top of page

FILMI QË NUK U PA KURRË


Në foto me Rikard Ljarjen e ndjerë, si dhe me Eli Kaninen dhe Alda Bardhylin

Mark Simoni Kam qenë në vitin e parë të gjimnazit, kur mësuesi ynë Rudolf Marku, solli për bisedë rreth letërsisë, djalin e Kryeministrit të at’hershëm, Bashkim Shehun. Student letërsie, i veshur me një kostum kaf kadifeje me vija të holla, (kadife që e lakmonte çdo i ri që ndiqte sadopak modën), i hijshëm dhe i kërrusur, i lumtur dhe i hutuar që do të fliste para ne nxënësve. Të gjithë e shikonim më shumë si djalë të Mehmetit se sa si prozatori i talentuar, që thoshte lirshëm letërsi dhe kujtime bashkë, udhëtime larg vendit dhe emra të padëgjuar shkrimtarësh që pati takuar ai në rrugëtimet e tij. Bashkimi vinte shpesh në Lezhë. Me një FIAT të vogël, makinë që thuhej se qe e nënës së tij. Kishte miq Rudolfin dhe Agim Isakun. I këcenin makinës dhe shkonin tek Ndoc Gjetja, që atëherë jetonte në Shënkoll. (Qe shpërngulur nga Lezha dhe pati zënë vend në fshat, në skutën e një bujtine të vjetër, ku shkruante letërsinë e tij). Pas dy tre vjetësh Rana e Hedhur në breg të Shëngjinit u bë shesh xhirimi i filmit “Skëterrë ‘43”. Skenarin e pati shkruar Bashkim Shehu dhe regjinë e bënte Rikard Ljarja. Rikardi na dukej edhe pak lezhjanë, mbasi në qytetin tonë jetonte dhe një kushëri i tij, mësues frëngjishteje që quhej Luigj Ljarja bashkë me familjen e tij, (një grua si aktore italiane e viteve ‘40 dhe me një vajzë shumë të bukur dhe me syze). Më duket Renata dhe Dhurata quheshin. Megjithëse romani im “Qyteti me një sy” është letërsi fiction dhe trill, vende vende kam futur pasazhe reale nga kujtimet e mia të fëmijrisë. Pikërisht dikund e kam të shkruar këtë atmosferë që krijonte Kinostudioja në qytetet e vogla. “...Të parat në qytet u dukën makinat e rënda sovjetike. Ngarkuar me motorrë dritash dhe projektorë. Pas tyre mbërriti një varg i gjatë zisash ushtrie, plot me materiale rekuizite, veshje aktorësh, dhe me kuaj të lartë hipur mbi to. Në fund vinte ngadalë dhe si i përgjumur autobusi i Kinostudios, me aktorët dhe me të gjithë ata që do merreshin me filmin. Filmi do të xhirohej dikund në periferi, tek Rana e Hedhun. Qe një film për kampet e përqëndrimit. Nëpër shkollat dhe ndërmarrjet e qytetit mblodhën figurantët. I qethën si të burgosur, u bënë fotografi. Dhe pasi i veshën me rrobat e kampit, i degdisën për atje ku natën bëhej xhirimi…” etj etj. Filmi u xhirua, por askush nuk e pa dot, mbasi “Skëterrë ‘43” u mbyll në magazinat e Kinostudios, sepse Kryeministri u vra, i biri, Bashkimi, iku burgjeve, regjisori u hoq nga Kinostudioja. Figurantët më kot pritën të shikonin veten në ndonjë sekuencë. Kam biseduar disa herë me Rikardin, ia kam kujtuar Bashkimit se si e shihnim atëherë kur vinte në Lezhë. Sa histori me përfundime të trishta. S’kam asnjë dyshim që në skenarin e Bashkim Shehut ishte Shqipëria metaforike e tij, dhe përse jo, edhe fati i parathënë i vetë Bashkimit.

(Pjesë nga libri im i fundit “Lumi i varkave të vogla”. Në foto me Rikard Ljarjen e ndjerë, si dhe me Eli Kaninen dhe Alda Bardhylin, në promovimin e një prej librave të Ljarjes, në Universitetin Europian të Tiranës)

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page