top of page

EPIDEMIA DEMOSTENIANA E MUSA RAMADANIT


Timo Mërkuri

 

EPIDEMIA DEMOSTENIANA E MUSA RAMADANIT

 

 

Qysh në leximin e titullit “Epidemia e quajtur Demosteniana” e poetit të shquar kosovar Musli Ramadani sjell në kujtesë  oratorin e famshëm të  Greqisë antike Demostenin, fjala e të cilit në Agora të Athinës disa herë i ka dhënë drejtimin zhvillimit historik këtij qytet-shteti. Në informacion për lexuesin sqarojmë se: Agora ishte një hapësirë në qendër të qytetit, që shërbente si treg dhe në ditë të caktuara si një vend për biseda e debate politike, shfaqjen e ideve, aty bëheshin dhe ceremonitë shtetërore, ishte vendi ku oratorët mbanin fjalimet e mbronin  pikpamjet e tyre apo paraqitnin çështjet që preknin shoqërinë. Pra, Agora ishte qendra e jetës politike dhe shoqërore në çdo qytet grek,  ndërkohë që në Romë fjalimet mbaheshin në Senat dhe vendimet shpalleshin publikisht para ndërtesës së tij.

Demosteni ishte një nga oratorët më të njohur të Athinës së lashtë, i  lindur rreth vitit 384 p.e.s. dhe vdekur në vitin 322 p.e.s. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Athinës dhe në botën antike dhe u bë i njohur për aftësitë e tij të rralla oratorike dhe pjesëmarrjen aktive në politikën e qytetit, ku spikatin disa momente  në jetën e tij:

Në fillimet e karrierës së tij politike, Demosteni luajti një rol kyç në politikën e Athinës gjatë Luftës së Peloponezit (431-404 p.e.s.), një konflikt midis Athinës dhe Spartës, ku u shfaq si një kundërshtar i fuqishëm i politikës së Spartës dhe mbrojti politikat e demokracisë Athinase.

Në historinë e oratorisë ka mbetur  famshëm  "Fjalimi për Harangin" i mbajtur në vitin 338 p.e.s. “Harangi” ishte një ritual i rëndësishëm në jetën e Athinës së lashtë si një ceremoni nderimi për atletët e ushtarët që kishin vdekur në betejat për të mbrojtur qytetin. Demosteni përdori fjalimin për të nderuar trimërinë e heronjve të rënë në luftë dhe ajo që i dha impuls këtij fjalimi, ishte fakti se ai u mbajt pas një beteje të humbur nga Athinasit. Ai fitoi lavdi me “filipiket” e tij të vitit 351 p.e.s., një seri fjalimesh kundër Filipit të II të Maqedonisë, i cili përpiqej ta pushtonte Greqinë duke përdorur gjerësisht atë që më von do quhej “kolona e pestë”, tradhëtinë brenda grekëve. "Përgjigja kundër Aiskhinesit" është një tjetër fjalim mbajtur në vitin 330 p.e.s. ku akuzoi Aiskhinesin (një politikan i kohës) për korrupsion dhe tradhëti në bashkëpunim me Fiilipin II të Maqedonisë, duke e quajtur atë një kërcënim për shtetin. Duhet të shtojmë se Demosteni veç lavdisë përjetoi dhe ndëshkime zyrtare, të dirigjuara nga kundërshtarët e tij për shkak të pjesëmarrjes së suksesëshme në politikë e qëndrimet e tij. Kështu: ai u dëbua (internua) nga Athina në vitin 323 p.e.s. kur pas vdekje së Aleksandrit të Madh në vitin 323 p.e.s. u akuzua bazuar në një shpifje për bashkëpunim me maqedonasit, pavarësisht se internimi vazhdoi për pak kohë, pasi ai vdiq në vitin 322 p.e.s. Përjetoi gjoba financiare dhe përpjekje për diskredititim publik, me qëllim njollosjen e figurës së tij politike e morale, por si gjithmon përgjigjet e tij ishin jo vetëm brilante si art, por edhe shpartalluese për shpifësit.

