top of page

Eh, “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”

Updated: Apr 22, 2020


Eh, “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”


Prof Dr Fatmir Terziu


Skena e parë


Një zë i brishtë, i maisur me sinfoninë, që miklohej nga qindra zëra të tjerë, dukej se nuk gjente veten edhe në ajër, ndërsa qindra banorë të qytetit lundronin si degë të lumit Shkumbin, në rrugëtimin e tyre njëkahshëm trafikut të orës së vrullshme, që të shpinte më së shumti tek sheshi i autobuzëve fizarmonikë para Pallatit të Sportit, e që më pas fillin e tij e gjente diku në Metalurgjik. Damarët e qiellit herë fryheshin, e herë dukej sikur ligështoheshin mes vetes e me gjithnajën përreth tyre, ... dhe qielli, edhe pse ishte gri pikonte lagështi.

Rrjeshti i shlirshëm dhe i çrregullt në sytë e tërë asaj ndjesie, që më së  shumti mbahej kryeneçe buzë trotuareve, kapërcente shkallët e vogla para kinemasë “11 Nëntori”, përtej një rrugice, që ndante dy godinat ikona të kohës, vetë Kinemasë dhe “Shtëpisë së Pionierit” dhe i behej një dere të hekurt, që priste këtë rrjesht të pabindur jashtë kësaj dere të hekurt që bashkohej dualisht nga një zinxhirr i trashë me një dryn, aty ku Hajrija dhe Sanija, dy punonjëset e pastrimit të godinës, dukej se i nënshkruanin këtij rrjeshti atë panoramë diktati, që fjala e Drejtorit Zeqir Sarja do ta nënshkruante më një zë tipologjik: “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”

Në fakt këtë e kishte parë syri vizitor i ditës së parë në një pllakatë të gatshme, që s’dihej, se sa vite të tjera kishte bërë të njëjtin sy “mikpritës”, në sinore kohërash të tilla, të njëjta arsye kishte shkulmur nga kurioziteti, që binte sa mbi sytë kuriozë të kësaj disipline të rrethuar mes një muri që strukte “Kinemanë Verore” dhe “Lojërat me Dorë”, po aq dhe Lagjen (më saktë lagjet rreth e rrotull) me shtëpi të ulta tipike, elbasanase, aq dhe ndjesinë e përhumbur të vizitorëve, që tashmë bëheshin ‘denbabadenas’ të rregullit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Dhaskal Todhri”.

Skena e dytë


Protagonistët janë Edmond Tela dhe Zoja Bozgo. Të tjerët ndjekin me sy ndarjet e tërë atij rrjeshti të madh në klasa … që ende nuk kanë saktësi përcaktore. Më saktë emërtuese. Pra, ndarëse nga A-ZH-ja…

“Test në matematikë!” “Kjo është zgjidhja. Kjo!” Zërat e tillë diktues vinin nga kati i dytë, ku një derë e jo-pak qëllimshme ishte piketuar si e tillë, në të majtën e parë të koridorit, e që qëndronte gjithnjë paksa hapur. E aty hynin e dilnin më së shumti Zeqir Sarja dhe Behxhet Pajenga. Kur ndodhte të hynin të tjerët kishte një arsye ndryshe… Aty fillonte dhe metohej “disiplinimi”.

“Pra, kjo është zgjidhja! Test në matematikë…”

Dhe pastaj i shohim rezultatet dhe i përcaktojmë fatet… në këtë situatë rastet, pra “rastet” flisnin për ndarjet.

Pra … “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”

Dhe dita-ditës klasat hera-herës fryheshin e hera-herës tkureshin. Disa emra shtoheshin, disa fshiheshin. Disa gjenin udhën për tek profesionalet, disa ende u gëzoheshin “bursave” tek Pedagogjikja, disa e gjenin udhën e transferimit të prindërve, disa hallet e pathëna të asaj kohe, disa struknin lotët e padukshme në kohëra të atilla … disa me fatin e disiplinimit të ri dhe syrit vëzhgues të Hajrijes dhe Sanijes.

Eh, “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”


Skena e tretë

Klasat ishin shumë. Shumë nxënës në vitin e parë. Pak më pak në vitin e dytë. E në të tretin akoma më pak. Deri sa viti i katërt ishte një arsye krejt e kuptueshme pse ishin pak, madje fare pak. Më së shumti vajza nëpër klasa e pak djem. Fare pak. Ndoshta gjashtë a shtatë, apo një numër i afërt djem në ndarjet “A”; “B” dhe “C”… Pra, 'firoja' kishte bërë punën e saj… E këtu tashmë stacioni ishte e “IV”-A…

Në këtë stacion kishin kaluar aksioni i Dushkut të Belshit. Kishin mbetur në sytë e një numri të vogël gdhendjet e luanëve të djalit të Bedri Spahiut, që firmoste dy herë në ditë në polici e ai mjedis ku dy palë njerëzish kalonin dhe linin jo pak arsye tek ata që nesër do të mbanin mbi supe fatet e Atdheut. Një palë që gdhiheshin e ngryseshin në arat me luledielli e një palë që mbaheshin nën vëzhgim 24 orësh. Pjesa më e re dhe më e përkohshme, ishim ne, pra ata që kishin privilegjin të kishin më shumë ujë, sepse ujin e sillte autoboti dhe kishim arsye të tjera të dëgjonim edhe ‘mami moj, këto çarçafë janë të …” E ku ta dinim ne se vajza e ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, do të kishte një pretendim kaq të madh?! Mos të lëmë në harresë "shpellat e Hamit Matjanit" ku falë një magnetofoni gjendej kohë për argëtim... 

