Dollia e pikës së parë
Nga Fatmir Terziu
Bulëz pas bulëze në gotën e kristaltë
nga gudulisjet e ujta brenda,
një hapësirë e zënë dhe një tjetër e paqtë,
ngarkohet herë me dallgë e herë mbi vela,
në sytë tanë të mbushur me xixëllonja,
festojmë këtë ditë në këtë natë me drita të verdha,
sikurse festohet deri në orët e vona,
e trupat tanë bëhen të metaltë,
mbi buzë ka rënë zjarr,
në sy është një vullkan,
dehja qenka aq pranë,
rrethrotullohet treqind e gjashtëdhjetë gradë
e nis nga fillimi prapë
e prapë. Dehja thonë se të bëka tapë
me shijen e limontisë në këtë rast
mbushim gotat si me një kovë me litar
bie lëngu në gotën e saj,
nuk ka më fjalë,
duket një mot larg
nga rënia e paqtë në atë kristal
bulëz pas bulëze jemi me fat
buzët janë mjaltë.
Ngrejnë dollinë e pikës së parë!
Takimi i parë
Nga Fatmir Terziu
Ora. Kapërcen rrethoren e saj të zakonshme
pikënisjen, dy zgjatje ndryshe, sipas dimensionit,
fushën e bardhë, që ndan
ritmin e lëvizjes përbrenda,
duke imituar rutinën që mban,
puthjen e padiskutueshme tek dymbëdhjeta!
Me një ngjizje të ndjeshme, ose një pikëtakim,
të dy lëvizëzit i zë drithma ç'është e vërteta,
është si një garë ndoshta e paparë,
diku ysht një si shigjeta,
diku një tjetër digjet zjarr
në përhumbjen e mbushur me tantella,
lëvizja e dritës është si një magjistar,
zbërthen imagjinata të thella
në pak fjalë:
është dhe mbetet takimi i parë!
Shtegëtimi i (pa)parë
Nga Fatmir Terziu
Lepujt i mbajtën shpirtrat nëpër ferra edhe këtë verë.
Ndërsa retë u bënë shoshë nga ylberët
nata mbajti në gjirin e saj xixëllonjat si asnjëherë
t'u bëjnë dritë litarëve
të shirrave të shtëpisë.
Një tufë patash të egra kapërcyen liqenin e të marrëve
të shënojnë emrat në paradën e bukurisë.
Ne mbajtëm në sy mallin e të parëve
duke i bërë fresk vetes me librin e baballarëve.
E kuptuam se si një copë dielli
këputur në fresk e sipër nga ky libër
na rra si një rrufe qielli
e flokët na u zbardhën si në dimër.
Dhe menjëherë hyri perceptimi
bardhësi vitesh pa aritmetikë,
e gjithë mendja u kthye kazan vlimi
vetëm me një klik
në një muzg të përsosur shtegëtimi.
Shtegëtimet po shtohen edhe këtë mot.
Flokët si pyjet janë strukur nën hijeve e shkurreve
kanë frikë nga berberët e përkorë
lexojnë me lotë në sy Librin e Lutjeve
që digjet si një monedhë në dorë.
Ty të ndjeva me shpirt të malluar
si një zjarr që lexon në rini
më zgjove ashtu duke më përqafuar
siç e di ti,
libri kishte mbetur tek rrëmujat
një fletë e hapur të kishte mbetur në sy,
po shtegëtonin edhe statujat.
Comments