top of page

Faqja „atentatore“ e Historisë… vazhdon





E kështu ndodh… Kështu! Lë mënjanë një punë dhe fap të vjen menjëherë ajo që s'duhet ta kesh gjithë kohës. Tronditesh! Tjetri në krahun tënd pyet dhe ti e hesht pyetjen e tij duke e tretur vetvetiu me një tundje koke… Ndërsa ai ngulmon përgjigjja është e thjeshtë, „Ja dikush nga Atdheu, atje tej afër humbështisë së kaftë e të avullt të mëngjesit…, më mbushi me ambushti, dihamë troshame, asfiksi të momentit …dhimbje! Gjasat janë për të qenë të përhumbur, të dehur me arritje dhe rezultate, të zverdhur nga sukseset e dehjes origjinale, se esëll nuk do të gjindemi dot më në historinë e popujve të tjerë të zhvilluar, nuk do të na duhet të mbetemi si kërkimi i pagjendshëm në arkeologjira, folklore, histori dhe… fundja do mbesim sikurse jemi me shpresën e madhe tek e ardhmja, tek Zoti, tek fati ynë … Fundja jemi në ekzistencën tonë..., pranë dhe krah Tjetrit.

Dhe Ai, pra Tjetri ngre supet, habitet…. Kushedi se çfarë mendon me vete. Një nismë konkrete?! Po rakinë them e kemi me vete, rakinë ky a e din sa e pinë, a e njeh Historinë? Kushedi sa duhet, e sa do të na duhet të pimë që të dimë … pra për të mësuar Historinë! Dhe në fakt Historinë, e halleve tona, telasheve tona, problemeve tona, që na i kanë qarë të Tjerët, e pastaj Historinë që na e kanë shkruar të Tjerët! E kujtojmë nga faqet e Historisë Princ Vidin dhe heshtim. E kërkojmë nëpër faqet e arkivave Ismail Bej Qemalin duke kërkuar një të huaj për Fronin e Shqipërisë dhe heshtim. E kërkojmë atentatorin në Paris, atentatorin në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Shkup, Kostandinopojë, e heshtim. Flasim vetëm kur na duhet të shfletojmë Historinë me pishtin e pështyrë nga të Tjerët. Të Tjerët janë të huajt tanë të dashur. E me ta e kemi gatuar dhe Kanunin, Ligjësinë tonë të moçme, ku shkruajmë se „Shtëpia e shqiptarit, e mikut dhe e Zotit“. E ne jetojmë, vazhdojmë të shpiem jetën tonë në një pikë me traditë dhe zakon(!?)

Jetojmë në një kohë me halle të ndryshme. Halle?! Telashe…, probleme, probleme me shëndetin, me moshën e njerëzve tanë të dashur. Me mjaft gjëra të tjera. A thua nuk kanë qenë gjithnjë mes nesh? Diçka që ndodh…. Dhe themi të gjithë kemi halle, telashe, shqetësime, probleme të përbashkëta. Është një pikë që na bashkon tek të gjitha. Një fëmijë ka nevojë për një të rritur. Ata kanë frik të qëndrojnë vetëm. Kanë frikë dhe … shqetësohen me dashje dhe pa dashje. Një gjë e çuditshme jo e qetë, i mundon ajo që mbetet e quajtur „s'duam telashe!“ Ata ikin prej tyre. Të qeshurit në qoshe janë telashe. Ata s'tremben lehtësisht. Ata nuk duan të përballen. Ata thjesht mendojnë se është edhe kjo e një faze. Një gjë e çuditshme, e qetë e quajtur telashe. Dhe ne i shikojmë në sy. I ndjekim në lëvizjet e buzëve. I dëgjojmë në rrahjet e zemrave. E dimë nuk i duan më telashet.

