top of page

EDUARD  A. SKUFI: PËRJETIM       

  • Jan 17
  • 6 min read

 

  PARADOKSI  I  NJE  PAKO  SURPRIZE

 

Përjetim

DR. EDUARD  A. SKUFI

   ATHINE

 

 

Njeriu nga natyra e ka të vështirë të ndahet nga kënaqësia, që i lë pas bukuria festive e fundvitit. Dhe për më tepër kur rastësia e fatit, i ofron ditë të tjera të tilla, ai vazhdon me  dëshirë  refrenin e hijshëm  të  kremtimeve, mbase  dhe  përballjen  me  surpriza.

Iasoni, inxhinjer elektronik, pregatitej të festonte ditëlindjen por dhe pensionimin e gruas së tij Dr.Fedrës, në vilën e tyre në kodrën e Politisë, në periferi të Athinës. Atje ku aristokracia konkuron me komfortin e jetës, në ndriçimin  e  diellit të  përhershëm. Bashkë vendosën që festimin ta ndanin në dy ditë, ditën e parë me familjen dhe nipërit, ditën tjetër me shokë e miq. Në  të  cilën  ishim  ftuar  dhe  unë  bashkë  me  time shoqe. Morëm  me  vete  një  buqetë me lule të fresketa dhe një shishe  vere “Moscato  D'Asti” dhe  u nisëm. Derën na e hapi kujdestarja e shtëpisë, filipinezja e qeshur, e cila mbasi na uroi mirëseardhjen dhe u paraqit si Karmelita, na mori palltot dhe i vari në “porte manteau”. Iasoni  u ngrit me ngut, nga pianua Steinway ku interpretonte dhe na prezantoi me mikun e ri të familjes, i cili ishte vendosur pranë një etazheri, përbri një kuklle Pinokio. Ai ishte një robot domestik, i veshur në plasikë gri  dhe  metal  shkëlqyes,  në harmoni  estetike. “Hello, welcome home”, u dëgjua  tingulli i fragmentuar  i zërit të tij. Kuptova se inxhinjeri, realizoi  trikun me “remote control” dhe e bëri të flas. Eshtë Optimus,miku ynë,roboti i Teslas, që na erdhi dhuratë surprizë nga Florida, nga kunata im, Diana,  për ditëlindjen e Fedrës. Ne e shikonim me kuriozitet dhe me një formë habije. Nga dhurata e kohës tonë Pinokion, në atë të kësaj kohe Robotin, u shpreha duke  qeshur. Vetëm qenushi  Xhaku,  me pellushë të bardhë, i racës Canis, nuk e mirëpriti ardhjen e robotit, duke lehur vazhdimisht i revoltuar, por edhe papagalli tropikal Roni, i vinte  rrotull  Robotit, shoqëruar  me  cicërima  frenetike.

Ambjenti i dhomës, ku kombinohej gustua klasike  elegante me atë moderne, me llampadarë në dritë të sfumuar  dhe qirinj aromatikë, ku flakëzat e tyre krijonin reflekse ngjyrash mbi pikturat e varura në mur, ishte zbukuruar me kujdes e shije. Në njerën anë të dhomës, atje ku tavani bënte një thyerje, vazhdonte vetrata prej kristali, që të lidhte me imazhin panoramik të qiellit plot  yje  dhe  hënën  medaljon, si  pejsazh  natyror   magjepës. 

Një atmosferë e ngrohtë dhe romantike pranë oxhakut, ku si fillim u servir wiski me fruta të thata, që e çlironin bisedën. Iasoni u ul në një kolltuk pranë nesh dhe filloi rrëfimin: “Ishim duke u pregatitur për drekën dhe ardhja e një deliveri me një pako të madhe e të rëndë, mbi të cilën ishte shkruar “Attention-frangible”, na befasoi. Pako rreth 70kg, me gjatësi 1,85cm, çfarë  surprize  mund  të  ofronte?!...

