top of page

Emi Krosi:  Ekzistenca dhe qëndresa femërore në poezinë e Ardita Jatru-së


Tema: Ekzistenca dhe qëndresa femërore në poezinë e Ardita Jatru-së

 Nga Emi Krosi


Kur poezia bëhet thelbi i jetës, jo si zhanër por si mbulesë e frikërave të tua, ajo është dera ku del dhe hyn çdo ditë duke parë botën apo dera që lidh dy botë: njëra bota e ëndërrave të bukura por të mbetura varur në ajrì dhe bota përpara totalisht e huaj, çoroditëse, shpërfillëse, mospërfillëse, refizuese,  që duket si një botë e shkretë që të mbyt çdo ëndërr, poezia është këndvështrimi sesi e shikon jetën, është mënyra e përceptimit të jetës dhe të ardhmes tënde, është tjetërsimi nga frika, një frikë e tjetërsuar, një frikë që shumë herë “vizaton” edhe arkitekturën e hidhërimit të saj.

Por poezia, nuk është shprehje, por krijim, (Derrida: 1976) një potencial i (për)plotësuar, duke u shpërfaqur në të gjitha rrafshet e leximit.

 

***

Duke lexuar  poezinë e Ardita Jatru-s, një letërsi që ka kaluar kufijtë ku ajo jeton prej vitesh në Greqi, endet  mes harresës së qëllimshme, të institucioneve tona letraro-artistike, si një poete me thelb ekzistencialist , me një simbolikë dhe metaforë ku sundojnë figurat e thella (Murry: 1931), në librin me poezi “66 kg vetmi”, kam shkëputur poezinë: “Kam ardhur nga larg” (Jatru: 2015 ), me një stil, jo vetëm modern, shpërfaq realitetet e emigrantëve në shtetin fqinjë, por edhe shqetësimet një gruaje, që “vëzhgon”, “heton”, “skajon”, “sendërton” thelbin dhe Qenien e saj sa Unike dhe femërore, përmes Frymës Supreme dhe Eprore të poezisë nëpërmjet vargjeve të mëposhtme:  

 

Jam ulur në një stol.

Dielli përballë,

i ulur mbi vijë të ujit

i kuq, i portokalltë, i mëndafshtë.

Pesë gishtërinj resh të bardha,

kalojnë para tij e bëhen të purpurt’

pastaj i humbas

dhe dalin prej ujit me një ngjyrë të kaltër të tejdukshme

e të shpërndara nisen për diku.

Njerëzit kalojnë para meje

e siluetat e tyre më shkëputin sytë nga skena.

Ata nuk e dinë,

që unë kam pesë minuta kohë të shoh qiellin

pesë minuta për t’i thënë ditës lamtumirë

se nata i përket ëndrrës

dhe jo syrit, f. 29, poezia: “Kam ardhur nga larg”


Eptimi i elementeve  të  metaforës simbolike  nëpërmjet “simboleve sunduese”, ndërtojnë figura jo vetëm pamore, por si një receptim kohor sidomos të kohës së tashme, jo vetëm si  argument artistik, por edhe kritik, do të  duhet  të tregojë “shenja simpatie” ndaj veprës kritiku letrar duhet të mbështetet në mbresat që ngjall vepra letrare tek ai, duke parë në dy këndvështrime:

a)     të kohës: (koha autoriale dhe koha letrare),

b)    të masës: (masa e njësisë poetike dhe njësia e fjalës), qëllimi nuk është të ofrojmë një

përfaqësim, (Riffaterre: 1987), nëpërmjet vargjeve: Dielli përballë,/i ulur mbi vijë të ujit/i kuq, i portokalltë, i mëndafshtë, metafora e diellit, futet tek cikli mitologjik, jo vetëm në formën e trupave lëvizëse, se vetë fjala formë ka dy tema plotësuese: materien dhe përmbajtjen. Sipas teorive të kuptimit kryetipor dhe përfytyrimeve apokaliptike, bota mitologjike, biblike (apokalipsi) janë struktura metaforike, që sugjerojnë të  pandryshueshmen e përjetshme të analogjisë njerëzore, parajsën dhe ferrin, analogjia e pafajësisë  dhe përvojës  japin përshtatjen e miteve me natyrën dhe besimin me njeriun. Format themelore të procesit jetësor janë lëvizje ciklike, si një përfytyrim apokaliptik, (Fraj: 1990), ku ciklika e natyrës shkallshmërisht zbret në horizontalitet, në rrafshin ujor nëpërmjet:

a)     ciklika natyrore (ose cikli i ujit), Dielli që ngrok ujin dhe fenomente e shëndërrimt në shi, borë, avull etj.,

b)    cikli shpirtëror, (Dielli dhe Uji) janë katarsis shpirtëror në një kurbë ngjyrash: i kuq, i

portokalltë, i mëndafshtë, (nuancat e të kuqes) të Diellit dhe Dritës, Drita Hyjnore që të ngroh shpirtin dhe trupin nëpërmjet vargjeve: pesë gishtërinj resh të bardha,/kalojnë para tij e bëhen të purpurt’/pastaj i humbas/dhe dalin prej ujit me një ngjyrë të kaltër të tejdukshme vetë qëndrimi filozofik i kategorisë së shenjave si poetika e papërcaktueshmërisë (Lacoue-Labarthe: 1978), lidhet me subjektin letrar me njohurinë dhe (vetë)sigurinë e tij, se (vetë)vetëdija mund të krijohet, si konvertim kristian por edhe si  çlirim i njeriut ndaj vetvetes  (Kant: 1980).

