top of page

Fatmir Terziu: Ibrahim Rugova, një forcë intelektuale e natyrës më të përsosur politike


Ibrahim Rugova, një forcë intelektuale e natyrës më të përsosur politike

 

Nga Fatmir Terziu

 

Pranimet e vonuara, sikurse u dëgjuan në Prishtinë, janë një kujtim i palëkundur ndaj një politikani të guximshëm të ardhmërisë së Kosovës. Kështu Dr Ibrahim Rugova nuk është një mesazh në një fletore hartimi, por një lexim i dekoduar në një themel shenjtërimi të shqiptarisë. Pra, Ibrahim Rugova, kritiku i shkëlqyer shqiptar dhe komentatori profesional i letërsisë dhe krijimtarisë letrare, tashmë i kthyer në një mit të politikës më të suksesshme, që ka njohur Kosova, që nga koha kur ai nisi lëvizjen e tij politike dhe u bë Presidenti i Parë i Kosovës, i ka kthyer të gjithë oportunistët dhe kundërshtarët, po aq zhurmëtarët dhe heshtakët në një podium ku shihet themeli i një shenjtërimi, dhe jo thjesht ku lexohet një fletore hartimi. Rezultati, “Rugova dhe perëndimi”, është një kujtim magjepsës, aq sa nëse Ibrahim Rugova do të ishte një personazh në një betejë dhe angazhim kaq të madh politik, nuk do të besoje se një person i tillë mund të ekzistonte në jetën reale. Ka një detaj tërheqës, ose rrotullim unik në çdo faqe të historisë së tij angazhuese, sa në art të letërsisë, po aq dhe në art të politikës. Këtë nuk e bëri thjesht Lidhja Demokratike e Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, që mbajti konferencën ndërkombëtare me temën “Rugova dhe perëndimi”, por e bëri Podiumi ku folësit në një zë ngritën lart emrin dhe veprën e tij.

Historia e Ibrahim Rugovës është një rast klasik i shumë gjërave që kalojnë dhe vijnë shpejt. Intelekti i tij i jashtëzakonshëm e solli atë në kulmin e akademisë dhe suksesit intelektual që në moshë të re. Në të njëjtën kohë, ai kishte një oreks të kontrolluar edhe për patriotizmin, edhe për shqiptarinë, edhe për vlerat që i bashkojnë të dyja, gjë që e la përkohësisht në një mjedis ku ata që nuk e kuptuan atë atëherë kur ishte gjallë, sot e ngrejnë në një kënd më të lartë se ata që e njohën në fakt. Ndërsa e gjithë kjo po ndodhte, shkrimet e tij, kritikate e tij, idetë e tij në të gjitha fushat dhe vëzhgimet e mëdha shoqërore i dhanë atij lavdërime të ndezura si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta. I rrallë është intelektuali që mund të përjashtohet në një kohë, dhe më pas të pranohet përsëri në tufë nga të dyja anët e spektrit politik. Por kjo ishte një nga dhuratat e Ibrahim Rugovës, që në fakt nuk ia dha vetë vetes, por tërë sppetrit politik, edhe kur në kampet me të ardhur nga Shqipëria bërtitej masivisht, „Berisha Rugova- Shqipëria-Kosova“, edhe kur sot i kujtojnë se ishte Presidenti pa pallat dhe komb. Pra, edhe kur Kryeministri i Shqipërisë, që mori sot çelësin e Prishtinës, nga Kryetari i Komunës, arkitekti me emër, Përparim Rama, e rikujtoi citimin e Kadaresë, “Rugova, politikan pa pallat e pa komb“, pikërisht në Prishtinë për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Gazetari i emisionit „Opinion“ të TV „Klan“ dhe autor i disa librave, Blendi Fevziu, ka folur rreth rolit të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, rreth ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Fevziu tha se Rugova “krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur”.

