top of page

Fatmir Terziu: ÇAJNIK NË SELANIK

ree

ÇAJNIK NË SELANIK

Nga Fatmir Terziu

 

Mot të shkuar larg dhéut amë në Selanik,

Gjyshi im kishte blerë me flori një çajnik.

Gjyshja e mbante prej syve të saj mjaft larg,

ndërsa e shihte, shuk i bëhej vetja në bark.

 

Vinte Gjyshi dhe ajo e nxirrte enkas mbi oxhak,

buzëqeshja e dielltë menjëherë merrte flakë.

Mbi çajnik ishte pikturuar me shumë merak

me një pergamenë përrallore një vajzë.

 

Dukej sikur menjëherë dëgjohej një këngë

nga gryka e lëmuar ku çajniku derdhte lëng.

Në barkun e çajnikut dy majëza binin në sy,

e Gjyshja mendonte se Gjyshi përhumbej aty.

 

Një natë kur hëna e verdhë u struk mbi mal,

Gjyshja drodhi duart dhe e hodhi në mangall.

Gjyshi u ngrit menjëherë dhe futi duart në zjarr,

Grua këtë mëkat kurë s'kam për të ta falë!

 

E loti i zbriti me furi mbi rrudhat e fryra venoze,

u ul Gjyshja në gjunjë kërkoi falje krejt nervoze.

Gjyshi iu afrua dhe i pëshpëriti pa fjalë pompoze:

e di moj grua pse e bëre, je bërë shumë xheloze.

 

Jeta ime e gjysëmshekullt, shumë mirë të kuptoj,

por atë 'shtrigë' mbi atë çajnik tashmë dua ta harroj.

Qëkur hyri ai çajnik në këtë shtëpi midis nesh,

mustaqet e tua janë fryrë shumë, deng me lesh.

 

Gjyshi gati ngriu, mjekrra iu zbardh krejt fare,

sytë me tymin e mangallit bënin një lloj gare.

Atë çajnik e porosita vetë, se aty ishe ti moj grua,

ishte nga ajo fotografia jote që e mbaja me mua.

 

Ai që e pikturoi ishte një artist me emër të madh,

kur ia nxorra nga brezi im, ai vetë u vu në hall.

Po unë i qëndrova mbi kokë për disa javë

kur e mbaroi ai unë isha bërë një mur i bardhë.

 

Sa dëgjoi këto fjalë Gjyshja u mblodh një pikë,

zhyti duart në mangall dhe e nxorri atë çajnik.

E mori pastaj dhe më pas në atë orë të vonë,

nga ana tjetër e murit u dëgjua një britmë jehonë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page