Fatmir Terziu: Shkrimtari Ibrahim Kadriu, “Nderi i Qytetit” të Gjilanit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 4 min read

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, “Nderi i Qytetit” të Gjilanit
Në historinë kulturore të një qyteti ka momente kur fjala institucionale dhe fjala artistike takohen në një pikë të përbashkët: mirënjohjen. Një moment i tillë u shënua në Gjilan, kur shkrimtari Ibrahim Kadriu u nderua me titullin më të lartë komunal, “Nderi i Qytetit”, një akt që tejkalon ceremonialen dhe hyn në hapësirën e domethënies kulturore dhe shpirtërore. Kështu Gjilani, qyteti i kulturës, kujtesës dhe qëndresës shpirtërore, sot u përkul me respekt përpara njërit prej bijve të tij më të shquar. Me një ceremoni solemne dhe me një akt të thellë mirënjohjeje institucionale e njerëzore, Komuna e Gjilanit nderoi shkrimtarin e madh të letrave shqipe, Ibrahim Kadriu.
Miqtë e letrave bëjnë me dije, se në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, çmimin ia dorëzoi Drejtori për Kulturë, z. Kushtrim Zeqiri, duke e shndërruar këtë akt në një gjest simbolik të përuljes së qytetit ndaj një krijuesi që, për dekada me radhë, i ka dhënë fjalës shqipe peshë historike, thellësi estetike dhe përgjegjësi morale.
Ky vlerësim vjen në vitin jubilar të 80-vjetorit të jetës së Ibrahim Kadriut, për të nderuar jo vetëm një opus të pasur letrar, por edhe një jetë të tërë të vendosur në shërbim të kulturës kombëtare. Fillimisht i ndarë me çmimin “Çelësi i Qytetit”, e më pas i shpallur unanimisht nga Kuvendi Komunal “Nderi i Qytetit”, shkrimtari u njoh zyrtarisht si një nga shtyllat identitare të Gjilanit dhe të letërsisë shqipe në tërësi me motivacionin: “Në nderim dhe mirënjohje të kontributit të dhënë në rrugëtimin e popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e në veçanti për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut dhe kombit përmes letrave shqipe.”
Pse themi është meritor

Ibrahim Kadriu është ndër ata autorë që nuk e kanë parë letërsinë si strehë estetike, por si mision kujtese. Tregimet e tij mbajnë brenda frymën e rrënjëve, romanet shpalosin dramën historike dhe shpirtërore të një kombi të goditur nga pushtimet, ndërsa refleksionet dhe portretet e tij krijojnë arkivin moral të një kohe që nuk duhet harruar. Teksti i tij nuk kërkon zbukurim – ai kërkon të vërtetën.
Në veprën e Kadriut, historia nuk është kronikë e ftohtë, por përvojë njerëzore. Personazhet e tij janë bartës të dhembjes kolektive, të rezistencës dhe të shpresës, duke e shndërruar letërsinë në hapësirë dialogu midis së kaluarës dhe së tashmes. Pikërisht për këtë arsye, ai mbetet një nga zërat më të qëndrueshëm të ndërgjegjes sonë kulturore.
Përtej letërsisë, Ibrahim Kadriu është ruajtës i zjarrit, i zjarrit të kujtesës, të drejtës dhe të atdheut. Ky zjarr këtë vit u përflak edhe një herë fuqishëm, përmes aktit simbolik të Nënës Stane – Stane Gashi (Nëna e UÇK-së), e cila ndezi flakadanin e Flakës së Janarit. Ishte një akt i pastër simbolik, që ngriti lart sakrificën, kujtimin dhe vazhdimësinë e rezistencës sonë kombëtare.
Këtë vit, dimensioni i kujtesës në veprën e tij u thellua edhe më tej me librin “Nëna e mbi treqind luftëtarëve”, kushtuar Nënë Stanës, figurës emblemë të sakrificës së nënave shqiptare gjatë luftës çlirimtare. Në këtë libër, Kadriu arrin ta ngrejë përvojën e dhimbshme kolektive në nivel arti, duke e bërë nënën jo vetëm personazh, por simbol të vazhdimësisë kombëtare. Nuk është rastësi që ky vlerësim i lartë institucional përkon me këtë akt krijues: të dy flasin të njëjtën gjuhë, gjuhën e kujtesës dhe dinjitetit.
Mbi të gjitha vlera
Të nderosh Ibrahim Kadriun do të thotë të nderosh vetë fjalën shqipe si mjet rezistence dhe vetëdijeje. Ai është një shkrimtar që nuk e ka lëshuar kurrë penën nga përgjegjësia morale, një autor që ka ditur të shkruajë për kombin pa retorikë, për lirinë pa patetizëm dhe për njeriun shqiptar me ndjeshmëri të thellë.
Ibrahim Kadriu është prej atyre krijuesve të rrallë që e kanë shndërruar fjalën shqipe në dritë. Vepra e tij e gjatë, e gjerë dhe e thellë përbën një univers të pasur artistik, ku historia, njeriu dhe dhembja jonë kolektive marrin trajta estetike të veçanta dhe të paharrueshme. Në tregimet e tij gjejmë rrënjët e thella të popullit; në romanet e tij shpalosen udhëtimet shpirtërore të një kombi që ka kaluar furtuna të rënda historike; në analizat, portretet dhe refleksionet e tij ruhen gurët e kujtesës mbi të cilët sot ndërtohet identiteti ynë modern.
Me shpalljen “Nderi i Qytetit”, Gjilani afirmon jo vetëm një emër të madh të letërsisë, por edhe vlerat mbi të cilat dëshiron të ndërtojë identitetin e tij kulturor: kujtesën, fjalën e ndershme dhe respektin për ata që i kanë dhënë kuptim historisë sonë shpirtërore. Në këtë kuptim, ky nderim nuk është vetëm për Ibrahim Kadriun. Është për vetë kulturën.
Kjo sepse, Ibrahim Kadriu është një penë që nuk është lodhur kurrë së shkruari për kombin, për lirinë, për njeriun shqiptar. Ai ka qenë dhe mbetet një udhërrëfyes shpirtëror, një kronikan i ndershëm i historisë sonë dhe një mbrojtës i palëkundur i vlerave kombëtare.









Comments