top of page

Fatmir Terziu: një bisedë në Kala të Elbasanit


Ndalesë për të rikujtuar …, një bisedë në Kala të Elbasanit


Nga Fatmir Terziu

 

Nuk e di a e keni provuar profecinë poetike? A u besoni fjalëve, zërave, zhurmave që lëshojnë gurët? Apo më saktë gurët e një kalaje?! Ndërsa e kishim kthyer bisedën në një hapësirë midis filxhanëve me „Express“ dhe vetë bisedës që na kishte përmbledhur vite të tëra në një, papritmas ndjemë pëshpëritjet që sjellin pikat e para që zbrisnin nga qielli, ndërsa temperatura shënonte rreth të tridhjetave, dhe të përplaseshin mbi gurë të lashtë, të yshtnin zëra dhe fjalë dhe të ndaleshin mbi librin me poezi të Përparim Hysit ku janë shënuar estetikisht „Lotët e Kumurisë“. Sytë e Ilinden Spasses, që kishte udhëtuar nga Tirana mbetën disi të shtangur. Dukej se dhe heshtja fliste…

Oh, çfarë poezie! Bota është çmendur nga papunësia, gripi i dreqit po na ndjek, ne ende nuk mund ta dëshmojmë veten në përditësinë tonë, gjërat më të domosdoshme po shkrihen si akullnaja në ngrohjen globale dhe fëmijët firmosin emrat e tyre në gjuhë e pa gjuhë rrugëve të botës! Kjo jetë është një garë, ju e dini! Makina të reja, veshje të shtrenjta, një paradë mirëqenieje, asgjë që mund të ishte e dorës së dytë dhe në vend të një etikete të importuar, për disa nga sytë tanë më me përvojë, një palë pishta shkëlqejnë mbi një tumbak lakuriq. E rëndësishme është të mbash hapin e kohës dhe poezia duket se ka mbetur pas saj. Si përherë, njerëzit duan diçka të shkëlqyeshme dhe cëcëritëse për të zemëruar konkurrencën. Dhe,… edhe për të shprehur shpirtëroren e tyre në gjuhë të tjera, sepse është ajka e edukimit verbal të këtyre ditëve, ku të gjithë janë të zhveshur të shesin pordhën e tyre përpara shoqërisë me një certifikatë të huaj.

Por kjo nuk është heshtje. Nuk është thjesht një dehje. Jemi tre. Unë, Përparim Hysi dhe Ilinden Spasse. Të tre kemi çfarë të themi. Por teksa presim profecinë e përshpirtjen e gurëve të Kalasë, na bashkohet dhe Ela, e famshmja dhe meritorja e sportit femëror në Elbasan, dhe jo vetëm si individualitet, por si fis e familje. Edhe gurët bëjnë pjesë tek „Lotët e Kumurisë“. Dhe kjo ndodh tashmë jashtë kapakëve të librit të Përparimit, ndodh në Elbasanin ku ai ka kryer studimet e shkollës së mesme në ish-Shkollën Pedagogjike, ose të ashtuquajturën „Normale“. Petovën e dashur të tij ku lindi dhe u rrit e mban thuajse në të gjithë tregimet e tij të larmishme plotë dritë, po aq sa kujton fëmijërinë, rininë, kohën kur studioi arsimin e lartë, kohën si inspektor arsimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arsimore në Fier e mjaft kohëra të tjera me shokë e miq, me bashkëudhëtarë dhe të tjerë të ngritur në formën më të mirë artistike në tregime e poezi, publicistikë e rrëfimtari. Dhe kështu udhëtoj me librin e larmishëm të tij… Unë i kthej ndonjëherë sytë librit si me një padurim. Dhe ua lexoj si heshtjen, si dhe memorjen të dy miqve të mi. Në një moment ata vetëm rrëfejnë… Dhe mua më duket se i janë qepur ashtu padashje vetë modernitetit.

