Fatmir Terziu: Historia dhe rrëfimi si diskurs në romanin „Mallkimi“ të Shpendi Hulësi Topollajt
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 4
- 4 min read

Historia dhe rrëfimi si diskurs në romanin „Mallkimi“ të Shpendi Hulësi Topollajt
Nga Fatmir Terziu
Romani “Mallkimi“ ndërton një univers narrativ ku kufijtë midis përvojës private dhe historisë së madhe shoqërore treten gradualisht. Topollaj nuk e përdor historinë thjesht si sfond kronologjik, por si mekanizëm formues të fatit, vetëdijes dhe ndërgjegjes së personazheve. Historia, në këtë kuptim, është një diskurs i dytë, ku definohet si i pranishëm, ngulmues dhe shpesh i padukshëm, por që bashkëjeton dhe polemizon me rrëfimin e përditshëm. Nisja me përshkrimin e jetës rurale në Metallaj është e qëllimshme: „Jeta në fshatin Metallaj, vazhdonte me të njëjtën monotoni…Njerëzit, të lodhur nga punët e rënda të një dite më parë, zakonisht, zgjoheshin me pulat. Gratë, hynin në hajat dhe pasi ndiznin shpejt e shpejt zjarrin me drutë e vendosura mbi demiroxhak, shkonin në vathë, dhe milnin bagëtitë.“ (Topollaj, fqja 9)
Autori ndalon me shkas ku pena e tij fiksohet tek monotonia, ritmi ciklik i punëve, rendi patriarkal dhe ritualet e zakonshme krijojnë iluzionin e një bote të mbyllur, të pandryshueshme. Por ky “stabilitet” rrëzohet sapo futet dimensioni historik. Dhe ky është diksursi ku del thelbi me shpallja e pavarësisë dhe trazirat, luftërat dhe pushtimet, rebelimet e brendshme, tradhtia, hakmarrja dhe arbitrariteti i dhunës. „Atë ditë Nëntori që Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin dhe atdhetarë të tjerë, zbritën në Durrës, me synimin që ta ngrinin flamurin në këtë qytet, Rexhepi, e përjetoi rrëmujën dhe çoroditjen që shkaktonte injoranca e turmave dhe intriga e dhespot Jakovit.“ (Topollaj, faqja 14)
Pra, historia hyn në mjedisin e narrativit, jo thjesht si narrativë heroike, por edhe si forcë, ku dikton dhe ajo përçarëse, që përzien injorancën, manipulimin dhe idealet e thyer. Personazhe si Rexhep Metalla përjetojnë historinë jo përmes koncepteve politike abstrakte, por përmes frikës konkrete, përgjegjësisë familjare dhe dilemave morale. Në këtë mënyrë, romani i jep historisë një karakter tragjik-ekzistencial: ajo nuk është vetëm kujtesë e ngjarjeve, por rrjedhë e pasojave që formojnë karaktere, besime dhe faj.
Me këtë rrjedhë, Topollaj ndërton një rrëfim me shumë shtresa, ku dominojnë kronika, kujtim, dëshmi, thashetheme, legjendë familjare, madje edhe reflektim filozofik. Kjo shumëzoni zërash krijon një polifoni narrative ku e vërteta nuk imponohet, por negociohet. Diskursi diktohet nga Kohëzgjatja, ku ndjejmë kalimet nga përditshmëria e fshatit tek luftërat, nga drama familjare te udhëtimet moderne me avion, krijojnë një efekt “shtrëngese”, historia personale shtrihet mbi dekada dhe gjenerata, duke bërë që trauma të trashegohet.
Më tej narrativi na shpie tek Fokalizimi, pasi rrëfimi nuk qëndron vetëm mbi një qendër vetëdijeje. Ai zhvendoset mes personazheve (Rexhepi, Manushaqja, brezat pasues), duke na lejuar të shohim se si e njëjta ngjarje merr kuptime të ndryshme sipas pozitës shoqërore dhe emocionale. E më tej diskursi etik ngacmohet nga rrëfimtari ku ai nuk moralizon hapur, por vendos skena ku lexuesi detyrohet të gjykojë. Dhuna ndaj Manushaqes, mitologjizimi i ujit të Zemzenit, fanatizmi politik dhe injoranca popullore marrin dimension kritik pa retorikë të zhurmshme. Rrëfimi, kështu, bëhet akt i interpretimit. Secili personazh tregon për të tjerët, për veten dhe për historinë, duke e rindërtuar atë çdo herë ndryshe.

