top of page

Eksperimenti ‘M...’




Fatmir Terziu

Boll, mjaft më, se na e morët shpirtin! - ulëriu sa të mund Njeriu mbi të cilin ishte dita e fundit e dhjetë ditëve të paracaktuara me „kontratë“ shërimi mendor, ku një makinë elektronike e kurdisur elektronikisht ishte e fiksuar të godiste në mish të njomë dhjetë herë në minutë me një shkop gome kokën e Njeriut. Ai ulërinte. Të Tjerët vazhdonin. Makina godiste. Shkurt, askush nuk donte t’ja dinte. Prisnin të shërrohej…

Dyert ishin programuar të hapeshin vetëm pas mbarimit të goditjeve të llogaritura. Tek kamerat dhe nga kamerat ishin të lejuar të shihnin vetëm vëzhguesit e eksperimentit. Ishin ata të cilët ishin parapërgatitur më parë të bëheshin të durueshëm. Më të durueshëm u bënë madje kur u dhanë të pinin disa lëngje me efekt mosndjeshmërie njerëzore. Më tutje ishte vetëm rrënkim dhe… zbrazëti. Makina elektronike e miratuar nga Komisioni i Lartë Afërqeveritar vazhdonte të ishte goditëse mbi mish. Ajo as dëgjonte, dhe as kishte shpirt që të ndihej e prekur nga dhimbjet e atij trupi njeriu, që sa vinte e mavijosej, dhe mavijosej deri në zverdhje të plotë. Një ngjyrë që të tregonte se fati i atij mishi ishte thjesht tashmë për destinacion tjetër...

Boll! Boll...ll...ll...!- ulëriu ai trup tashmë i masakruar me një përshpirtje të lehtë nën buzë të thara. Një jehonë xhamgrishëse tendosi tërë atë ngushticë mes mureve të ngulura në ato strofka të sajuara e të strukturuara me kujdesin më të madh shkencor. Dhe ndërkaq ishte goditja e fundit, kur trupi i njeriut, gati i lehtësuar nga çdo ndjenjë u gjend në çimenton e lagur, të ftohtë e të ngrirë të sallës së ngushtë, e të errët të asaj godine me xhama të shtrenjtë. Ndërsa në anën tjetër të saj drita gati të verbonte në 24 orë, aty në atë anë ku vazhdonte eksperimenti, drita ishte kusuri i vetëm i përshpirtjes, që pasohej me një ‘ah’ të fuqishme nga gati njëqind e pesëdhjetë e tetë personat e seleksionuar.

‘Bukur!’- u dëgjua një zë i fuqishëm, tepër sfidues e entuziast, një zë që u kryqëzua me zhurmën e flashkët të dyerve elektronike që u vetëhapën pos ristrukturimit shkencor të goditjeve elektronike mbi mish.

‘Bukur fort,’ -shtoi po ai zë dhe mjaft zërra të tjerë oshëtinë duke tingëlluar gotat e shampanjës.

‘Fituam,’- foli tjetri që ndodhej më pranë.

‘Arsyeja?’- foli dhe pyeti një dikush i ngjashëm me të dytin.

‘Fitorja. Kaq mund të them. Krijuam njeriun, Njeriun e Ri. Dhe ja tani....’- shtoi përsëri dikush tjetër. Rrëmuja pas atij gëzimi, nuk jepte mundësinë të dalloje fort mirë tipat nga njëri-tjetri. E thënë më saktë, zor ishte ti dalloje. Ata kishin një fytyrë, një veshje, një sjellje, një gjuhë, një ndjenjë. Ishin shkurt Zyrtarë të Lartë.

‘Fituam, miq të dashur, fituam. Pas vitesh e vitesh eksperimenti ynë tregoi se ky njeriu i ardhur nga ai vend malor do të jetë pikërisht ‘Njeriu i Ri’ me të cilën ne do të ndërtojmë jetën e re të Globit, një jetë që nuk do të pyesë më për dhimbje dhe do të jetë një jetë pa ndjenja.’- foli i pari.

‘Pa ndjenja? E si do të jetë kjo jetë?’- pyeti ai që ndodhej më afër tij.

‘Ja kështu, siç jemi ne, si ne mëngjarashët e kësaj zyre. Si ne që s’kemi asnjë ndjenjë, asnjë dhimbje, asnjë dashuri... Ne vetëm kështu do ta kuptojmë se jeta e re është jeta që i duhet njeriut të ri’.

E ndërsa ata po flisnin e flisnin e gotat e shampanjës s’kishin fund në atë sallë me drita të ndryshme, ekranet e shumta në çdo anë të asaj godine jepnin papushim trupin e flakur tej mbi atë vend të ndotur e të ftohtë. Pas disa minutave trupi fluskoi. Në fillim i lëvizën krahët, pastaj diçka i lëvizi në fytyrë dhe gishtat filluan të dridheshin ngadalë...

‘Është në jetë! E çuditshme, është në jetë...’

‘Po tani? Si do të jetë fati ynë? Përsëri dështim?’