E kuptova drejt filozofinë e modernitetit, apo jo? I frymëzuar nga mënyra e re e të menduarit në këtë mesditë të nxehtë gushti gjatë pushimeve verore në Shqipëri, kisha arsye të dëgjoja biseën, e më së shumti të dëgjoja dhe përparim Hysin, që kishte dhe ai një eksperiencë mërgimi në SHBA. Dhe kështu natyrshëm e dëgjoja… Përparimi kishte folur më herët, por aty ku unë e ndesha këputa vazhdimësinë, duke i kërkuar në heshtje pavëmendjes sime. Fliste…, ndjehesha i pushtuar nga një trishtim i pakuptueshëm. Nuk ishte asgjë e caktuar, veç se nuk mund të gëzohesha për përmbledhjen time të botuar me poezi, sepse të gjithë dhe kudo më bindnin se tani nuk ishte koha për poezi. Njerëzit ishin të hutuar nga kriza dhe askush nuk kujdesej për spiritualitetin. Për më tepër, sa para kushtoi në krahasim me dëshirat konsumatore të shqiptarit modern, një emigrant potencial.

Në një stol, në rërën e shkretëtirës së këndit të lojërave të shkretë, pashë figurën e huzuar me të korbit të një miku të vjetër. Një poet, shkrimtar dhe historian rajonal me rëndësi kombëtare, i shtyrë përgjithmonë nga të gjitha konjukturat e mundshme të metamorfozave letrare dhe politike vendase. Tashmë shtatëdhjetë vjeç, ky Don Kishoti i fjalës, para të cilit e nderoja me frikë alfabetike, nuk hoqi dorë nga lufta për Shqipërinë e tij - të pastër e patriarkale, siç e kishte mbajtur që në rini, në zemrën e tij të vuajtur, idealiste. Nga larg, mendja ime, e shtrembëruar nga asociacionet abstrakte, e krahasoi atë me një pikëçuditëse të paqartë, të hedhur jashtë përdorimit në komunikimin me tekst të bashkëkohësve të saj të rinj. U ula të bisedoja dhe tani po tregoja si bëj pazar dhe si është mbesa ime në top set në anglisht.

- Epo, unë jam ulur në këtë park dhe po pyes veten se kujt do t'i lë trashëgim bibliotekën time të madhe me libra të rrallë shqiptarë para se të vdes, tha miku im qetësisht.

Pastaj, me një ashpërsi të ringjallur Dhaskalësh të harruar të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai shtoi:

- Poezi, a shkruan poezi?! Kjo është gjithçka që më intereson.

- Epo - mërmërita dhe kuptimi im i ri u avullua në vapë si emetimet e dëmshme të makinave - kujt i intereson poezia tani?

- Më intereson - ia këputi poeti - që ti e di se edhe nëse mbesin pesë veta në këtë tokë, që janë të interesuar për poezinë, prapëseprapë ka kuptim të shkruash. je ti! Të gjithë mund të bëjnë pazar, por bëjini të vizatojnë një varg për ju dhe këta blerës do të mbeten pa fjalë. Pse po e varros talentin tënd me gjëra, kot? A ju mungon shpirti për të kujtuar se kush jeni?

I dashur mik, i dashur poet i „Lotët e Kumurisë“, sot, mijëra kilometra e orë larg asaj pasdite të nxehtë, shkruaj këto rreshta dhe varg pas varg nxjerr shpirtin nga grumbulli i shitjeve, uljeve speciale, zbritjeve dhe blej një dhe „merr“ një falas. Dhe së bashku me këtë shpirtin tim ballkanik të integruar, të globalizuar, të britanikizuar dhe të majmunizuar, tërheq në dritë Shqipërinë, Shqipërinë tuaj, Shqipërinë tonë, që na pret të shkretë të paktën në pushime, për t'u kthyer dhe për ta lumturuar me pak vlera shpirtërore. Edhe unë po shkruaj këtë poezi. Mund të mos ju arrijë, por një nga ata tre a pesë, dashnorët e fundit të poezisë në tokë, mund ta lexojnë dhe të thotë me vete sa e bukur është gjuha shqipe dhe sa ka kuptim të jetosh duke e përjetësuar atë dhe në varg:

 

Gjuha ime

 

Dhe gurët e Kalasë burrërohen. Zgjasin

mustaqet e tyre të picërrojnë gjuhët

i mërmërisin dashurisë së vajzës që ulet

dhe flet me të dashurin në celular,

ndoshta diku larg,

i këndojnë kumurisë që kalit zërin mbi Kala

i dëgjojnë ninullat një gjysheje me flokët e bardhë,

e pastaj,

pastaj e kanë radhën gurët e Kalasë,

është e mprehtë dhe e ndjeshme gjuha e tyre sa e saj.

I marr hua fjalët e tyre rreth kësaj teme,

i ngroh ato në furrën e zemrës sime

dhe i kthej në copa diamanti në formë zemre.

104 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page