Poezia na afron mundësitë:

-       (de)kodimi i metaforës së Diellit:  (nëpërmjet ngjyrave: i kuq, i portokalltë, i mëndafshtë)

-       (de)kodimi i metaforës së Ujit;( dhe dalin prej ujit me një ngjyrë të kaltër të tejdukshme),

-       (de)kodimi i metaforës së Kohës; (pesë minuta kohë)

-       (de)kodimi i metaforës së Ëndërrës: (se nata i përket ëndrrës)

Mëtimi i një poezisë të shkruar nga një femër, nuk është shpikje ex nihilo, por një  mënyrë specifike e trajtimit të një objekti që merrte me poetikën dhe stukturën poetike apo të zgjerimit dhe përshkrimit, si provinca e femrës , (Spiegelman: 2005), qenia e vetë autores nga një vend tjetër ku thotë se kam ardhur nga larg, sodit ftohtë njerëzit dhe ecejakjen e ciklikës të Diellit duke shenjuar, edhe kohën e saj: njerëzit kalojnë para meje/e siluetat e tyre më shkëputin sytë nga skena./Ata nuk e dinë,/që unë kam pesë minuta kohë të shoh qiellin, duke kaluar cakun e  konceptit të  shkrimi femëror, (Ceucos: 1976), mëpërtej termi letrar “feminizëm”, se  poezia si krijim artistik i një femre, në vijëjetën e saj, dokudo, ajo ka thyerjet neutrale me elegancën  e një femre, se togjalëshi “shkrim gruaje”, është  letërsi femërore është e bazuar në skemat rrëfimtare dhe temat tradicionalisht të shkrimtarëve burra, kurse  letërsia feministe përpiqet ta kundërshtojë këtë skemë,  kërkon të drejtën e saj për autonomi, në fund ka përfunduar si letërsi e quajtur letërsi gruaje, poezi, që "përshkrimi” është një formë e ligjërimit,  është përdorimi i disa gjendjeve shpirtërore ose qëndrimeve të mendjes,  përmes poezisë, ka parë botën e saj, kaq interesante, të bukur, të shëmtuar, në mënyrë efektive përpiqet të transferojë te të tjerët kënaqësinë (Brooks, Warren:1949 ). Në vargjet e fundit: pesë minuta për t’i thënë ditës lamtumirë/se nata i përket ëndrrës/dhe jo syrit, përthyrjet e ditënatës,  nëpërmjet ëndërrës bëhen shumë transhedente, sepse nata është errësira/vdekja, kurse dita është Drita (syri) që sheh dritën/ngjyrat, duke krijuar një botë plot ngjyra, tjetër përmasë e një realiteti brenda poetikës së receptimit, me format e shprehjes së  modernes, duke çmontuar lirizmin spontan të vetëdijes dhe pavedijes, ku  idetë e bukurive estetike (në art dhe komunikim) jo vetëm të një poezie  femërore, se poetja postmoderne nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje ex nihilo, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti, në postmodernizëm shpjegimi  i këtij procesi kthehet në parim krijues, se vetë poezia nuk është vetëm arti i të kuptuarit,  si model i një poezie të përjetimit, në formë metanarrative, se  në rrafshin përshkrues kemi  perispektivën e dyfishtë të stukturës, sepse në rrafshin formal simbolet nuk janë përfytyrime, të formave të toposese dhe logoseve në formë  piktoreske të tipit iluziv trompe l’oelil, por një konceptim abstrakt dhe jo diçka që ekziston, si mënyrë empirike në botë (Feuer: 1992). Vetë poezia  receptohet mes interaksionit gjenerik si ndërfutje  mes (post)modernizmit dhe modernizmit klasik, por mungesa e kritikës e ka privuar këtë poete  nga arealit i letërsisë shqipe  të shkruar në bashkëkohësi , duke e njohur vetëm nëpërmjet lexuesit virtual.

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

 

1.      Ardita Jatru; (2015), 66 kg vetmi “Dea Print”, Tiranë.

2.      Brooks , Cleanthi; and Warren, Pen Robert: (1949), Modern Rhetoric, New York: Harcourt Brace.

3.      Ceucos, Helene; (1975), “Le Rire de la Meduze”, L’arc 61.

4.      Derrida Jasque: (1976), L’écriture et la différence , Seuil, Paris.

5.      Feuer, Jane : (1992),Genre study, Routledge, London.

6.      Fraj, Northrop: (1990), Anatomia e kritikës, përkth: Anvi Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.

7.      Kant, Emmanuel: (1980),  The Critique of Judgement, Trans. James Meredith,  Oxford: Oxford University Press.

8.      Lacoue-Labarthe, Philippe; (1978),  The Caesura of the Speculative,  Trans. Robert Eisenhauer, Glyph 4. 

9.      Michael Riffaterre: (1987), “Descriptive Imagery,” Yale French Studies, 61.

10.    Murry, J.Middleton: (1931),  “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.

11.    Spiegelman, Willard; (2005), How Poets See the World:The Art of Description in Contemporary Poetry, Oxford University Press.

2 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page