‘Jo. Ju jeni matufepsur. Ky nuk është dështim. Ky është pikërisht destinacioni që sjell dhe vulos fitoren. Aq më mirë që ai është në jetë. Aq më mirë që atë trup e kemi tashmë mes nesh. Dhe vetëm kështu do t’i tregojmë pjesës tjetër që nuk di asgjë për të, se sa i fortë është dhe ky pra do të jetë ‘Njeriu i Ri’. ‘Njeriu i Ri’ i eksperimentit tonë të Shekullit, „Eksperimentit mëngjarash“. Ne sapo kemi krijuar një sistem të duhur. Kemi ngulur tek njeriu i ri sistemin e akullit në mish. Një mish i akullt..., oh sa punë na bën ky njeri me mish të akullt..., në këtë kohë Akull’.

1.


Ndodhej në katin e fundit. Një ndërtesë e tillë me xhama i dukej si rrëza e Korabit, ku akulli divorcohej me tokën vetëm për pak javë, aty nga mesi i Gushtit, për tu rikthyer mjaft shpejt mes dashurisë së akullt me të, aty nga fundi i Nëntorit. Por ndryshimi edhe pse ishte i madh nga pamja e jashtme, në brendësi ai nuk binte në sy. Në katin e fundit të ndërtesës me xhama të merrej fryma nga diçka tjetër, atje në rrëzë të malit, fryma e lirë që qarkullonte në çdo hapësirë jepej me orar. Atje në rrëzë të Korabit flladi të lehtësonte çdo pore të lëkurës, vetëm kur prekje ajrin, kur shihje natyrën e zdruguar si me pllanë në të katër dimensionet e saj. Ndërsa mes xhamave të kësaj godine moderne, trupit i mbylleshin poret e lëkurës nga bulëzat e djersës që dilnin jo nga vapa, por nga sikleti i pyetësorëve. Atje nën Korab, ato bulëza të hidhura e të tejkriposura, gati thithnin tërë atë pastërti natyrore, tërë atë virgjëri natyrore, e pastaj e rikthenin në një trazim të kuqërremtë mes krahëve që shkulnin, gurë e shkrepa, kërcunj e trupa, në një zonë të rrethuar me tela me gjëmba. Dhe për çudi edhe këtu dukej se kishte një ngjashmëri. Ishte një eksperiment i ngjashëm me atë që kishte sunduar majë atij mali. Një eksperiment i ngjashëm me Njeriun. Me atë Njeri të cilit thuajse i ishin gatuar tërë ato „përkujdesje shkencore“ me të cilat një gjysëmshekull kishte dhuruar për të, se si ta bënte ‘Njeriun e Ri’.

Jo më kot në atë spital modern ai Njeri kishte dëgjuar disa herë: „Jemi me fat që na erdhi ky Njeri, ky do të jetë i duhuri i eksperimentit tonë, ky do të jetë modeli i Njeriut të Ri“.

Dhe ndaj, jo më kot këtu, në këtë ambient të rrethuar me xhama, këtij njeriu në transformimin e tij, si Njeri i Ri, i ishin bërë gati të gjitha kushtet, batanijet e leshta, krevatët e drurit, çimentoja e lagur, jastëkët e drunjtë, supa e ujtë, e madje edhe trajtimet që vinin nga duar të përgatitura mirë për të mos e ndjerë lodhjen. Duar Mëngjarashë, që godisnin papushim mbi mish të cfilitur nga të gjitha kusuret e asaj jete, ishin më shumë se një eksperiment imitues në atë Makinë Moderne Elektronike të këtij shekulli. Ata që pyesnin e mbanin shënime në ato kompjutera të mëdhenj, ishin Mëngjarashë. Mëngjarashë ishin edhe ata që e ngritën atë kamp në rrëzë të malit. Mëngjarashë..., ishin edhe këta zbatues të eksperimenteve më në zë të një gjysëmshekulli të errët për njeriun.

Kur u hap konkursi dhe u shpall në media, në televizione, radio, internet e në disa miniletra tip reklamash, që u ngjiteshin makinave, mureve, e restoranteve, shifrat e pjesëmarrësve në atë eksperiment nga më të paguarit e derisotëm, ishin maramendëse. Kishte nga e gjithë bota. Madje nga të gjitha kontinentet. Kushtet e caktuara në fillim i kishin vënë në dyshim organizatorët, madje sponsorët ishin gati të dyfishonin pagesat për këtë eksperiment, me qëllim që ai të mos dështonte. Kishin vënë kushte me të cilat thuhej se edhe elefantët me zor do ti përballonin. Por që të gjitha ishin marë nga një libër me kapakë të trashë „Raporte e Fjalime“ i udhëheqësit të vendit ku ky eksperiment kishte pasur gati gjysëmshekulli vendin kryesor në Qeverisje dhe kështu duke parë e duke eksperimentuar vetë ata në fillim nuk u besonin syve. Sidoqoftë eksperimenti nisi me një përzgjedhje të përzier, ku vendet u plotësuan me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Madje me një proporcion të barabartë racash, ngjyrash, besimesh e moshash. Ata që u seleksionuan kurë nuk mund të zëvendësonin atë Njeri që kishte ardhur nga malet, pikërisht këtë Njeri që tashmë ishte sërrish në jetë, pikërisht atë që donin ata, rikrijimin e Njeriut të Ri.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page