Na pushtoi një ndjenjë kënaqësie që zakonisht sjell çdo dhuratë, por dhe dilema e të panjohurës që fshihet në të. Ndërmend më erdhi paradoksi i “Kutisë  së Pandorës”. Me  ato  ndjenja e  hapa  pakon  dhe  shpërtheva  duke  qeshur me lot. Aty veç manualit të përdorimit, gjeta dhe  një  kartolinë urimi  nga motra e Fedrës,    që e përfundonte me fjalët: “Motër e dashur, besoj se zgjodha dhuratën më të spikatur për jubilen. Tani me ndihmën e robotit shtëpijak, antropomorf, asistentit tënd, do të lehtësohesh  nga  punët shtepijake dhe së fundi  artriti reumatoid  kapricioz,  nuk  do të  shqetësojë  më”.  Ndërkaq  ai  bëri një  pauzë, mori në dorë gotën e wiskit dhe duke ju drejtuar  pianos shtoi “Dëshiroj ta zbukuroj darkën dhe tju uroj mirëseardhjen me “Nocturne” e Shopenit, çka është dhe preferencë e doktorit. Ishte një ambjent romantik, që mes tingujve të pianos, në atë recital, të  jepte  një  ndjenjë  prehje  dhe  ngazëllimi. Mandej kaluam në trapezari për të shijuar  varietetet  kulinare  të  zonjës  Fedra, dhe barbequen që pregatiste Karmelita në verandë. Megjithëse flisnim për çështje të ndryshme, biseda vinte përsëri tek Roboti, i cili u bë kryefjala e asaj mbrëmje. Ku Fedra na tregoi paradokset nga përdorimi fillestar i tij. Sesi roboti duke përdorur  fshesën me korent në pastrimin e tapetit persian, në një vend qëndroi më gjatë, duke dëmtuar me vakumin, thekët e tapetit. Vetëm një “stop”, i Iasonit e ndaloi, mandej Roboti me fshesën e korentit, po i afrohej oxhakut, ku ishte shtrirë Xhaku, dhe me tubin thithës bashkë me ndonjë grimcë të mbetur, tërhoqi me forcë bishtin e  qenushit, i cili  klithi  i trembur. Ne qeshëm të rezervuar, duke  diskutuar  me  njeri  tjetrin. Ndërkaq ndërhyri Iasoni, si specialist i asaj fushe: “Vërtet roboti është një servitor perfekt, por mbetet akoma larg niveleve  biologjike. Kështu kërkon një asistencë të kontrolluar, ndryshe mund të të vendosi në situata të paparashikuara. Integrimi i tij në familje nuk është i thjeshtë, sepse ai krijon entusiazëm modern, futurist”. Unë me rezervat e mia mbi përdorimin e inteligjencës artificiale, plotësova se inteligjenca artificiale mbetet një inteligjencë sintetike, të cilës i mungon një nga tiparet themelore të inteligjencës humane, koshienca dhe vullneti i lirë. Roboti vërtetë është një mrekulli, një dhuratë që po ndryshon botën, por duhet menaxhuar me kujdes, ai nuk ka ndjenjë dhe bazohet në një programim. Ime shoqe për ti ndryshuar kahun bisedës, ngriti gotën e verës, dhe uroi znj. Fedra për ditëlindjen,  por  dhe  për  dhuratën  surprizë, robotin. Ndërsa ne bisedonim dhe bënim shakara, u dëgjua një zhurmë si kërcitje, me një   sinjal “beep”, që  vinte  nga  qoshja  ku ishte vendosur  roboti: “Ju  lutem, më  vendosni  për  karikim”, kurse ne qeshëm me të madhe, Iasoni  këshilloi  Karmeliten, për ta  zbatuar  atë. Atë çast Fedra i kërkoi Iasonit të luante  në  piano  “Serenatën” e Shubertit. Po na kthen mbrapa    ato momente të bukura, i tha, i shoqi dhe  u  ul  në piano. Ajo   muzikë  magjepëse  na   udhëtonte   në   kujtime...

Mandej Iasoni kaloj në rock and roll, me “The King” të Elvis Presley, muzikë që të elektrizon e emeton  impakt, moment që troket në sentiment dhe ne filluam të lëviznim ritmikisht. Por këtu ndodhi një e papritur e këndshme, Roboti papritur, ju përgjigj me tinguj dhe lëvizje, muzikës. “Duket, që  ka  kulture  amerikane”,  tha  Iasoni  duke  qeshur. Mua  më  mbetej përshtypja, nga përvoja e pakët e Robotit, se ajo shtrihej midis të lezetshmes dhe misteriozes, midis  magjepsjes  dhe  zhgënjimit  funksional.

