top of page

JETA E ARTISTIT HYTBI TARELLI


Kadri Tarelli shkruan:

JETA E ARTISTIT HYTBI TARELLI, VENDOSUR NË KATËR LIBRA

Homazh!

Gjashtë vite më parë, të ditës, 04. Vjeshta e trete, 2016, në Toronto, Kanada, ndërroi jetë Hytbi Tarelli, artist i penelit dhe daltës.

Artistët, veçanërisht ata të arteve pamore, pikturë e skulpturë, kanë një fat, sa çuditshëm aq edhe të lakmueshëm. Më pëlqen të besoj se shpirti i tyre gjen vend pranë Perëndisë. Ata janë dhe mbeten të pavdekshëm. Emri i tyre jeton në përjetësi pasi gdhendet në veprat e tyre, që janë të shpërndara në sheshe, institucione, galeri arti, por gjejnë vend edhe në shumë familje të dashuruara me artin e bukur.

Nuk e teproj kur shkruaj kështu, pasi edhe kur ne “Harrojmë”, janë të ata, të tjerët që na i kujtojnë njerëzit tanë të dashur, duke i vendosur në shkrimet apo krijimet e tyre. Besoj se kështu si unë gjykojnë edhe shumë të tjerë, pasi herë pas here del ndonjë shkrim në gazetë, apo revistë, madje edhe në faqe libri. Kam përshtypjen se kështu do të ndodhë edhe për shumë kohë.

Nuk e fsheh kënaqësinë, kur shohim shkrime të tilla. Nderojnë “Heroin”, pasardhësit, familjarët, por edhe miq e shokë të shumtë, përfshirë edhe komunitetin e artistëve.

Për t’u bindur, po përsëris pak fjalë të shkruara para dy vjetësh, më: 20. 02. 2020, kur pas një vizite në Shkollën e Mesme “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri, Durrës, publikova një shkrim të shkurtër: “Arti i Hytbi Tarellit, i bën nder Kombit Shqiptar”, ku shtoja: “…Kam vënë re se shumë punë të krijuesve shqiptar, ilustrojnë shkrime të ndryshme, duke mos vënë emrin e autorit, me një fjalë, mbeten si krijime anonime. …. E kam fjalën për disa nga veprat artistike të piktorit dhe skulptorit Hytbi Tarelli, i cili punoi në Shqipëri dhe më pas në Kanada. ….. Ne na vjen mirë kur i shohim veprat e tij, sepse i njohim, pasi të gjitha janë pjesë e arkivit familjar, disa zbukurojnë sheshe, muzeume dhe zyra institucionesh, disa janë pjesë e shkrimeve të shumtë dhe librave kushtuar jetës dhe veprës së tij. Shumë prej tyre janë të publikuara në faqen e internetit kushtuar këtij autori”.

Duke vazhduar në këtë hulli mendimi, më duhet të them se jeta e artistit Hytbi Tarelli, deri më tani është bërë pjesë e katër librave:

. Kadri Tarelli. Libri “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”. (Monografi)

. Mustafë Ismaili, nga Dardania shqiptare. Libri “Gurrët e Kurorës”. Bibliografi e diasporë shqiptare të Kanadasë.

. Bashkim Kadiu. Libri “Enciklopedia E Vlerave”

. Fehbi Kanina. Libri “Braçanji”, (Sipas meje), botuar pak muaj më parë, viti 2022.

Nuk dua të ndaloj këtu, pasi shumë shkrime janë publikuar nëpër gazeta, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Kanada, Dardani e Suedi. Kështu me mirënjohje, më duhet të përmend shumë pena të njohura në letrat shqipe, si: si Viron Kona, Shpendi Topollaj, Fuat Memeli, Peter Peci. Kujtim Kabashi dhe Mirush Kabashi, Bashkim Saliasi. Dhimitër Xhoga “Gur i Naimit”, Krustaq Turtulli, Ilir Lena, Tahsin Xhemil Demiraj, Jani Tane, Ilir Zhiti, Përparim Hysi, Shefik Metalla, Përparim Kapllani, Nora Marku, Jeta Vejkollari, Taulant Dedja, Esat Teliti, Hysen Koçilari, Meçan Hoxha, skulptori Qazim Kërtusha, skulptori Maksim Bushi, piktori Ardian Radovicka, artiste Liliana Cingu, Lutfi Duka dhe Gjylistane Duka-Haxhiu, Ruki Kondaj, Dalip Greca, Naser Berisha, Tahir Veliu (Nip i Hasan Prishtinës), Vilhelme Vranari-Haxhiraj,…. etj, etj.

Në këtë gjashtë vjetor kujtese tw artistit tonë, të gjithëve u uroj të kenë lumturi në familje, shëndet dhe krijimtari të bukur.

Nëse do të më jepet mundësia e ribotimit të librit tim, monografi, “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”, do më duhet të shtoj shumë faqe, për ta bërë më të plotë jetën dhe veprën e tij.

Më pëlqen të citoj këto fjalë të dijetarit Viktor Hygo, pasi për të tillë njerëz jane thënë: “Njërëzit e mëdhenj, e ndërtojnë vetë piedestalin, koha u ngre monumentin”


Kadri Tarelli

Durrës më: 04. Vjeshta e tretë, 2022.




34 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page