Ne kështu mësojmë prej tyre. Dhe ne na duket se dinim për "telashet" gati për shumicën e jetës sonë. Ata ishin aty përpara se ne të lindnim. Por, për të folur për "telashet" për ata që nuk e dinë, ata nuk mund të shohin që vendi ynë është copëtuar. Yjet tona të muzikës këndojnë këngë gjuhë të huaj, nuk qëndrojnë më në tokën për të cilën të parët tanë kanë luftuar. Ata bëjnë para, ndërsa ne duartrokasim. Ata na nderojnë. Janë Ambasadorët tanë! Ndërsa ne jetojmë, marrim frymë dhe flemë duke parë ëndrra se si jetojnë ata gjithë natën. E ne jemi mes tyre, jemi mes yjeve. Dhe pse kemi kohën e tillë të ndarë, prapë yje të tjerë na sillen vërdallë…

Ata janë Yjet tanë. Edhe kur i kemi, edhe kur s'i kemi pranë, edhe kur dëfrejnë e na bëjnë me krenari në darkat e mëdha e të bollshme me të Tjerët. Pranë tyre jashtë efektit ka mbetur vetëm një grimë e paqtë e respektit. Dhe ata duan vetëm Respekt. Kush i respekton e duan shumë, e për të shohin ëndrra të bukura me lutje Hyjnore në gjumë. Ata, njerëzit tanë të dashur janë papushim në beteja. Beteja të reja. Beteja e tyre vazhdon ende, por jo si më parë. Është një luftë që bëhet nën tokë. "Problemet" mbeten dhe do të mbeten përgjithmonë.

Dhe ne lutemi edhe për të vdekurit, edhe për ata që gjithnjë gjinden dhe janë përreth. Përreth kemi miq të vërtetë. Ata të japin dhe meritojnë Respekt. Është një pikë që na bashkon tek të gjitha. E gjitha kur ndjehet dhe e ndjen! Kur e dnjen se si është dhimbja reale, kur e ndjen se si është e pikuara e lotit, ajo pika dhimbëse e dashurisë origjinale. Ajo pikë që përmbyt nga dhimbja fusha, kodra e male. Ajo, pra dhimbja e madhe. Për atë nuk shkruan Historia, në atë faqe nuk ka vend të shkruhen për dhimbje të tilla dhe halle. Në Trebisht të Gollobordës në të gdhirë të ditës ndodhi një aksident rrugor. Një ngjarje e rëndë, ku rreth orës 17:00 të kësaj të mërkure, një makinë, ka rënë disa metra poshtë rrugës, e si pasojë ka ndërruar jetë një 17-vjeçar, si dhe është dëmtuar rëndë një tjetër 20 vjeç.

Jeta e humbur e shtetasit shqiptar F. P., 17 vjeç, dhe dëmtimi i rëndë i shtetasit E. T., 20 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital, natyrisht janë një nga qindra tragjedi të këtilla që vijnë nga mungesa e infrastrukturës rrugore dhe nga mijëra e arsye të tjera që lidhet me neglizhencat njerëzore. E këtu në këto tragjedi Historia nuk ka fletë bosh. Nuk ka gishtin dhe pështymën e Tjetrit, as të atij që sot do të jetë kryeradhë në Atdhe, pasi do të takojë Lulzim Bashën, Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën. Kjo nuk është për ditët e sotme, kjo është për ditët e tjera me një pikëpyetje në rritje për të nesërmen. Me një pyteje që vjen për këta banorë të kësaj zone, që nga halle, probleme e dhimbje të tilla enden rrugëve të mëdyshjes identitare, duke rikujtuar këngën e kënduar në kopshtet e diktaturës „kam dy nëna o fëmijë, një në kopësht e një në shpi“…, ku njëra është ajo që nuk përkujdeset aspak në këta tridhjetë vjet, e tjera ajo që i jep pasaportën për të braktisur vendlindjen dhe identitetin.

E kështu ndodh… Kështu! Lë mënjanë një dhimbje dhe fap të vjen menjëherë ajo që duhet ta largosh tutje gjithë kohës. Dhimbje me lotë në sy. E fundja kush po ta sheh lotin tënd Ty! Dhe Ti pret diçka të rregullohet, të investohet, të ndryshohet… E dhimbja e tillë vazhdon të shtohet, e të shtohet. Faqja „atentatore“ e Historisë… vazhdon të metohet. Vazhdon të promovohet. E zemrat shqiptare me qindra shekuj gen amëtar digjen në zjarr. Deri kur?!


24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page