top of page

Fituese e çmimit kryesor ...


Etleva Tafa, fituese e çmimit kryesor në “Takimet Poetike të Karadakut - 2024”

 

Kumanovë - Të shtunën më 9 mars, me pjesëmarrjen e shumë krijuesve dhe dashamirëve të poezisë në Kumanovë u mbajt edicioni i 32-të me radhë i manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”.

Takimet i hapi kryetari Fatos Rushiti, i cili vuri theksin tek krijimi i një lidhjeje të të gjitha klubeve të shkrimtarëve dhe artistëve nga të gjitha trojet shqiptare. “Shqipëria, Kosova, por dhe Maqedonia e Veriut, deri më tani nuk kanë bërë aq sa duhet për të nxitur dhe ndihmuar modalitete të ndryshme të bashkëpunimit kulturor ndër shqiptarët” theksoi Rushiti.

Këtë vit me çmimi kryesor “Fadil Bekteshi” shkoi te poetja nga Tirana - Etleva Tafa, me poezinë “Atje në Dalmaci”, me çmimin ‘’Doruntina’’ u nderua poeti nga Durrësi - Agron Çalliku, me poezinë “Një dramë brenda vetes”, ndërkaq me çmimin “Jehona Poetike” u shpërblye poeti nga Vitia - Fadil Abazi, me poezinë “Nuk fiket kujtimi për ty”.



Me mirënjohje të veçantë për afirmimin e poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit u laureua poeti i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare - Dhimitër Pojanaku nga Pogradeci.

Poetet që lexuan në Orën e Madhe Letrare ishin: Dhimitër Pojanaku, Kalosh Çeliku, Nehas Sopaj, Etleva Tafa,, Istref Haxhillari, Enkelejda Mitrollari, Agron Çalliku,  Fadil Abazi, Selajdin Shabani, Daim Iljazi, Rami Kamberi, Burhanedin Xhemaili, Bajramali Selimi, Bujar Balliu,  Arben Ibrahimi, Ali Qerimi, Arbër Salihu, Adriatik Zeqiri, Mejreme Kajolli Tusha, Ismail Ganiu, Shefki Selami, Emrah Bilalli, Ufra Alimi, Avni Shaqiri, Etem Xheladini, Ismet Miftari, Era Qerimi.

Juria letrare ishte në këtë përbërje dr. Sherif Selimi - studiues i letërsisë, mr. Arsim Halili poet dhe studiues, dhe Bilall Maliqi - poet i njohur nga Presheva.  

Kryesia e Klubit, me plaket mirënjohjeje e nderoi doajenin e gazetarisë kumanovare - Nexhat Aqifi, për kontribut të veçantë në informimin dhe afirmimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona  e Karadakut”. Aqifi për 32 vite me radhë ka informuar për të gjitha aktivitetet e klubit, përmes televizionit lokal “Festa” dhe Televizionit Shtetëror - Programi në gjuhën shqipe. Ndërkaq, mirënjohje të veçantë mori veterani i arsimit dhe afaristi i njohur kumanovar - Feriz Dervishi, për mbështetjen e manifestimeve  kulturore në Kumanovë. Poashtu, me mirënjohje u nderua edhe Abil Ademi - pronar i “Foto Drita’’ nga Kumanova.

Kryeredaktori i revistës “Doruntina” - Sevdail Demiri, prezantoi edicionin e fundit të revistës nr. 53/54, si dhe botimet e fundit të autorëve që botuan me siglën e klubit gjatë vitit paraprak – Ligor Shyti, Fatos Rushiti, Selajdin Shabani dhe Avdulla Ameti.

Poezia në Kumanovë u shoqërua nga dy këngë shumë të bukura të kantautorit të njohur kumanovar Sunaj Raimi, njëherit poet dhe nënkryetar i këtij klubi.

Manifestimi ‘’Takimet Poetike të Karadakut - 2024’’ pjesërisht gjeti mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Kumanovës dhe Likovës, si dhe firmës ‘Top Drajver’’. Në emër të Komunës së Kumanovës, manifestimin e nderuar këshilltarët komunal - Driton Sulejmani dhe Huzeir Mustafa. 

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page