Fëmijëria
Fatmir Terziu
Grindja lozanjare, xheloze, më shpërthen në zemrën time
me çdo goditje tumpana fjalësh, që më bien në vesh
një jehonë gazmendi dhe ndryshimi derdhet në venat e mia
duke bërtitur ato fjalë shigjerbëse, që dikur kishin kuptim të strukur
retë e errëta u derdhën dhe shpërtheu një stuhi e fortë
në të cilën m'u lanë lotët…
Dhe,
edhe një herë u ngrys bardhë e zi dhe u përthye malli
brenda fotografisë,
zemra u kthye në furrë
me atë moshë.....që ishte i imja
dikur…
Shënim: Ne të gjithë e duam një udhëtim të mirë në korsinë e kujtesave (me kusht që ato të jenë lloji i mirë i kujtimeve!) Dhe një ditë kujtohemi. Bëhemi të penduar që nuk e kishim mundësinë për ta pasur një të tillë. Nuk e kemi realizuar?! Dhe ndjehemi të humbur. Koha nuk kthehet. Fiksohet momenti i saj. Kështu ka ndodhur dhe këtu. Kjo fotografi mban në kornizën e saj autorin e këtij shkrimi, kur ai ishte vetëm një vjeç.
Është në prehërin e Gjyshes dhe është fiksuar në korrik të vitit 1965. Fotografi ka qenë nga Vlora, ishte daja i gjyshes sime, dhe ai quhej Shaban Rama. Ishte besimtar dhe me shkrepjen e fotografisë e pëshpëriste: „Qoftë jetëgjatë dhe e hajrit! Jetë të gjatë djalit dhe i qoftë pranë gjithnjë Zoti në ballë të sahatit“. Këtë pëshpëritje e ka fiksuar pas kjo fotografi. Një pëshpëritje narrative me një të shkruar mjaft domethënëse dhe me një koleografi të përsosur. Koleografi ta kesh zili.
Dhe kthehem tek ajo që freskon memorjen nga rrëfimet e gjyshes sime të dashur, prindërve të mi të paharruar, që më sollën në jetë si dhuratë nga Zoti, pas nëntë vitesh martese, dhe të tjerëve. Kjo më vjen tashmë si aromë e largët. Ndonjëherë gjithçka që duhet është një aromë e njohur ose një shije e caktuar për të ngjallur një kujtim të vjetër, duke na bërë të ndihemi sikur jemi kthyer në kohë në atë moment ku është krijuar.
Dhe tani e shikoj dhe e ndjej sikur më thotë „Ti dhe unë kemi kujtime më të gjata se rruga që shtrihet përpara…“
Kommentare