Fatmir Terziu: Ti je i Madh, edhe Ti je Gjigand
- Jan 28
- 3 min read

Ti je i Madh, edhe Ti je Gjigand
(Ndodhi, u pa dhe prandaj u shkrua e u tregua)
Tregim
Kryefjalësi i takimit ia dha fjalën të ftuarit. I ftuari e mori me kënaqësi. Jo se nuk e dinte se do të fliste, por tani nuk dinte nga t’ia niste. Nga letra e përgatitur në xhep, apo nga fjalët me llustra e me tegel, që i kishte provuar para pasqyrës së një hoteli pa emër. Salla u shtri përpara tij si një korridor i gjatë administrativ, me karrige të rreshtuara sipas një rregulli që askush nuk e kishte shpallur, por të gjithë e zbatonin. Dritat ishin aq të forta sa fytyrat humbnin konturet, bëheshin maska të buta, të bardha, me sy që vezullonin nga një pritje e paqartë. Në mur, pas tij, varej një parullë e madhe: TI JE I MADH, EDHE TI JE GJIGAND. Askush nuk e dinte kush ia kishte drejtuar këtë fjali kujt.
Ai u kollit. Kollitja u shumëfishua në mikrofon dhe iu kthye mbrapsht si një qortim. Ndjeu se fjala, sapo të dilte, nuk do t’i përkiste më. Do të bëhej pronë e sallës, e parullës, e një procesverbali të padukshëm që dikush, diku, me siguri po e mbante. Futi dorën në xhep. Letra ishte aty, e palosur me kujdes, por e rëndë si një dokument gjyqësor. Nëse e hapte, mendoi, do të ishte i vogël, nëse nuk e hapte, do të akuzohej se nuk kishte ardhur i përgatitur. Në të dy rastet, fajtor.
“Unë…” tha më në fund. Fjala e parë u ndal pezull, sikur të priste miratim nga parulla pas shpine. Ti je i Madh, dukej se i thoshte ajo. Prandaj flet. Edhe ti je Gjigand, prandaj duhet të thuash diçka që nuk mbaron. Ai vazhdoi të fliste pa qenë i sigurt nëse po lexonte apo po shpikte. Fjalitë nisën të zgjateshin, të lidhnin nyje të panevojshme, të kthenin pas vetveten. Disa njerëz tundnin kokën me seriozitet, të tjerë shënonin diçka në fletore bosh. Një burrë në rreshtin e parë u ngrit në këmbë për një çast, sikur të donte të bënte pyetje, por u ul sërish, i trembur nga mundësia se fjala do t’i jepej.
Sa më shumë fliste, aq më shumë ndjente se po zmadhohej. Jo fizikisht, jo ende, por në përgjegjësi. Çdo fjali e bënte më të lartë, më të dukshëm, derisa tavani iu afrua ballit dhe dritat filluan t’i digjnin shpatullat. Tani e kuptonte. Titulli nuk ishte lavdërim, ishte zakonshmëri salle, ishte gjendje përballë karrigeve bosh dhe buzëqeshjeve të atyre që ishin ulur. Të ishe i madh do të thoshte të mos kishe ku të fshiheshe.
Papritur, kryefjalësi i takimit iu afrua dhe i pëshpëriti. “Koha juaj ka mbaruar.” Por mikrofonin nuk ia hoqi. Salla vazhdonte të priste. Parulla vazhdonte të urdhëronte. Ai heshti. Heshtja u regjistrua menjëherë, u bë pjesë e procesit. Në atë çast, ndjeu se po tkurrej sërish, duke u kthyer në madhësinë e një njeriu të zakonshëm, ndërsa fjala, ajo që kishte thënë dhe ajo që nuk kishte thënë, mbeti pas, e madhe, gjigande, duke u endur në sallë si një krijesë administrative pa autor.
Kur u ul, askush nuk duartrokiti. Por askush as nuk u largua. Takimi vazhdoi, sikur ai të mos kishte folur kurrë. Vetëm parulla në mur, e lodhur, vazhdonte të përsëriste me zë të ulët, për këdo që do të ngrihej më pas: Ti je i Madh. Edhe ti je Gjigand.









Kjo letra në xhep seç ma kujtoi një barcaletë me Enverin. Paska shkuar në një mbledhje, mu si personazhi yt i tregimt, por me parulla shumë më të mëdhaja. E fut dorën në xhep, vëren se nuk e ka letrën. I thotë një bashkëpunëtori, dikush ma paska hequr letrën qellimisht nga xhepi. Fillojnë hetimet. Enveri e mban fjalimin me improvizim, si shumica e politikanëve tanë sot - pa këmbë e pa krye. Kur kthehet në zyrë, Enveri e sheh se e kishte harruar letrën mbi tryezë. E thërret bashkëpunëtorin dhe i thotë të mos i vazhdonin hetimet se letra kishte qenë mbi tavolinën e punës. Bashkëpunëtori ia kthen: Po, shoku Enver, deri tani tre veta e kanë pranuar veprën." Barcaletë…
Parrulla është koncetrati që duhet të konceptoj dhe të gëlltisë salla për secilin folës me fjalim të përgatitur ose jo!
Ka formalitete!
Urime Urime
Profesor Fatmir Terziu!
Ju pershendes i nderuar..e lexova me nje fryme. Nje tregim tejet domethenes. Me nje mesazh te qarte .Kjo ndoshta eshte ajo qe ndodh e nuk ndodh asgje ne nje shoqeri si jona ku dukja pompoziteti reklama eshte shume here me e madhe se ajo cka behet realisht. Kur fryrja tejkalon vleren reale...ajo shperthen!
U ndjeva në sallë. Nuk e di , duke mbajtur fjalen apo duke ndigjuar nga salla. Bukur.
Deliri e kalon gjithmonë masën e reales…shkrim që flet shumë.
Respekte!
Ju përshëndes