top of page

EKRANI


Rakip Zhguni

TVSH, TOP CHANNEL, VIZION PLUS, Shou. Krasta shou. Mini-mini shou. Telefono tani. Mozaik dritash e ngjyrash. Verbim shkëlqimesh. Fiton çmimin "Oskar", por divorcohet nga i dashuri. Se edhe i dashuri dashurohet me një artiste tjetër. Botë e ngatërruar. Poshtë korrupsioni. Të korruptuarit, hajdutët, banditët! Mjaft. U zbulua një planet i ri. Dritë e reklama. Portokalli. Të kam... Iii, sa turp!

Me gishta në tëmtha shpoj kujtesën. Me atë jam dashuruar trmërrësisht këto vite. Kujtesa ime hesht. Qindra gozhdë në mish. Ajo gur varri. Si e vdekur e pavarrosur. E cys. Jo, e cysin shout dhe bombat e ekranit. Ajo belbëzon. Diçka thotë, por as veten nuk e dëgjon. Xhoi, nektar i jetës. Përtyp orbit pas çdo të ngrëni. Niveli i pehashit në gojën tuaj... Ngrihen çmimet e artikujve ushqimorë për raste festash. Ngrihet temperatura e halleve. Ulet niveli i pehashit. Përtyp orbit. Standardi i jetesës është bërë orbitë ku vërtiten reklamat... Njeriu planet, satelit... Të vdekur, të pavarrosur. Mbështjellë me lecka. Lecknajë fund e majë...

-I vëmë qetë bashkë, xha Sadik.

-I vemë , të keqen xhaxhai. Ti dy bythë arë, unë dy. Na qoftë për hajër. Për një ditë mbille ti. Ditën tjetër unë.

-Jam i sëmurë, Sadik.

-Mirë, vij unë me kaun tim e ta ngas arën.

-Po ma bën borxh, xha Sadik.

-Mos e fol atë fjalë. Xha Sadiku vetëm shpirtin ka. Ti ke gjashtë kalamaj. Duan të hanë ata.

Të nesërmen fillon mbjellja. Pushimeve xha Sadiku nxjerr fyellin dhe e vë në cepin e buzëve. Unë sytë kureshtarë. Ç'do të bëjë? Ai i mëshon pak frymës dhe dëgjohen tingujt e shtruar të fyellit. Pastaj sikur merr zjarr melodia. As zogjtë nuk ndihen. Xha Sadiku këmbë përmbi këmbë. Fyelli në buzë. Gjethet e arrës mbajnë vesh. Matanë nga Gurrbaba zilet e dhive të fshatit. Atje bareshë syzeza e xha Sadikut.

Mu te shkozë e vjetër

Të zura pusi,

Hajde, moj syzezë,

Bareshë me dhi.

Tunde, syzezë, tunde

Vallen me shami,

Fukara i mjeri,

Fukarojë ti.

-Ç'thua, xha Sadik?

-Eh, thotë fyelli, thotë malli, brenga. Ajo syzeza ime iku, iku se nuk i pëlqeu Sadiku. Sadiku me lecka. Sadiku...

Top Albania. Shou. Telefono tani. Na mbytën celularët. Edhe përrenjtë e ferrat e fshatit nuk pushojnë me cërrcërre telefonash celularë. Telefono tani, kape çastin. Një çast. Sonte jam e lirë... Ara e xha Sadikut djerrë. Një djerrë me gjemba. Gjemba që të shpojnë kujtesën... Na ish njëherë një xha Sadik... Jetoi e vdiq i vetmuar. Me dy bythë arë dhe një ka. Dy pëllëmbë dhe të pamohueshëm që mban mbi varr. Aty mbillen leckat. Aty korren leckat. E hëngrën leckat xha Sadikun dhe sadikërit e tjerë.. Okej! Aksh artist u martua tri herë. Njeriu arriti në hënë. S'arrin ekrani te mjerimi. Mjerimi ndehet skaj më skaj. Ç'më duhet mua? Më mirë shalë në ekran. Ato të japin jetën, kuptimin e jetës, madje jetës moderne nëpër lakuriqësi. Dhe ara është tharë. As qyqja nuk e përfill. Fyelli i xha Sadikut ka mbetur me një vrimë. Vrima... Ky ekran që ekspozon shou. Krasta shou. Mini-mini shou. Telefono tani. Divorce artistësh, konferenca shtypi, bukë e ngrohtë nga Kanadaja, Shllafari moderne. Reklama, drita e ngjyra verbuese, marramendëse. Okej! Mjerimi në galaktikën tjetër. Miliona vjet e s'e gjejmë. E s'ia gjejmë fyellin. Atë fyell që qan jo më për syzezën bareshë, por për mjerimziun që zvarritet nëpër shalët e veta, se mos e zë skleroza. Dhe skleroza e bën t'i ikë çasti i lumtur. Telefono tani, të kalosh një natë të këndshme... Për mua s'ka rëndësi kur iku. Se edhe përrenjtë janë dëshmitarë të celularëve fshehtas. Mua më vret ekrani që i bie fyellit me një brimë: Top shou, Krasta shou, ivi rokoko, ava, deka, shalë, femra gjysmëlakuriq, divorce artistësh nën bombat e dritave verbuese, shurdhuese me horror, plagë e gjak...

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page