I-Pas kësaj natyrshëm lind pyetja, ç’ne poeti Musli Ramadani përdor metaforën “Demosteniana” dhe ca më tëpër si cilësim të një “Epidemie”?

Vlen të dimë se poezia “Epidenia e quajtur Demosteniana”është shkruar dhe përfshirë në librin “Eugjenika e tri deteve”, botim i “Rilindjes” 1986 ndaj në këtë kontekst kohor e historik duhet lexuar.

Koha kur u shkrua kjo poezi ishte Kosova e vitit 1986, e cila e trazuar nga dhuna serbe kishte nevojë për tribunë popullorë, kishte nevojë për oratorë trima, të ditur e vizionarë. Kështu shpjegohet që, ndërsa  oratoria demosteniane është një brilant historik, një pasuri njerëzore, poeti ironikisht shprehet për një “epidemi demosteniane”, pse shumë njerëz duke e çmuar veten si një Demosten , flisnin shumë pa patur talent, dije e vision, duke i kundërshtuar të gjithë dhe duke u bërë në këtë mënyrë një pengesë për organizimin popullor. Kosova në atë kohë kishte nevojë të ngutëshme për një orator dhe lider vizionar, të nivelit të Demostenit dhe jo për një mizëri “oratorësh” mediokër, të vetvlerësuar si “demostenë”. Kritika e autorit është ndaj kësaj "epidemie", duke sugjeruar se një prirje e tillë për të folur dhe shkruar pa kuptim e ide të qarta, mund të çojë në humbje të vlerave të vërteta të komunikimit, shprehjes së mendimeve dhe organizimit në një qëndrim të përbashkët, si ai që realizonte Demosteni sa herë që Athina ishte në rrezik. Ramadani sugjeron se është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes dëshirës së thjeshtë për të folur dhe aftësisë reale për të shprehur veten në mënyrë që të sjellë vlerë e kuptim për audiencën. Në këtë kuptim, poezia thekson nevojën për një reflektim më të thellë dhe një qasje më të kujdesshme ndaj komunikimit tonë në kohën moderne.

Nëse shohim në kontekstin e sotëm, poezia "Epidemia Demosteniana" mund të interpretohet si një kritikë ndaj kulturës së mediave sociale dhe të internetit, ku njerëzit janë të shtyrë nga dëshira për të folur dhe shkruar, duke përdorur platformat e tyre për të shprehur mendimet dhe qëndrimet e tyre në mënyra që shpeshherë nuk janë të mirëformuluara ose të menduara thellë.

 

II-Poeti Musa Ramadani sigurisht e ka njohur aktivitetin  oratorik të Demostenit dhe jo më kot poezinë e ka qasur te ky emër historik , pavarësisht se duhet të themi se poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" ka për qëllim të shprehë një kritikë ndaj shoqërisë kosovare të kohës (1986) për humbjen e pozivitetit dhe vlerave në komunikimin e shkëmbimin e ideve me interes të gjerë, duke folur e dalur si turmë. Kosovës i duhej lideri, jo turma, asaj i duhej masa e mirëorga-nizuar dhe e drejtuar nga ky lider, Itë cilin koha do e sillte së shpejti te tribune vizionar Ibrahim Rugova.

Titulli "Epidemia e quajtur Demosteniana", i referohet metaforikisht epidemisë ku këtu nënkupton sëmundjen e pa aftësisë për të folur e shkruar me ndikim e kuptimshmëri masive. Duke qenë se Demosteni, ishte një prej oratorëve më të njohur të Greqisë së lashtë, i cili kishte një aftësi të madhe bindëse dhe vision të qartë, qasja me emrin e tij për ca “fjalamanë”tingëllon si një tis ironie hedhur mbi vargje.

