'i hapë sytë dikujt në rrugën drejt së vërtetës. Kur prifti e nxiti atë të hiqte dorë nga Satanai, Volteri u përgjigj: “Kjo nuk është koha për të bërë armiq të rinj”., duke iu referuar njëkohësish Satanait dhe priftit.

“Dashuri—-Tragjedi” jane fjalët e fundit që Wagneri la të shkruar në një notë muzikore, si për të thënë se la pas sa miq edhe armiq. Richard Wagner dominoi muzikën evropiane si ndoshta askush tjetër. Pas vdekjes së tij në 1883, bota mbajti zi, kompozitorët u tronditën nga vdekja e tij. “Vagner è morto !!!” shkroi Giuseppe Verdi, antipodi italian i Wagnerit. “Duke lexuar lajmet dje, u trondita nga tmerri”. Johannes Brahms, i parë si kundërshtari kryesor gjerman i Wagnerit, dërgoi një kurorë të madhe dafine në funeral. Gustav Mahler vrapoi nëpër rrugë me lot, duke qarë, "Mjeshtri ka vdekur!" Pietro Mascagni u veçua për disa ditë, duke shkruar me shpejtësi Elegjinë për orkestër mbi vdekjen e Wagnerit. Liszt e përkujtoi dhëndrin e tij me një skicë të çuditshme pianoje.

Cili është fjalimi më tërheqës në histori?

Nga Çikago, më 1942, ajo, krahas Zonjës së Parë Eleonor Ruzvelt, qëndroi përpara një turme të madhe, duke i qortuar se nuk mbështesnin hapjen e frontit të dytë. "Zotërinj," tha ajo, "unë jam 25 vjeç dhe kam vrarë 309 okupatorë fashistë deri tani. A nuk mendoni se mjaft jeni fshehur pas shpinës time?" Këto fjalë u pasuan me duartrokitje të forta dhe po, fjalimi mbahej nga një grua, Lyudmila Pavliçenko, snajpera femër më vdekjeprurëse në botë. Pavarësisht se në fillim u refuzua të pranohej si snajpere dhe hyri në kurs për infermiere, asaj iu dha një provë që e kaloi me lehtësi. Brenda 75 ditëve të para si snajpere, ndërsa luftonte në Odessa, Pavliçenko bëri 309 vrasje të konfirmuara, “pa llogaritur dy që i kishte vrarë kur dha provimin”, dhe shumë të tjera të pa-konfirmuara. Ajo u bë famëkeqe mes gjermanëve, të cilët u përpoqën ta tërhiqnin në anën e tyre përmes transmetimeve në radio. Pastaj e kërcënuan se do ta copëtonin atë në 309 copa. "Ata madje e dinin edhe rezultatin tim!" - tregonte Pavlichenko më vonë duke qeshur. Pavliçenko është e para shtetase sovjetike (ajo ishte nga Ukraina) që vizitoi Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të fushatës të Stalinit për hapjen e frontit të dytë në Europë.

Ka edhe raste të tjera të njerëzve që ndikuan me vepra e fjalë të thjeshta në këtë botë të ndërlikuar. Bota është e lidhur me fije të padukshme. Qëndron e varur rrotulluese. Fijet jane gurtësuara. Janë kthyer në vargonj. Sado herë pas here njerëzit përpiqen të shkëputen prej tyre, në fund përsëri bien në to. Është rrjetë merimange Bota, të gjithë jemi kapur prej saj. Sepse nuk ka si shpjegohet që një revoltë pas një qetësie shoqerohet me revoltë, kryengritja me kryengritje, trazira me trazira dhe njeriu përfundon përsëri nën zgjedhën që kishte; një dorë e vetme e padukshme e kontrollon botën të rrokulliset drejt vetes.

9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page