top of page

ELEGJI PËR FITIM DANIN DHE PËR VETE


Fitim Dani

NË 15 VJETORIN E IKJES SË NJË SHOKU, NJË MIKU, NJË NJERIU...


Abdurahim Ashiku

Thonë se kur Zoti ia hodhi dhimbjen drurit - e dogji, e bëri hi…

Thonë se kur Zoti ia hodhi dhimbjen gurit – e çau, e bëri copë – copë…

Thonë se kur Zoti ia hodhi dhimbjen burrit – e mbajti më këmbë…

Në libra, në kanune që nga ai i Lekë Dukagjinit, e të tjerë me rradhë, thuhet se burri që është burrë e mban dhimbjen, nuk jepet, nuk qan.

Këto nuk janë të vërteta. Nuk kanë qenë por në veçanti nuk janë sot kur njerëzit u ndanë për së gjalli, kur vdiqën atë ditë që ikën, kur jeta e tyre u këthye në një vaj të përditshëm për njeriun që mbeti dhe njeriun që iku…Këtu burri u lëkund nga dhimbja, qau dhe qan si fëmijë, nën zë e me zë.

…Sot, më një të gushtit 2005, në orën 09:22:17 një SMS më sillte një dhimbje të madhe njerëzore. Në të thuhej : “Fitim Dani vdiq. Varrimi bëhet sot në orën 5 pas dite…”

Më tej më thuhej se djali im, Altini, që e ka dashtë Fitimin sa babain e vet, është nisur për në Peshkopi…

Të faleminderit djali im! Me veprimin tënd m’a thave pakëz lotin, m’a çlirove pak shpirtin…

Fitim Dani ka mbaruar Universitetin në vitet 60-të. Ai ka qenë mësues, drejtor shkollash tetvjeçare e të mesme, ka qenë kryeinspektor në seksionin e arsimit. Ai i ka përcjellë arsimit në Dibër përvojën e një njeriu me kulturë të gjërë pedagogjike e shkencore. Dijet dhe përvoja e tij janë ngjizur në kujtesën e brezave të tërë nxënësish në Peshkopi e më gjërë. Njerëz si ai i bëjnë nder arsimimit të kombit dhe emancipimit të shoqërisë...

Fitim Danin e kam pasë komshi. Unë rrija në katin e pestë e ai në të katërtin…

Fitim Danin e kam pasë shok e mik. Me të luanim shah deri pas mesnate dhe pinim nga një teke nga ajo rakia e fortë e kumbllave të Dovolanit, fshatit ku kish lindur e kish kaluar fëmijërinë…

Fitim Danin e kam pasë vëlla e shkuar vëllait. Në ditët më të vështira të jetës sime si gazetar ai më fuste krahun dhe dilnim e shetisnim në bulevardin e bukur të qytetit të Peshkopisë, nën kurorat e blinjëve…

Fitim Dani më la atë ditë që unë po shtypja ftesat për martesën e djalit. Ai nuk do të vijë në dasëm, nuk do të më ulet pranë e t’i shtrëngojmë dorën njeri tjetrit, nuk do të luajmë shah e të pijmë nga një teke raki, nuk do të shetisim mbrëmjeve nën gjelbërimin e blireve në shetitoren më të bukur në botë, atë të qytetit tonë të Peshkopisë…Këtë nuk e kisha menduar kurrë…

Kur e lexova lajmin në ekranin e celularit nuk u besova syve, nuk i besova zemrës, shpirtit. Pyeta djalin e vogël që në atë çast e kisha pranë se si mund të ikte pa u ndjerë një njeri dy metra i gjatë, një njeri që bënte të luante vendi nga hapat e tij, një njeri që në zërin e tij kishte një mirësi prej mësuesi, prindi, shoku e vëllai,,,

I rashë telefonit dhe u lidha me të vëllain, me Bedriun. E ndjeva që qante tek më dëgjonte zërin, e dinte se sa të lidhur dhe sa të shtrenjtë kemi qenë për njeri tjetrin. Më tha se Fitimi kishte shtatë muaj që tretej dita ditës nga një sëmundje e pashërueshme. Kishim folë në telefon me Nifen, kishim folë në telefon me Fitimin. Nuk na kishin thënë asgjë. E kishin mbajtë për vete dhimbjen…

Kur telefoni u mbyll më mbërtheu ngashrimi. Mallkova kurbetin që na ndau e largoi, që na këputi shpirtrat e na i shpërndau si stërkala deti. I mallkova se nuk munda që t’i jem pranë shokut e vëllait të jetës në ditët kur ai kishte nevojë për mua, për t’i dhënë pak kurajo e për t’i zgjatur ditët e jetës. I mallkova sepse nuk mundem sot t’i jem pranë në ditëtn e lamtumirës, t’i prek fytyrën, t’i ledhatoj flokët, t’i hedh një grusht dheu të njomur me lot vëllai.

Kur erdha në vete dhe fillova të mendoj më gjërë e më gjatë m’u kujtua Nisa, vajza e vetme e Fitimit, krenaria e tij, dashuria e tij e madhe prindërore. Nisës ia kam telefonin, një numër telefonik prefiksi i të cillit fillon me 001…Unë jam vetëm njëmijë kilometra larg nga Peshkopia , kurse Nisa është shumë e shumë mijëra kilometra larg, në Amerikën e largët e nëmur gjithnji në “Vajet e kurbetit”, këngë që nisin e mbarojnë me refrenin “ O kurbet, kurbet i zi “.

…Në Dibër, në raste fatkeqësish, në odat e burrave, tregohen histori dhimbjesh, histori që secili i fillon me fjalët “ Ka dhimbje… por ka edhe dhimbje mbi dhimbje, ka keq por ka edhe keq e më keq…” Dhe tregojnë raste ku dhimbjet e dhimbjeve të mëdha njerëzore kanë bërë me të vërtetë që jo vetëm burrat por edhe gratë t’i përballojnë si burra”.

Unë jam në kurbet…

Edhe Nisa është në kurbet…

Unë kam dhimbje ...

Nisa ka dhimbje mbi dhimbje…

Kur i nisa këto rradhë thashë të bëj një elegji për shokun, mikun, vëllain tim Fitim Dani.

Kur e përfundova pashë që kisha bërë një elegji për vete dhe për të gjithë ata që jeta i detyroi të largohen “Nëntë male kaptuar”, si në legjendën e njohur të Konstandinit dhe Doruntinës.

U ngushëllova se në gusht, në Gushtin e Shën Marisë, kemi leje të dalim nga “kafazi”, të shkojmë të hedhim një dorë dheu të lagur me lotë kurbetlliu…

Ka edhe më keq: Kur të vdes njeriu i zemrës dhe i shpirtit dhe nuk të japin leje që të shkosh e të këthehesh…

Një varg ky ( i rrallë ) në elegjinë e kurbetit shqipëtar në Greqinë evropiane ( ! )

ABDURAHIM ASHIKU

Athinë, 1 gusht 2005

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page