Poezia nis ironikisht me një kujtesë historike, ku autori prezanton një kohë kur njerëzit nuk e kishin aftësinë për të shkruar ose folur, dhe se për këtë arsye do të shpallnin të çmendur një person që dinte të fliste dhe të shkruante, sipas parimit që “në fshatin e budallenjve, çdo i ditur quhet budalla”: ”Njëherë, dikur , kaherë, kushedi se kur/ Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë/E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë”duke krijuar një kontrast midis një kohe të largët dhe situatës së vitit 1986 (shekulli XX) në Kosovë. Me këtë metaforë, Ramadani kritikon mungesën e vlerësimit të aftësive të komunikimit dhe shprehjes së mendimeve në shoqërinë e kohës në Kosovë duke nxjerrë në pah realitetin ku njerëzit qenë të mbyllur në vetvete, nuk qenë të gatshëm të dëgjojnë një lider e të komunikojnë me njëri-tjetrin, ndërsa koha kërkonte oratorë dhe tribunë popullorë dhe pikërisht ky paralelizmi me fenomenin “Demosteniana” që në vetvete është tepër e zhurrmëshme,vizionare madje edhe publike, përmban ironinë.  

 

Me cilësimin”Demosteniane”, qëllimi i poetit nuk është të thotë që të gjithë u bënë si Demosteni, duke mbajtur fjalime të mrekullueshme, por të shprehë një kritikë ndaj mungesës të shprehjes së mendimeve në mënyrë efektive. Përdorimi i emrit të Demostenit është  mënyrë simbolike për të theksuar nivelin e lartë të aftësisë oratorike dhe vizionare, aq shumë të vlerësuar në shoqërinë antike greke, që pretendonin oratorët “fjalamanë” pse dihet që fjalimet e Demostenit ishin të mirëpritura dhe të vlerësuara për aftësinë e tij për të bindur e për të udhëhequr publikun.

 

III-Vargjet "Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja" nuk është se shfaqin ndonjë interesim të vërtetë mbi origjinën dhe shkakun e aftësisë së lartë të Demostenit për të folur dhe për të udhëhequr në fjalime. "Përse Demosteni nisi të fliste?" është një pyetje që tregon indirekt një talent të jashtëzakonshëm në aftësinë e tij të retorikës, por që gjithsesi këtu vlen si një sfond në idenë poetike të Ramadanit, gjë që shfaqet e shprehet te vargjet: "Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi", të cilat reflektojnë mbi natyrën e shkurtër e vlerës së një personi në histori dhe në kujtesën e shoqërisë.  

Duke lexuar vargjet "Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX / E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë" shfaqin një zhvillim historik në lidhje me aftësinë e komunikimit oral, të cilat lidhen me masivitetin në zhvillimet e shoqërisë, ndërsa  me fjalët "E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë", autori sugjeron që në të vërtetë, ndërsa ka më shumë njerëz që flasin dhe përpiqen të komunikojnë, ka më pak njerëz që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe të ndjekin atë që tjetri ka për të thënë, pse secili ka vlerësim më të lartë për veten.

Në vargjet e fundit, "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania / Demostenët e kohës i flasin njëri-tjetrit", poeti bën  vlerësimin  për shoqërinë bashkëkohore në Kosovë (dhe jo vetëm), ku sugjeron se ka një mungesë të përgjegjshmërisë në të folur dhe në të dëgjuar ku. njerëzit janë kaq të përfshirë në fjalët e tyre, saqë ata "mbyllin veshët" për të mos dëgjuar çfarë tjetri ka për të thënë. Tashmë oratorët vetëquhen Demostenë, por populli i quan fjalamanë, dhe vetë ky term tregon zhvlerësimin e fjalës që flasin.

