top of page

Ende mes një dileme të së shkuarës për talentet femra


Fatmir Terziu



Shumë nga poezitë e talenteve femra të botuara në pragun e fundit të rënies së diktaturës, duket se kanë një liri më të madhe shprehish, dëshirash dhe vullnetesh, janë më të çliruara nga ndjesi të ngurta ideo-diktuese. Poezi të tilla në heshtjen e pavëmendshme duket se janë të ndikuara nga rrjedha e botimeve në gazetën „Zëri i Rinisë“, që në atë kohë pati më shumë arsye të ishte e tillë (rebelizmi intelektual), pasi drejtohej nga disa pena të konceptit „liberal“, sikurse përmendet në biseda kolegësh. Poezitë, duket në fakt se janë të ndikuara nga vetë botuesit e asaj kohe në këtë gazetë, puna e hershme e të cilëve, po reflektonte një mori risish të reja, (dhe kjo jo gjithnjë) në një mënyrë apo formë që solli dhe përdori shumë imazhe të perceptuara, disa prej të cilave deri në një ndryshim në fund të viteve 1990-të, që përkoi me shembjen e mureve të stisura ideo-diktuese. Në një formë a në një tjetër, poezi të tilla, sidoqoftë mbetën dhe janë shumë larg përfaqësimit të trupit femëror, pasi ende mendohej dhe shfaqej në problematikë, ajo që menjëherë qaste si të tillë gjininë femërore. Në fakt mendimi i këtyre botimeve ishte se poezitë e kohës ishin dashuruar me fjalën „e shkathët“, e cila dukej se përshkruante saktësisht, se si duhet të jetë një poet a poete, por përveç kësaj thelbi qëndronte tek vetë qasja që ishte e intriguar nga ideja e artit, që nuk mund të deklarojë gjininë. Kur ndjek idenë për poezinë në këtë nismë 'të padukshme e të pavëzhguar' në këtë këndvështrim, sheh se sa reciprok mund të jemi, veçanërisht si lexues, në supozimet tona rreth ndikimit të gjinisë në të shkruar. Në fakt poezi të tilla „I bëmë të gjitha lodrat“; „Vajzëria la shenjë“; „Diku jam ndalur e po të pres“; „Trokitja e takave të vajzave“; „Fshehtësi“; „Jemi larg“; „Mall“ janë vetëm poezi të autores Pranvera Osmani, që mbetën të botuara më 21 Maj 1988 në gazetën e asaj kohe „Zëri i Rinisë“. Po ashtu edhe poezi të tilla si „Baresha“ („Drita“ 22 maj, 1988, faqja 9) e autores Vllasova Musta u përcollën vetëm me këtë risi botimi, ashtu sikurse poezitë e autores Gentiana Minga, „Më zgjoi“; „Jemi ne“ („Zëri i Rinisë“, 7 maj 1988).

Një pyetje e lidhur me këtë dukuri të pavëmendshme të kohës që i botoi, dhe më pas të kohës që i harroi, më ka trokitur në kokë gjatë muajve të fundit: „A shkruajnë gratë vërtet poezi të ndryshme nga burrat dhe, nëse po, çfarë mund të thuhet për të karakterizuar poezinë femërore“? Rasti që nxiti pyetjen ndodhi teksa kërkimet e mia ndeshën në emra dhe poezi të tilla, të harruara, të lëna në errësirë, të paragjykuara nga kohërat, në një kohë kur poezisë i mungon vetvetiu „Shoqëria e Poezisë“, edhe pse rrjetet sociale e kanë bërë një lumë a një mol ku përditë e më shumë. Nakatoset vetë poezia, si një arsye më shumë për stacionin e munguar të e të domosdoshëm të ndalesës në fjalë. Në jo pak festivale të sotme kombinacione dhe organizime të shumta përkojnë me atë që është quajtur „Poema Femërore“, të cilën shpesh herë e mburr vetë suksesi me një panel të shquar shkrimtarësh, si Maureen Duffy, Annie Freud dhe Pascal Petit. Në leximin e shkuar të poezisë shqipe, prej talenteve femërore, të tilla si Vojsava Nelo, që pikërisht në majin e 1988 sillte „Çeli kjo ditë“; „Kush thirri poshtë dritares sime“ („Drita“, 1988, 29 maj, fq. 8-9) lexohet edhe kjo gjë që sugjeron se tema është urgjente, dhe jo vetëm për gratë, audienca ende mbetet e përzier.

