
ZJARRI QË TË DJEG NË SY
Nga Fatmir Terziu
Rreth zjarrit. Sidoqoftë
në të gjitha format e tij, Njeriu
ka kohë të rrëfehet në vetvete nga zjarri
kohërat janë elementë kalimtarë
fundja sa vetë Njeriu nga halli
kupton Zeusin,
po aq mediton për Prometeun.
Shkon në vrimë të gjilpërës kjo punë,
në sytë e mi ka filluar të djeg
perin që përkëdhelte gjyshja
kur niste të qep
është e kotë mëdyshja,
mos mallko,
sytë janë punë zjarri,
pranë zjarrit koloviten ëndrrash
varur në telat e natës që pastrohet nga halli,
të mallkosh perin
thjesht është një ngatërresë
kur ti s'ia di thelbin.
Më mirë zgjoi mëngjeset në një shteg
se të mallkosh pa kufi,
zjarrin që të djeg
në sy.
KALIMTARET
Po terren. Zhurmërat
e ngadalësuara paralajmërojnë
veshët e gruas që i bën vend
pastrimeve të tjera,
fundja
punë rrobash, punë mbështjellash,
aty ku kullojnë,
harrojnë:
modën, markën, shumën,
po nuk i kujtove,
nga hallet, nga paret,
nuk të kujtojnë,
kalimtaret.
ERRËSIRA
E kush tha se ka humbur vetveten?! Gjumi
nuk është thjesht për të gjetur Tjetrin
askush,
si Askush,
nuk mund ta ketë në dorë,
por mund të sillet nëpër harresa,
sikur po rigjen përhumbjen
në këtë rast Ti zgjohesh,
duke humbur gjumin.
A e ke gjetur vetveten?!
Së bashku me zvarritjet e ideve
u bën vend dritëshkurtësive
në errësirën ku kërkon me mëditje,
rigjetjen e dritës së syve,
në këtë rrotullamë njëzetë e katër orëshe,
njëzetë e katër orë,
dhe prapë njëzetë e katër orë,
të pakohë, të pakorë.
E kush tha se e ka humbur vetveten?!
Fundja! Fundja!
A e ka pasur ndonjëherë në dorë?
Por të gjithë e pranojnë,
dritën,
se jo të gjithë kanë ditur ta shikojnë
errësirën.
コメント