Në fakt, përkufizimi i "Demostenëve të kohës" që flasin njëri-tjetrit mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe më të gjera, ku një prej tyre mund të jetë lidhur me ndryshimet në vlerat dhe idealet shoqërore në kohën tonë në vitet 2000. Sipas këtij interpretimi, mund të thuhet që shpërthimi i komunikimit të pavlerë midis njerëzve, për shembull, në formën e fjalëve të zbrazëta ose që i dinë të gjithë dhe nuk shfaqin interes kur I shqipton tjetri, mund të jetë rezultat i humbjes së vlerave e idealve të rëndësishme në shoqëri. Nëse shoqëria humbet fokusin nga ideja e përparimit intelektual, moral dhe kulturor dhe zëvendësohet me një kulturë të materializmit dhe hedonizmit, kjo mund të sjellë përqendrim më të madh në komunikim të pavlerë dhe të zbrazët, siç shpreh poeti. Në këtë kontekst, shprehja "Demostenët e kohës i flasin njëri-tjetrit" mund të përfaqësojë një humbje të lidhjes me vlerat tradicionale dhe një fokus të shumëtrishtuar në aspektet e tjera të jetës, siç janë konsumi dhe argëtimi, në vend të shkëmbimit të ideve dhe vlerave të rëndësishme shoqërore. Pra, ndryshimet në shoqëri dhe në vlerat shoqërore mund të lidhen me këtë interpretim të vargut, në mënyrë që ajo që dikur ishte një qasje e respektuar dhe e nderuar për komunikim e shkëmbim të ideve të rëndësishme, tani mund të jetë zëvendësuar me një formë të pavlerë e të përgjithshëm psh internetit, e cila reflekton një humbje të theksuar të vlerave dhe idealeve në shoqërinë bashkëkohore.

 

IV-Në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" të Musa Ramadanit, figura artistike përdoren për të shkëmbyer mesazhet dhe për të krijuar një përshtypje të thellë te lexuesit. Kështu:

Vetë titulli, "Epidemia e quajtur Demosteniana" është një metaforë e fuqishme që shpreh përhapjen e “sëmundjes” “Demosteniana”. Në poezi, "Demostenët e kohës" përfaqësojnë individët që flasin pa klas dhe pa seriozite, ku kjo metaforë shfaq përkthimin e “sëmundjes” në kontekstin aktual.

Emri "Demosteni" në kontekstin e përdorimit  simbolizon aftësinë e shkëlqyer të komunikimit dhe retorikës orale. Vargjet: "Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX/E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë"përdorin simbolizmin për të shprehur rënien graduale të vlerës së komunikimit efektiv dhe mungesën e interesimit për të dëgjuar e për të ndjekur ata që hamendësojnë se janë oratorë të mëdhenj. "Demosteniana" është metafora e mungesës së kësaj aftësie, ndërsa "e gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë" shfaq rënien e interesimit për të dëgjuar dhe për të ndjekur ata që kanë maninë për të folur, kuptimi i të cilës duket më qartë te imazhi: "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania", i cili vizualizon një shoqëri që është mbyllur ndaj masivitetit të “oratorisë”, pse ajo është zvendësuar nga një lumë fjalësh pa grykëderdhje.

Interesant është përdorimi mjeshtëror i aliteracionit për të përforcuar ritmin dhe ndikimin e fjalëve, ku në këtë poezi, ai është i shpeshtë dhe ndihmon në krijimin e një udhëtimi poetik, psh , në vargun "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur", aliteracioni me "k" dhe "dh" ndihmon në përfshirjen e lexuesit në një atmosferë misterioze dhe reflektuese.

Po kështu dhe repetimi i disa fjalëve ose frazave përdoret për të theksuar një ide apo një ndjenjë ,ku në këtë poezi, përdorimi i rregullt i frazave të njëjta në vargje të ndryshme përforcon mesazhin dhe thelbin e poezisë. Psh, fraza "Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë" përsëritet në poezinë për të theksuar përsëritjen e një gjendjeje ose të një ideje.

Eleganca e përdorimit të kontrastit për të shfaqur ndryshimet dhe theksuar dallimet mes një kohe dhe një tjetër, (këtu kontrasti midis kohës së Demostenit e kohës moderne) jep peshën e ndryshimit të madh në mënyrën sesi komunikimi është perceptuar dhe praktikuar nëpër shekuj.Kjo është e dukëshme në vargun "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë", përdorimi i kontrastit midis një kohe kur njerëzit ishin të specializuar në një formë të komunikimit apo dijesh (ose edhe të munguar të saj) dhe situatës së shoqërisë së kohës përfaqëson një aspekt fin të kësaj figure artistike.