Por një pyetje tjetër mbetet në kapërcimin e sotëm të pas nëntëdhjetës, me një arsye më shumë për tu ndikur ose jo, në mënyrë të barabartë nga pyetja në fjalë që u shtrua më sipër. Duhet qartësuar se natyrshëm variojnë gjithnjë mendimet për gjininë të mbizotërojnë, sigurisht jo në kthim pas, apo në sfumim, në mënyrë që gjuha të na çojë në vende, karaktere dhe identitete që nuk mund t'i parashikojmë gjithmonë. Është mjaft e qartë se mendime të tilla nuk pritet të mbeten të prera me thikë nga poetët burra, megjithëse poezia e tillë vendoset si një lloj mënyre e paracaktuar, duke përsëritur idenë e Simone de Beauvoir se „burri përcaktohet si qenie njerëzore dhe gruaja si femër“. Pra, ndërsa gratë lexuese janë të lumtura të gllabërojnë gjithçka që është e mirë, lexuesit meshkuj ndonjëherë janë nervozë nga librat me poezi nga gratë, ato me përvojë editoriale mes nesh kanë shkruarse ishte dhe është e vështirë që burrat të bënin rishikimin e librave të grave, sikur një ekspertizë e ndryshme, e specializuar është ende e nevojshme.

Është e nevojshme edhe për vetë faktin e ekzistencës krijuese, dhe për vetë fatin dhe faktin e diskursit krahasues, pa të cilin nuk mund të ecet përpara. Ndryshe poezi të tilla të pëlqyera si „Vajzat“ apo „Pritje“ („Zëri i Rinisë“, 1988, 7 maj) të një autoreje të cilësuar talente, që na kujtoi guximin, sikurse ishte Rexhina Prela, do të mbesin mes fletëve të verdha të arkivave, nëse dikush do të mundet të hedh një sy në kohëra të tjera. Kjo të bën të mendosh se sa e pakëndshme është të jesh i mbyllur, dhe të mendosh se si është më keq, mbase, të jesh i harruar.

Ne të gjithë duhet të shijojmë njëtrajtësisht lirinë e zhvendosjes së kufijve ideologjikë, të shembur tashmë, por edhe të atyre që qasen tek polarizmi ekstrem i mashkullit dhe femrës. Kjo nuk përshtatet domosdoshmërisht me thelbin se kush jemi dhe si shkruajmë. Poeti mund të zhvendoset përgjatë një vazhdimësie të feminitetit dhe maskulinitetit në poezi për të prodhuar efektet ose personazhet e nevojshme dhe të sfumojë kohërat, vetëm kur arti është art, dhe këtë e bëri ndoshta vetë „Zëri i Rinisë“ me takt. Menjëherë mendon për poetë që e bënë këtë herët në kombe të tjera, si Keats, ose Dickinson. Siç mund ta merrni me mend, nuk ka ndonjë marrëveshje përfundimtare nëse ekziston një ndjeshmëri poetike e dukshme femërore, edhe pse disa mendojnë se mund të përcaktohet një hapje unike ndaj botës dhe trupit në shkrimet e grave, të tjerë sot mendojnë, se këto janë mundësi interesante për çdo shkrimtar, ashtu si territoret që mund të shihen si veçanërisht mashkullore dhe gjithnjë janë dhe duhet të jenë të hapura për të gjithë.

Kur shkruanin dhe botonin emrat e talenteve të lartcituara, kishte dhe emra të tjerë lokalë, që botonin në gazetat lokale, si Valbona Musaku, Ilirjana Resuli, Eneida Mata, Katjusha Latifi Pogaçi, Albana Shala, Vitori Zaka, Lavdije Shqiponja, etj., por ato janë vetëm në arkiva, ndoshta ende mes dilemës së trajtimit si art i fjalës poetike, që i përket kohës së ngurtë ideologjike.

61 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page