top of page

Fatmir Terziu, “Blirët e Pejës” dhe letrat shqipe në një kënd tjetër


Bajram Dabishevci: Fatmir Terziu, “Blirët e Pejës” dhe letrat shqipe në një kënd tjetër


Hyrje


Romanin më të ri, “Blirët e Pejës”, të shkrimtarit Fatmir Terziu pata rastin ta kem në dorë tani, ta lexoj, rilexoj dhe ta shijoj madje familjarisht. I ardhur enkas në postën time nga Amerika, tashmë gjendet si një thesar në Bibliotekën time, por edhe në memorjen time që do të flasë gjatë. Kështu ndjeva si fillim të kapërcej hijet e pas-hijet që zbulon “Blirët e Pejës” e këtij shkrimtari që ka këndin e vet letrar tashmë në sfondin shqiptar e më gjerë. “Blirët e Pejës” nuk është thjesht interes letrar, apo narrativ, por një ‘monument letrar’ në skenën letrare shqiptare. Për këtë natyrisht do të ndalem më poshtë.


Narrativi në skenën e gjakut të dukshëm e të padukshëm


Tema, gjendja e shqiptarëve nën kolonializimin e Jugosllavisë së paraluftës së Dytë Botërore, por që sundonin kryesisht serbët. Gjendja e lokalizuar në Pejë, nën penë të rysur të këtij autori, por dhe me ndihmën e materialit me bollëk që kishin damkën e shtetit serb, edhe nën djallëzitë, kështu, të paimagjinuara të shqiptarofobëve, serbëve. Nga ngjarja do ta bëjme një shmangje, por po themi, se romani nis me fate individësh e familjesh dhe përfundon me pamjen kur personazhet serbë të mbetur në skenën e gjakut të dukshëm e të padukshëm që kutërbon krim shtetëror. Ata, në fund, i thonë njëri-tjetrit se këtu po ndahen. Si për cinizëm, këtë ia thotë tjetrit, ajo si figurë e drejtësisë, I. Petroviçi.

Lënda, narracioni, shtrihet në formë pothuaj postmoderne të kombinuar me klasiken, ku veçoria terziane, tashmë në letrat shqipe të hapësirës shqiptare e më tej bën leksionin e duhur. Tre romanet e tij të para “Grykës”; “Bunari” dhe “Kojrillat” janë ndër më të vlerësuarat e kritikës dhe analistëve shqiptarë. Në këtë roman pak më hapur se tre të tjerët, vërehet një masë mirë e pranishme e gjuhës metaforike dhe figurat e pasazhet poetike hera-herës janë me shije.

Autori Terziu ka kujdes edhe për të mos krijuar tepri alogjike së daluri jashtë rrethanave të kohës. Mund të punohej më shumë në tipizimin e personazheve, por ato edhe pse janë racionuar sipas stilit terzian, kanë një menu të bollshme letrare. Mund të shtrohej lënda ca më me intrigime e jo veç linjës horizontale, në një kapërcim të cilin autori e pëlqen ta bëjë jolinear, që në këtë rast intrigon së miri. Mund të krijoheshin paraprakisht hije e frymë pak si të padukshme për arritjen e motivimeve të veprimit të secilit nga personazhet.


Fantazma e motivimit


Gjithësesi, me këtë shfaqet ajo që nganjëherë quhet, fantazma e motivimit. Vetëm ta përmend se qe botuar, veç të tjerash, edhe vepra shkencore, edhe një doktori shkencash të historisë, Dr. Milovan Obradoviç: “Agrarna Reforma i Kolonizacija na Kosovu 1918-1941” Në të janë regjistrat, vendbanimet, familjet, individët e varg ngarje, krime, plane, projeksione shfarosëse deri në finalen e zhdukjes së shqiptarëve nga trojet e veta, nga koha kur në mënyrë masive po sillnin serbë e malaziasë në Kosovë. Po rrëmbenin toka, po vritnin pronarë shqpiptarë të tokave.

Gjithsesi është për çdo lavdatë pena e shkrimtarit, kritikut dhe studiuesit të mirënjohur tashmë, Fatmir Terziu, që kapërthurët këtë monstrum nga më gjakpirësit e historisë së shqiptarëve të Kosovës është sukses i radhë, vlerë e radhë e patrajtuar kaq duhur, bukur dhe motivueshëm në një stad kohor të tillë për fatet shqiptare. Më kujton familjen Golovliov (Gospoda Golovlyovy, Господа Головлёвы) që është një roman i shkruar nga Mikhail Saltykov-Shchedrin, në rrjedhën e pesë vjetëve, botuar së pari në 1880 nga shtëpia botuese “Alexey Suvorin”, dhe që konsiderohet si vepër e madhe letrare e letërsisë. Me këtë prurje dua të sugjeroj se Terziu është një figurë fare e lartë e ndërgjegjes estetike, dhe kjo vepër dëshmon katërcipërisht këtë. Kësisoj romani na jep këtë sublimë: Fatmir Terziu, “Blirët e Pejës” dhe letrat shqipe në një kënd tjetër.

Bajram Dabishevci,

Shkrimtar dhe analist

Prishtinë.

29 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page