top of page

Enciklopedia Bedri Dedja




Për largimin e përgjithmonshëm të një njeriu që e ke dashur e të ka dashur me gjithë shpirt, për humbjen e mikut dhe profesorit tënd, dhembja në dhé të huaj qënka shumë më e rëndë, sepse nuk ke me kë ta ndash kupën e pelinit e as t’i hedhësh një grusht toke mëmë mbi banesën e amëshuar[1].

Kujtoj dy nga takimet e fundit me Bedri Dedjen, shumë vjet më parë në Bukuresht, kur mbajti një kumtesë pa të dytë për 400-vjetorin e pranisë së dokumentuar të shqiptarëve në trevat rumune. Me modestinë dhe erudicionin, që e patën shoqëruar tërë jetën, profesor Bedriu e ktheu në sy e veshë krejt auditorin. Kështu ndodhte sa herë që ligjëronte ky gojtar i lindur, qoftë para studentëve, qoftë para kolegëve, shkrimtarëve e shkencëtarëve, vendës e të huaj.

Me t’u kthyer nga Bukureshti në atdhe, na dërgoi një falenderim të ngrohtë „për mikpritjen vllazërore” që i rezervuam, pasuar nga një artikull i gjerë në shtypin e Tiranës, ku, me fisnikërinë e mirëdallueshme, çmonte lart punën tonë modeste. Ato fraza të dala nga zemra, na dhanë krahë, të paktën për dy arsye: së pari, ishin vlerësime të çiltra të një burri të mënçur dhe, së dyti, bëheshin në këto kohëra kur fjalët e mira po rrallohen me shpejtësi, të kërcënuara të dëbohen nga fjalori i shqipes nën sulmet e tërbuara të termave ligësimbartëse.

Takimin e fundit e bëmë gjashtë vjet të shkuara në Tiranë, në oborrin e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një ditë vere me shumë diell e me pak puhizë. Kish ardhur edhe bashkëshortja e të ndjerit, zonja Pandora, e cila, mund të thuhet me plot gojën, ka qënë një partnere e denjë për nga karakteri dhe bagazhi intelektual. U thashë se dëshiroja të shkruaja një monografi për jetën dhe kontributin shumëplanësh të profesor Bedriut. Nuk qe e thënë që kjo të realizohej në të gjallë të tij. Profesori uli kokën si të ishte i zënë në faj, më falenderoi përzemërsisht e më dhuroi librin e vet të fundit me dedikimin, që niste me fjalët „Familjes fisnike Kyçyku”.

Me profesorin Bedri Dedja kam pasur miqësi të hershme. Isha nxënës në gjimnazin e Pogradecit kur fillova të bashkëpunoja me gazetat „Pionieri” e „Zëri i Rinisë” e më pas me revistën „Fatosi”, sidhe me rubrikat për fëmijë e të rinj të Radio Tiranës. Këtë bashkëpunim e vazhdova dhe e thellova kur isha student në Universitetin Shtetëror të Tiranës, sepse, krahas kënaqësisë shpirtërore, honoraret, sado modeste, që merrja nga kjo veprimtari, bashkë me kursimet që më sillte mospirja e duhanit, më jepnin mundësi të frekuentoja kinematë e teatrot e të bëja edhe ndonjë shpenzim tjetër, pa kërkuar të holla nga familja.

Le të vazhdojmë me të ndjerin Bedri Dedja. Ka qënë një personalitet i rrallë edhe për nga dashamirësia dhe paqja që shkaktonte…

Në sa e sa takime që institucionet letraro-kulturore organizonin me bashkëpunëtorët, kam biseduar gjerë e gjatë me profesor Bedriun. Ishte kënaqësi e vërtetë të dëgjoje çdo fjalë e çdo mendim të tij. I gufonte zemra kur shihte si shtoheshin dita-ditës radhët e krijuesve të rinj, sidomos në letërsinë për fëmijë. Për secilin gjente kohë „të shkëmbente mendime”, siç i pëlqente të shprehej me modesti, duke të dhënë mundësi ta ndjeje veten të shpenguar në debate. Edhe kur nuk qëlloje në shënjë, apo thoshe gafa, - gjë që ndodhte jo rrallë, - profesor Bedriu ia priste në çast hovin ndokujt që mezi priste të vinte në lojë të tjerët. Madje nuk mund të harroj se si ua mbyllte shtegun thashethemeve. Ishte për mirëkuptim e unitet, sidomos në mjedise krijuesish. „T’u ngjajmë personazheve pozitivë të veprave tona, jo negativëve” porosiste. Frytet e punës edukuese të shkrimtarit, pedagogut e psikologut Bedri Dedja, i kam vërejtur edhe tek fëmijët e tij, Taulanti dhe Edlira, të cilët qysh herët jepnin shënja të qarta se, krahas talentit, edhe në shoqëri do të bëheshin ata që janë sot.

Duke u kthyer prapa në kohë, kujtoj se në fillimvitet '70 profesor Bedriun e pata udhëheqës të temës së diplomës që mbrojta pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Lidhjet tona nuk u ndërprenë as pas largimit tim nga Shqipëria.

Më 1998, kur nxorëm numurin e parë të revistës „Haemus”, profesor Bedriu pranoi me kënaqësi të bëhej antar i kolegjumit të saj e të bashkëpunonte rregullisht me ne. Shpesh kuvendonim me telefon e, - ku dhemb dhëmbi, vete gjuha, - në qëndër të vëmendjes ishin atdheu dhe letërsia kombëtare. Vdekjen e Bedri Dedjes, antifashistit të brishtë, intelektualit erudit e demokrat, njërit prej themelvënësve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, revista jonë e quajti „zi për shkencën, kulturën e qytetërimin mbarëkombëtar” [2].

[1] E provova më pas dhembjen edhe me humbjen e Niko Nikollës, gazetarit e shkrimtarit të mirënjohur, një ndër luftëtarët moshënjomë për liri, me të cilin më lidhte një miqësi e ngushtë prej disa dekadash. Ishte 4 janari 2006. Po ndiqja këtu, në Bukuresht, emisionin e lajmeve të orës 20, në TVSH. Kumtimi i vdekjes së Nikos pati tek unë efektin goditës të një tërmeti. Herën e fundit e pata takuar në Tiranë një muaj më parë. Isha bashkë me Zhani Cancon e me Kristaq Nanushin. Atëhere Nikoja më ngushëlloi për humbjen e parakohëshme të kunatit tim, inxhinierit Kristaq Premti. [2] In memoriam, „Haemus”, nr. 1/21, Bukuresht, 2004, f. 120-121.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page