 

V-Poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" e poetit Ramadani reflekton një portret të kohës e situatës shoqërore në Kosovën e viteve 1980, duke u fokusuar në aspektin psikologjik të shoqërisë së asaj kohe, duke shfaqur poetikisht disa aspekte psikologjikë që identifikohen në analizën e poezisë në kontekstin e kohës dhe vendit:

Poeti shpreh një ndjenjë të frustrimit dhe zhgënjimit ndaj situatës politike dhe shoqërore në Kosovë. Në kohën e viteve 1986, Kosova përjetonte një sërë sfidash politike, duke përfshirë mospajtimin me pushtetin qendror, diskriminimin etnik dhe kërkesat për pavarësi. Kjo ndjesi e zhgënjimit dhe frustrimit shfaqet nëpërmjet ironizimit të pretendimeve të një sërë individësh për pasjen e aftësive të një lideri të madh si Demosteni dhe shprehet te vargjet:”Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja".

Në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", pothuajse shpaloset një ndjenjë e mungesës së liderëve të vërtetë dhe të fuqishëm në shoqëri. Njerëzit janë të shqetësuar për mungesën e njerëzve që mund të udhëheqin dhe të frymëzojnë në një kohë të vështirë. Kjo mungesë e liderëve të fuqishëm shkakton një ndjesi të përgjithshme të pasigurisë dhe mosbesimit në të ardhmen. :“ Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi",.

Poezia shpreh dëshirën për ndryshim e përparim në shoqëri. Në kohën e viteve 1986, shumë njerëz kërkonin ndryshime politike e shoqërore për të përmbushur aspiratat e tyre. Poezia shprehë një dëshirë për një lidership më të mirë dhe më të fuqishëm,një “Demosten” kosovar i cili mund të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri dhe jo një tufë “virusesh” fjalamanë.

Në një kohë të vështirë politike dhe shoqërore, ndër njerëzit mund të ketë një ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkrahjes reciproke. Kjo mund të shfaqet nën ndjenjën e përjetuar se të gjithë janë në të njëjtën anije dhe përballen me sfida të përbashkëta. Në këtë kontekst, poezia mund të shprehë nevojën për unitet dhe bashkëpunim për të përballuar sfidat kolektive, madje edhe duke ironizuar disa dukuri negative. Pasazhi: "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë" përfaqëson një lloj humori dhe mospërputhjeje në shoqëri  e mund të interpretohet si një thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke, duke treguar se në kohën e vështirë, njerëzit mund të kenë nevojë për të mbështetur njëri-tjetrin pavarësisht mungesës së aftësive të tyre. Kjo përshtatet me ideën e solidaritetit dhe bashkë-punimit nëpërmjet sfidave të përbashkëta.

Në përgjithësi, aspekti psikologjik i poezisë "Epidemia e quajtur Demosteniana" ndihmon të shpalosë ndjenjat dhe emocionet e njerëzve në një kohë të caktuar dhe situatën shoqërore në Kosovë. Duke e kuptuar këtë kontekst, mund të shohim se poezia reflekton një ndjenjë të përgjithshme të mosbesimit e nevojën për ndryshim në shoqëri. Këto aspekte psikologjike të shprehura në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" e bëjnë atë një shprehje të thellë e ndjenjave dhe emocioneve të shoqërisë në kohën e saj. Në një periudhë të vështirë dhe të pasigurt, poezia mund të ofrojë një mënyrë për t'i shprehur dhe për t'u identifikuar me ndjenjat kolektive dhe përvojat.

Këto aspekte e bëjnë poezinë e Musli Ramadanit jo vetëm të arirë artistikisht por dhe të plotësuar psikologjikisht, duke e prurë si një poezi të realizuar në mënyrë mjeshtërore nga një poet i madh, duke e prezantuar si një ftesë për zgjidhje të lidershipit, zgjidhje që e solli koha në vitin 1989 .

 

Sarandë, më 27 janar 2024

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page