top of page

FJALË TË ARTA MBI SHKËLZEN


Një liber me fjalë të arta për 110 personalitete shqiptare të letrave, artit e kulturës


“FJALË TË ARTA MBI SHKËLZEN” NGA MOZA REÇI-SHEHI

Halil Rama – Mjeshtër i Madh


· Vlerat e këtij libri konsistojnë në faktin se përveçse, i ngërthyer me profile të dhjetra personaliteteve shqiptare, jo vetëm nga Tirana por nga të gjitha trevat shqipfolëse, pasuron dukshëm fondin e publicistikës letrare



Pesë vjet më parë, kur themeloi Radio “Shkëlzeni”, gazetari i mirënjohur Agim Zeka nuk mbeti i vetëm në këtë sipërmarrje, sepse, siç pohon ai vetë, gjatë rrugës në ecje e sipër, iu bashkuan njerëz me vullnet të mirë. Moza Reçi-Shehi, poete, moderatore dhe publiciste qe njëra nga këta. Për çdo të mërkurë, në emisionet e saj: “Të trokasim atje ku duhet”, “Ora poetike” etj, intervistoi dhe promovoi, jo pak por 110 personaliete të letrave, artit e kulturës. Dhe si askush tjetër, pas një pune voluminoze, Moza i sjell ata, të profilizuar artistikisht në një libër interesant dhe krejt të veçantë, me titullin sinjifikativ “Fjalë të arta mbi Shkëlzen”.

Po. Në këtë libër është fjala e artë e gazetarit Avdulla Kënaçi, i cili nga Kanadaja i shkruan Mozës: “Ne ishim fare të panjohur së bashku, por na bashkoi Radio ‘Shkëlzeni”, për të vijuar më tej: “E njoh këtë profesion dhe habitem si mund ta realizoni pa asnjë mbështetje financiare, por si gjithmonë edhe këtu shkëlqen shpirti patriotik dibran”. Pikërisht këtu do të ndalej në fjalën e tij me rastin e promovimit të këtij libri edhe redaktori Vullnet Mato. Ky personalitet i shquar i letrave (që me meritë ka marrë dhe gëzon titujt: “Nderi i kombit, ekselencë në Rumani” & “Ikonë e letërsisë botërore Indi-Meksikë”, ndër të tjera solli në kujtesë shërbimin e para 50 viteve në Brezhdan të Dibrës, ku rastësisht ishte njohur me burrin e mençur, të urtë e patriot dibran Ivzi Reçi, ku pasi kishte bujtur në shtëpinë e tij, ishte mahnitur nga mikpritja, me muhabetin në odën e burrave dhe nga pastëria model e kësaj shtëpie. “Pesëdhjet më vonë, teksa më solli poezitë e saj të para për t’i redaktuar, njoha Mozën dhe ngela i habitur kur më tha se ishte e bija e Ivziut. Ç’farë koincidence! Njoha këtë zonjë dibrane e cila në poezitë e saja shfaq talentin e vet poetik, duke krijuar vargje hyjnore, plot frymëzim, të cilët unë, gjatë redaktimit, i kam hedhur me shkrimin e pjerrët skrip, për t’u dalluar nga të dhënat e tjera jetësore të poetëve”, tha ndër të tjera Vullnet Mato në çelje të promovimit të librit “Fjalë të arta mbi Shkëlzen”.


Shpirtin fisnik dhe talentin e rrallë poetik Moza Reçi Shehi e ka derdhur pothuajse në intervistat dhe portretet e 110 personazheve të këtij libri. Kështu ajo shkruan për poetin dhe prozatorin Ahmet Prençi, vlerë e shtuar e Dibrës, por dhe e shqiptarisë, fjala e të cilit “shkrin gurin”, por Ai e sjell tek lexuesi të ëmbël, të mirëmenduar, të goditur e përshtatur në rrerhanat e duhura… Me fjalë të arta e të pëzemërta i ka skalitur Moza edhe portetet e Adriatik Gegës, Znj. Aferdita Vela, Agim Deskut, Albina Cekës, Aleksandër Ndojës, Ali Nezir Dacit…, si dhe të dhjetra personaliteteve tjera të gazetarisë, letrave, artit e kulturës. Dhe, jo pa qëllim, për të mos krijuar hatërmbetje, i ka renditur ata në librin e saj sipas rendit alfabetik të emrave të tyre.

