top of page

Fije bari


Fije bari

Fatmir Terziu


E mbaj fotografinë e nënës në dorë

meditoj,

vrapoj,

shkruaj,

lexoj,

rilexoj

ato që kurë nuk i kam mësuar në shkollë.


Një fije bari na ndan. Muri

Unë dhe mbulesat e çatisë

jemi nën një tarracë

flasim,

qeshim,

puthemi,

jemi bashkërisht të ndarë.


Një fije bari është ndasia jonë

kjo ndarje na bashkon.


E dëgjoj zërin e bimëzës së vogël;

në kopështin ndarës të shtëpisë

muzikë e çuditshme e panjohur rreth Botës

edhe për vetë perënditë

për ata që përhumben metropolit të Londrës

shtysë jete,

lëvizin, ngarendin mendjen e tyre, mallohen, treten

nën ritmin e një torbe që mbajnë me vete.


Mua që e shkruaj më alarmon si i zënë në faj,

e ndjej peshën e ndarjes me një fije bar,

e dhimbja më bëhet vaj

nëpër damarë.


Bimëza e vogël thatimet,

tretet e thahet nga dielli

me trupthin e përtharë, me sytë larg nga qielli.


Trupthi i saj nderet mbi fije të tjera të reja,

larg trëndafilit në gotën e mbushur me gargara lotësh

një laraskë tek kthehet nga mbareja

glason mbi fijen e barit bërë trokëz,

dhe bimëzës i (ri)kthehet hareja.


Kjo fije bari na ndan. Muret

nuk kanë më kuptim në këto anë

ndaj askush nuk e dëgjon atë kur bëzan,

i janë dylluar veshët Botës…

… e unë e dëgjoj zërin e bimëzës që tkurret

edhe kur i përkulet me madhështi shiut të Londrës...


Një fije bari na ndan. Muri

Unë dhe mbulesat e çatisë

jemi nën një tarracë

flasim,

qeshim,

nuk duam të qajmë,

jemi bashkërisht të ndarë.


Tashmë më kujtohet nëna kur thoshte e lodhur nga halli,

„Bir, ne jemi thjesht fije bari…!“

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page