I lindur dhe i rritur në një plejadë historike dhe domethënëse për të gjitha kohërat, sikurse dihet ai ishte pika e parë e një zëri të pjekur që u ngrit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Me këtë zë u zgua tërë shqiptaria, me këtë zë u ushqyen këndet e ërrëta dhe nisi dalja nga izolimi i plotë në territor, në një publik ndërkombëtar në kancelaritë evropiane. Është i pari vizionar që nuk ua shtriu dorën të tjerëve, por me idetë e tij largpamëse arriti të bëjë bashkë të gjithë shqiptarët që ishin larg tokës mëmë të bënin „hallall“ kursimet etyre dhe si një formë detyrimi shpirtëror dhe ligjor, ai e ktheu në një shërbesë hyjnore pagesën për Kosovën, që në atë kohë quhej taksë e Kosovës. Ai ka vlerën e tij absolute dhe tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës që pa rezistencën paqësore dhe organizimin e shqiptarëve nuk do të kishte dalur për të qenë më pas një sukses. Dhe nëse rruga u hap për një Kosovë të Pavarur, lapsi i mprehtrë nisi në mendjen dhe në dorën e Rugovës.

Në atë kohë, dhe sot në Kosovë, dhe në mjedisin shqiptar, dhuntitë intelektuale të Rugovës qëndrojnë si një manifest. Rugova e kuptonte ekonominë dhe mënyrën se si ajo lidhej me botën reale, së bashku me talentin e pazakontë për të komunikuar ide komplekse në mënyrë të kuptueshme, si në të shkruar ashtu edhe në të folur për mjaft fusha, dhe po aq dhe për poltikën. Pasi kishte përfunduar doktoraturën, ai u transferua me mendimin e tij të pjekur në thellësi të vlerave, ku u bë një nga superyjet akademikë të mjedisit ku jetoi dhe u angazhua në fushën e kritikës. Artikujt e tij u botuan në revistat më të mira, ai ishte i dashuruar me laureatët e Nobelit dhe ishte i kërkuar kudo si njeriu intelektual me vlera të papërsëritshme. Në pak më shumë se një dekadë, ai u zhvendos nga rrugët e mendimit të thjeshtë teorik në majat e akademisë së kohës që jetoi. Aftësitë e tij mbresëlënëse dhe intelekti i fuqishëm ishin përgjegjës për ngjitjen e tij, jo thjesht situata e tij.

Rugova konsiderohet nga shumë njerëz si ne plus ultra i institucioneve akademike, por politika e kohës dhe xhelozitë që konsideroheshin të egra, nuk e zvetënuan dot. Lexuesit dhe kritikët, politikanët dhe analistët, të vetëdijshëm për politikën specifike të Rugvës, mund ta lexojnë këtë konferencë të mbajtur në Prishtinë si një Libër të Shenjtë të sapohapur për Publikun për njeriun që dha dhe ende jep shumë edhe pas vdekjes, dhe kjo gjithnjë në varësi të pikëpamjeve të tyre. Lexohet më mirë si historia e një njeriu jashtëzakonisht të talentuar dhe serioz me keqkuptime të stisura në një pakohë. Duke parë pas në jetën e tij, ai e kthen vëmendjen e tij në mënyra të ndryshme te besnikëria, familja, ambicia, vetëdija, Pavarësia, Liria, dhe, natyrisht, Kosova.

Gjatë gjithë pranimeve të Konferencës, në mendje vjen thënia e famshme e Sokratit, "Jeta e pashqyrtuar nuk ia vlen të jetohet". Dr Ibrahim Rugova e ka shqyrtuar jetën e tij të mrekullueshme në detaje për përfitimin tonë. Të rinjtë dhe të moshuarit do të bënin mirë të lexonin vëzhgimet e tij për botën reale dhe të prekshme që krijoi për njohjen e Kosovës, por që më pas e zotëroi përfundimisht si një intelekt i dalë një forcë intelektuale e natyrës më të përsosur politike.

56 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page