Ne të tjerët ishim në ditët që duhet të plotësosheshin nën termin “Aksion”. Ne ishim edhe të fiksonim fotografi dhe memorje, madje disa kanë mbetur kujtim i asaj kohe. Në këtë stacion midis të tjerëve kryememorja shkonte tek Arjan Starova. Nuk e di pse na dukej ndryshe?! Ndryshe dhe kur na jepte leksionet, ndryshe dhe kur na kërkonte mësimet dhe përgjigjet tek provimet…, sidomos ato tek bangat e para.

Një stacion tjetër ishte Zbori Ushtarak i Peqinit. Reparti në të hyrë të qytetit, djathtas me një portë të madhe me dy yje të kuq në pritje, ndoshta nuk do të fshinte nga ditaret e tij disiplinore atë që po ndodhte…

“Një natë shakaja do të shkonte tek një “krim” që e konsideronte koha… Dy djem shakatorë e të shkëlqyeshëm mblodhën rrobat dhe … rrobat u kërkuan gjatë se disa djem nuk kishin mundësi të dilnin nga kapanonet…, rrobat u gjëndën gjetkë të hedhura… Vinin erë. E kjo shaka u bë alarm. Alarm dhe ndëshkim … ! Pastaj veglat e pastrimit… dikush i kishte… E përsëri disiplina për moshën e asaj kohe nuk ishte thjesht një frikë, nuk ishte thjesht një zvarritje, si ato që na i shtonte plot inat Met Baxhaku, Natasha Civili dhe… në jo pak raste Luftar Taka.

Në sytë, pra në ato sy që tashmë ishin disi të lodhur nga librat e shumtë, ishte dhe një ndalesë e vogël që përkoi me “Sytë e Hasimesë”, por që s’u pa gjëkundi as “Përtej mureve të ngurta”, se shumë skena u filmuan me trupat tanë në lëvizje të komanduar tek ish-Markata e vjetër, brilantja dhe e paharruara e një qyteti madhështor, që ia shkulën nga zemra e tij e bukur. Ky stacion ngeli vetëm si një flashitje në sytë tanë. Ngeli që të shtohej si një memorje…

Të tjerat pastaj janë ministacione që pikëtakojnë e pikësfumojnë me Naim Tafanin e kalibrave dhe mikrometrave, apo me Hasan Koburjen e drurit, Bardhyl Shuteriqin e Fiskulturës e … me dhjetra e dhjetra të tjerë që kurrë s’do të harrojnë skenat, që mbahen mend e zor s’e harrohen. E kush nuk do ta kujtonte Nazmi Zambakun, dhe nuk do të rikthente sytë në kërkim të atyre skenave, që edhe pse ndodhnin në shkollë të mesme, do të kërkonin në mjetet gjeneruese të kohës “Shoku ynë Tili”… Ka mjaft në fakt, në këtë akt. Por le ta lëmë me kaq, ose më saktë, le ta plotësojmë duke u rikthyer ngadalë e ngadalë… me raste të tjera prapë, ndoshta dhe me ju shokë e shoqe bashkë.

Skena e katërt


U desh që të vinte karantina e këtij viti me Covid-19, që të zgjohej një ide kaq brilante. Dhe dy nga më të respektuarit në mesin tonë, Ardjan Hasekiu dhe Artan Shyti, i pari një biznesmen mjaft i suksesshëm në Shqipëri dhe i dyti një Inxhinier brilant e aktivist i vlerësuar në Itali, të na bënin bashkë pas mjaft vitesh. Është tashmë një rikthim dhe një shkundje e memorjeve të mbajtura për vite me radhë në një astar të përhimtë të memorjes. Dhe, ja ndiqni këtë ‘polifoto’ në kohë, për ta parë veten, ... si dikur rinorë…, e kjo falë mjeshtrit Artan Shyti. Në këtë skenë të katërt, më duket, ... kanë më shumë arsye të ndalen sytë, e jo më fjalët… 

Tre, nga kjo udhë e largët, tre, të paharuar kanë mbetur si pamje e pavdekshme përtej syve, i përkasin tashmë Yjeve atje lart në qiell. Të përjetshëm qofshin Naxhije Vila, Rakip Gjata dhe Fjorentina Stafa!

E këtë tashmë pas kaq vitesh të gjithë e dinë… Eh, “Mirë se Erdhët në …Këtu ka disiplinë!...”

@copyright



237 views5 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page