Titulli “Mallkimi“ tërheq vëmendjen te dimensioni fatalist. Themi kështu se dalin në pah ngjarjet historike, që nuk perceptohen si proces emancipues, por si zinxhir ndëshkimesh dhe keqkuptimesh. “Mallkimi“ nuk është vetëm besim metafizik. Ai është është metaforë për një rend patriarkal që riprodhon dhunën, por dhe për hakmarrjen si ligj i heshtur social. Gjithashtu si shtysë mbetet edhe për shtetin dhe pushtetin që shfaqen gjithmonë si të huaj, dhe për një histori që, duke mos u përvetësuar kritikisht, kthehet në barrë.
Varri nën selvi, dashuritë e pamundura, degdisjet, largimet, pothuajse që të gjitha konvergojnë në një ndërgjegje kolektive të plagosur. Historia bëhet kujtesë e pashuar e dhimbjes, ndërsa rrëfimi përpiqet ta shndërrojë këtë dhimbje në kuptim. Në këtë pikë, romani shkon drejt asaj që në kritikën bashkëkohore quhet historiografi imagjinare, pasi historia rishkruhet nga perspektiva e njerëzve të zakonshëm, jo nga tribunat zyrtare.
Kalimi nga skenat rurale te aeroporti “Nënë Tereza”, nga varret te kështjella e Petrelës, shënon ndryshimin e kronotopit hapësirë-kohë. Romani vizaton tranzicionin shqiptar nga izolimi te globalizimi, pa e idealizuar asnjërën anë. Diaspora shfaqet si mundësi, por edhe si humbje. Brezat e rinj vështirë ta kuptojnë peshën e historisë që i ka formuar paraardhësit e tyre. Pikërisht ky hendek është një nga tensionet qendrore të diskursit të romanit.
Teksti përdor elemente dokumentare, si ngjarje historike, data, referenca reale, por i përthith ato në një strukturë metaforike, ku dominojnë selvia, uji i shenjtë, varri, udhëtimi, qetësia e fshatit. Kjo ndërthurje krijon një diskurs të dyfishtë. Në këtë mënyrë diskursi mbetet referencial, i besueshëm, i rrënjosur në realitet, simbolik por dhe i hapur ndaj leximeve filozofike. Rrëfimi sugjeron se historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur, por ajo që kujtohet, tregohet dhe shpjegohet në mënyrë të përsëritur. Kështu, romani problematizon vetë aktin e tregimit, pra kush ka të drejtë të flasë për historinë?, dhe çfarë ndodh kur historia reduktohet në mit apo thashethem?
Tek romani “Mallkimi“, lexon shumë nga një penë që di të shkruaj bukur, dhe që di të shtroj diskursin se historia nuk shfaqet si muze i fakteve, por si diskurs i gjallë që depërton në intimitetin e jetëve njerëzore. Rrëfimi funksionon si tentativë për t’ia rikthyer historinë njeriut të zakonshëm, duke e zhveshur nga patosi ideologjik dhe duke e lexuar përmes traumës, etikës dhe kujtesës. Në këtë mënyrë, romani i Topollajt realizon një dyfishim të rëndësishëm. Romani i këtij shkrimtari të suksesshëm shqiptar mundohet që historinë e kthen në përvojë, jo në kronologji dhe rrëfimin e kthen në mjet reflektimi etik, jo në thjesht rrëfim ngjarjesh.
Kjo e bën “Mallkimi“- n një tekst ku narrativja private dhe historia kombëtare ndërthuren në mënyrë të pandashme dhe ku diskursi letrar bëhet akt i rikthimit të dinjitetit të kujtesës. E kush më mirë se Shpendi Hulësi Topollaj mund ta bënte këtë. Dhe kjo si një kërshëri brenda meje ekziston që nga koha kur unë e mora në dorë këtë libër, si dhuratë nga vetë autori, ndërsa Panairi i Librit në Durrës shtronte në stendën e ndërtuar profesionalisht prej poetit Aqif Hysa, librat e mi mes qindra autorëve të tjerë.









I dashur mjeshtër Fatmir! Të shpreh gjithë konsideratën time për analizën që i ke bërë romanit tim "Mallkimi". Mbetesh një shembull i paarritshëm i shpirtmadhësisë, përkushtimit, por sidomos, edhe i dijes. Mesa duket, për të tillë njerëz e kishte fjalën Balzaku kur thosh se "Për të qenë zotnia i dijes, duhet të jesh skllavi i punës". Dhe një punëtori të letrave si ti (dhe kjo është puna më e vështirë), pra një njeriu, një intelektuali, një shkrimtari që udhëhiqet nga ideale të pastra atdhetare, historia do t`i japë vendin që i takon. Latinët kishin një shprehje interesante: "Sapiens nihil afirmat quod non probet" që do të thotë se "I dituri nuk pohon asgjë që nuk mund ta provojë". Dhe ti…
Ju lumtë dora, i nderuar Fatmir, për këtë vështrim të thellë, mbi vlerat artistike të romanit Mallkimi ", të shkrimtarit te njohur Shpendi Topollaji Eshte vertete ashtu siç thoni ju, autori ka ditur të ndertoj një univers narrativa, ku Histori nuk përdoret si vetëm si sfond, por shkrihet e tëra me fatet e personazheve dhe fateve të tyre