Koment nga
Fiqri Shahinllari
ENIGMA E FAHRIUT
Kështu dëshiroj ta quaj librin e Fahri Dahrit me titull: Enigma e Çamërisë.Pas leximit konkluzioni im është ky: Gjynah që zoti Fahri Dahri nuk është i ligjëruar si historian në gradë shkencore. Kur flas kështu nuk do të thotë se puna e tij si ekonomist i spikatur s’ka qënë e dobishme kudo ku ai ka punuar.
Leximin e librit nuk e bëra tangent por këtë punë e bëra ne kënaqësi duke picërruar sytë te çdo kapitull e faqe më faqe.Autori shkruan me dashuri por edhe me mall për vendlindjen e tij,Çamërinë. Ka paraqitur në sytë e mendjen e lexuesve rrënjët dhe degët e historisë së asaj krahine për të cilën unë dhe shumë të tjerë si unë dimë pak gjëra në krahasim me ato ç’ka përmban libri në fjalën e autorit si studiues i pavarur për rajonin e Thesproti-Çamërisë. Jam njohur në mjaft shkrime publicistike të Fahriut botuar te Gazeta “ Fjala e lirë “ që del në Londër ku ai shpalos dertin e shqetësimin e tij jo vetëm për historinë çame, por edhe për ekonominë, politikën, jetën sociale në Shqipëri, tendencën e zhvillimeve të ngjarjeve të pas viteve nëntëdhjetë. Për merakosjen që ka ai, për ç'ka i dhemb zemra dhe shpirti, ai i shkruan edhe Kryeministrit të sotëm, zotit Edi Rama.
Nga që i sëmbon në zemër zullumi i disa politikanëve, gazetarëve apo analistëve të paskrupullt nëpër banaqet e televisioneve Fahriu këshillon: Mos ngrini fort zërin, por i jepini forcë fjalës!
Passioni për historinë e Çamërisë e ka detyruar autorin të futet thellë në tunelet e arkivave e në leximit e shtypit për vite me radhë me një këmbëngulje hulumtuese që edhe historiani skrupuloz do ta kishte zili.Por ama lodhja hulumtuese i ka dhene kënaqesinë e lodhjes.
Ma k’ënda të shkruaj edhe pak fjalë të tjera për historinë pasi çështjet e politikës së ditës na kane ardhur në majë të hundës. Fahriu e ka gatuar dhe pjekur mirë lakrorin historik të Çamërisë aq sa unë e kollofita me kënaqësi. Ai si nje gjysh i thekur për tri mbesat e dy nipërit e tij bëhet pishtar flakadan dhe i tregon rrugën që duhet të ndjekin në jetë për të shijuar bashkësinë familiare, të respektojnë pa kushte prindërit….dhe nënteksti është të njihni historinë. I kujtohet vegjëlia. Kur ishte 10 vjeç i bëri një pyetje babait te vet: "se si duhet të sillemi me stërgjyshërit tanë që para vitit 1610…”Dhe ai i përgjigjet: "Je i vogel, nuk mund ta kuptosh përgjigjen", i kishte thënë i ati.
Më pëlqeu shtjellimi i nocioneve etni dhe racë. Etnika ka të bëjëj me vlerat dhe normat kulturore që dallojnë anëtarët e një grupi nga të tjerët … ndërsa raca ka të bëjë me karakterisikat fizike të një personi, ka të bëjë me fizionominë. I racës çame ishte edhe Pirroja I Epirit. Në këto çaste që po shkruaj për Pirron leggendarin, më shkoi mendja te Kristo Floqi I cili shkruan: "…Një tjetër njeri i madh …ka qenë Pirroja i Epirit. Në Epir banonin shumë fise shqiptare të cilat grekët i quanin “fise të huaja e barbare” për shkak se kishin zakone të ndryshme dhe nuk ua mernin vesh gjuhën e tyre. Të tilla fise ishin kaonët (lebërit e sotëm), thesprotët (çamët e sotëm) dhe mollosët (janinjotët e sotëm, etj) …Pirroja jonë pra ishte Epirot, (sot - shqiptar)…Për trimëritë e rralla të tij që tregoj në luftë Pirroja u quant prej ushtareve të tij “Shkabë"- shqipe.
Fahriu ka lindur në Risian( Rrëzanj) të prefekturës së Gumenicës. Emri Gumenicë më çon te një kujtim i bukur. Ka qenë qyteti ku kam shkuar për herë të parë në jetën time jashtë shtetit me 21 gusht 1991. Ishim katër gazetar: Deshira Keta (Shijaku), Veli Hoxha, unë dhe Abdyl Dulja me origjinë çame. Fjitëm në hotelin me emrin, në mos gaboj, EGNATIA. Në mbrëmje në shetitje rrugëve të qytetit bregetar na shoqeroi një miku i Dules që turp të gënjej, nuk ja mbaj mend emrin por më duket se quhej Taqi.
Të nesërmen u nisëm me traget për në Itali drejt Barit me destination Kozencën te miqtë tanë arbëreshë.
Fahri Dahri i referohet historisë së lashtë dhe asaj të re, të Çamërisë. Mer për bazë Homerin. Herodotin (babain e historisë) dhe Strabonin, gjeografin e famshm. I lexova me kënaqesi referencat dhe trajtesat e Fahriut. Më mbeti mendja te fakti se, sipas statistikave osmane SHQIPERIA në vitin 1910 kishte një siperfaqe prej 90.187 kilometra katror ndarë në katër vilajete: Në atë të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Ky fakt nuk flet por bërtet duke e çuar klithmën e zëmërimit te Oto Bismarku, i viti 1913, te traktati i Lozanës …
Mirë do të ishte që ky libër i Fahri Dahrit të jete pronë e studentëve të fakulteteve të Historisë në trevat shqiptare.
FIQRI SHAHINLLARI
Comments