Portreti është një gjini shumë komode dhe komunikuese, që sjell për lexuesin takimin e autorit me personalitete të fushave të ndryshme. Moza Reçi – Shehi ia ka dalë ta përmbushë më së miri këtë kriter, duke sjellë në këtë libër profile të larmishme: dhuntitë e talentet e personazheve në aspektet filozofike, morale, sociale, shkencore dhe letrare. Kështu. Nëse Astrit Gjunkshin e prezanton si autorin e 16 librave artistikë në gjinitë: prozë, dramë, poezi, vargu i të cilit është jetë; për Bekim Kelmendin nga Gjakova shkruan se në harkun kohor të 13 viteve (2002-2015) ka bërë mbi 300 paraqitje skenike: recitime, skeçe, dramatizime, valle brenda shkollës, ndërsa jashtë shkolle nëpër teatro e me akademi përkujtimore, mbi njëqint shfaqje. Qasja e saj është që nëpërmjet profileve të sjellë informacion të pasur për lexuesin, në fusha të ndryshme. Dukshëm kjo në profilin e Avni Ndreut, ku ndërsa në vlerësimin si poet shkruan se “Poezitë e tij kanë metaforë të veçantë dhe mendim të thellë filozofik”, si koreograf vlerëson se Ansambi Artistik “Hazis Ndreu-Nderi i Kombit” që ai drejton ka performuar suksesshëm dhe ka marrë dhjetra çmime të para e trofe në festivale kombëtare e ndërkombëtare. Më tej, shkruan për Barie Çupin, poezia e së cilës është çdo qelizë dhe rrahje pulsi. Ndërsa vetë kjo poete e talentuar, pas emisionit në Radio “Shkëlzeni” shkruan se moderatorja e nderuar, poetja e mrekullueshme Moza Shehi ka një stil komunikimi, që të qetëson e të depërton në mendime.

Po. E tillë është Moza, moderatorja që i ka dhënë shkëlqimin dhe prestigjin e merituar radios me emrin sinjifikativ “Shkëlzeni”. Pothuajse të gjithë personazhet që ajo i ka ftuar në emisionet e saja “Të trokasim atje ku duhet”, “Ora poetike” etj, kanë evidentuar talentin e rrallë, diksionin e qartë e mbi të gjitha komunikimin e saj brilant. Kësisoj, kush ndjek këto emisione s’e ka të vështirë të kuptojë se si profili e përvoja e personazheve, ngjarjet që ato tregojnë, imazhi i ndjenjave, bota e brendëshme, gjendja emocionale bëhen ngjarja kryesore. Kështu ndodh me Kozeta Zavalanin, poete, gazetare dhe shkrimtare, e zgjedhur një nga 26 gratë e shquara në botë (në emisionin e Moza Shehit “Unë me Ju e Ju me mua”); me Migena Arllatin, për të cilën Moza në këtë libër përmend botimet e saj: vëllimin me poezi “Mendime në kornizë”, monografinë “Lindur për t’u bërë mjek”, studimin gjuhësor “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës”; botimin studimor “Patronimet, mbiemrat familjarë në Gjakovë”; me Flurura Maçin – piktore, poete, publiciste, skenografe ndër më të mirat në rang kombëtar.., si dhe me dhjetra personazhe. Vlerat e këtij libri konsistojnë në faktin se me leximin e tij takon shkrimtarë, artistë e shkencëtarë të cilët kanë emër, siç janë: regjisori e gazetari Fran Mulaj, poeti, redaktori e recenzenti i disa librave Nikollë Loka, pjesmarrës në shumë antologji poetike në italisht; Emrie Krosi, poete dhe një ndër zërat më të spikatur të kritikës letrare; Sanie Degjoni Ndreka dhe Përparim Luca, autorë të suksesshëm të disa vëllimeve me poezi; Meri Mezini e prezantuar në emisnin “Ora poetike” si një oficere policie shembullore, poete dhe prozatore, autore e disa romaneve e vëllimeve me poezi…për të mbrritur në fund te Prof. dr .Asrit Memia, (i fundit për nga renditja në këtë libër por i veçantë për vlerat e spikatura) si pedagog, gazetar e skenarist i disa dokumentarëve televizivë të arrirë artistikisht, shkëlqimtar në disa fusha si: Imazhi, Diplomacia Publike, Privatësia dhe Media.

Si përfundim do të vlerësoja se “Fjalë të arta mbi Shkëlzen” është një libër, i llojit dhe stilit të veçantë që i shtohet botimeve të tilla të publicistikës letrare, që ka si temë të vetme ndriçimin e 110 personaliteteve të spikatura në letërsi dhe arte. Parë nga ky këndvështrim, Moza Reçi Shehi është mirënjohëse për këto personazhe që ja kanë bërë më të këndshme emisionet e saja në Radio “Shkëlzeni”, si një nga moderatoret më të suksesshme. Vlerat e këtij libri konsistojnë edhe në faktin se përveçse, i ngërthyer me profile të dhjetra personaliteteve shqiptare, jo vetëm nga Tirana por nga të gjitha trevat shqipfolëse, pasuron dukshëm fondin e publicistikës letrare.

79 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page