Mandej ai hapi  shishen  e  shampanjës, dhe të gjithë  ngritëm godat e kristalta  dhe filluam  të  këndojmë  “Happy Birthday”. Gratë nuk pritën  dhe  u  sulën mes humorit, mbi  tortë, keik  dhe  bakllava, të gjitha të mbështjella  në  një  atmosferë  dashurie dhe  vlerësimi. “Nuk mund  të  ecësh  përpara,  pa  i  thënë  lamtumirë  të  kaluarës, veçse ajo nuk është një lamtumirë, por një "A bientôt" që të kujton”..., “Mendoj se është me vlerë, t'ju komplimentoj, zonja ime, për shijet e servirura”, tha me  emocione  Iasoni   duke përqafuar Fedrën. Ne dakortuam me duartrokitje. Zëri i ëmbël i zonjës së  shtëpisë  na  ftoi të zhvendosemi në kolltukë, për të    pirë  çaj  apo  kafe. Ndërkaq  Iasoni këshilloi Karmilën ta thërrasi robotin me foni dhe jo duke  përdorur telekomandë, për të mbledhur serviciot dhe gotat nga trapeza. Ndërsa na bisedonim, duke  luajtur  me letra  pokerin  klasik, nga guzhina u dëgjua zhurma, prej thyerjes të disa pjatave. Karmila me një “my god” shikonte e habitur. Robotit i kishin rënë pjatat nga dora, në momentin që ai po i vendoste në lavastovilje. Fedra e alarmuar, mbasi u  afrua pranë  tyre, shqiptoi e dëshpëruar “sa keq, ishin kujtim me vlerë i prindërve të mi”, mandej në një buzëqeshje mekanike, për mos  ta  rënduar  situatën, u  kthye  pranë  nesh me shikimin nga i shoqi. Befasia jonë mbeti e pa fund, ishte e dukshme  pozita  e  vështirë  dhe  zhgënjimi  i  familjarëve. Mua mu krijua dilema, se i jepet leje kalimi një të panjohuri, të hyjë   në skenën e familjes, ku besimi pa transparencë  sjell thjesht, stres me  adrenalinë  dhe  pasivitet,  veshur  me   një  petk  modern.

Iasoni, ndezi puron dhe duke tundur kokën, me shikimin e fiksuar në mur, tek piktura  e  E.Delacroix “Greqia  mbi  rrënojat  e  Mesolongjit”, citoi: “Egziton një aksiomë që specialistët e kanë emërtuar, “paradoksi i Moravecit”, ideja se, “ato detyra që njerëzit i quajnë të lehta, mbeten të vështira për robotët”. Roboti anashkalon programimin kur dikush ndërhyn në hapësirën e tij     të veprimit. Kjo gjë duhet respektuar. Me një fjalë është  një autonomi në  asistencë dhe bashkëpunim, që kërkon dhe një periudhë adaptimi”…“Pse nuk thua që futëm belanë në  shtëpi, më duket si aventurë cirku. Çudi, çdo  dhuratë  ka  hijen  e  “kutisë së  Pandorës”, shtoi Fedra  e  trishtuar, në  një  zhgënjim  mirësjellës. Ndërkaq u ul në piano dhe vazhdoi: Më lejoni tani  tju argëtoj në piano me "The Best is yet to Come" nga Frank Sinatra. Ne spontanisht filluam të  kërcejmë, dhe fjalët e këngës  më çuan në meditim, vërtet  mendova “Më  e mira ende nuk ka ardhur”. Por kësaj  here  roboti  mbase i fyer, mbeti  i heshtur, në hijen e qoshes së  tij  dhe  nuk  lëvizi, ndërsa  Xhaku  luante  me  papagallin.

…Ana e vetratës e kishte prerë hënën në dysh, yjet dukeshin në shkëlqim të zbehtë dhe nata me një ndriçim të skajshëm, që  reflektonte  nga  lindja. Agimi i një dite të re po çelte. Bota po ndryshon shpejt, larmia e opsioneve të inteligjencës artificiale, në një farë mënyre po bëhet e ngjajshme, me “trendet” e mentalitetit. Mbasi u përshëndetëm me miqtë tanë u  larguam,  me  një  vorbull  emocionesh, nga ajo  mbrëmje e  këndshme ku shijuam miqësinë, mikpritjen   dhe   paradoksinë   e   asaj   “pako  surprizë”.

...Ajo nuk ishte fabul, por një mbrëmje që hapi dritaren e të ardhmes, e cila na vendosi  në një  aktualitet, që  troket në  ndjenjë dhe  në  koshiencë.

Janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page