top of page

Edhe të vdekurit fliskan gjuhë të huaj

Updated: May 2, 2023


Edhe të vdekurit fliskan gjuhë të huaj


Fatmir Terziu


Ishte krijuar tashmë idea se vetëm ata mund të shkelnin aty për 1 Majin e asaj kohe. U përzgjodhën mirë e mirë, e u seleksionuan me ndihmën e instancave më të avancuara me qëllim që të ndodheshin në atë Paradë të madhe të klasës punëtore. Lista ishte një arsye më shumë që tre nga katër rrugët e gjata të profesionalistëve të fushës zbuluese të bëheshin njësh me urdhërin nga Lart nga Kryeqyteti në atë pikë ku bëhej jo thjesht seleksionimi i atyre të miqve të huaj. Askush nuk e dinte misionin e vërtetë. Ajo që dihej ishte vetëm lista. Lista duhej parë me kujdes. Dhe kështu në tërë atë ngarkesë të madhe, prej rreth 180 vetësh me vizitorë special të huaj e të veshur mirë, që zbriti nga ajri ishin dhe ata tre, për të cilët kishte porosi speciale nga vetë udhëheqësi. Të tre i përkisnin jo vetëm asaj liste, tashmë të situr mirë, por dhe një të shkuare që kishte lidhje me vetë udhëheqësin, dhe miqtë që vinin nga vendi ku anglishtja ishte gjuhë e parë.

Nga ata tre, njëri ishte mashkull, dhe dy të tjerat ishin të gjinisë femërore (të paktën nga veshja). Nuk dihej në fakt nëse ishin zonjusha, apo të ishin zonja. Kjo të paktën zyrtarisht nuk ishte shënuar. Ndoshta zbulimtarët e dërguar nga Kryeqyteti nuk e kishin si detaj parësor këtë. Sidoqoftë në gjuhën e vendit të Kryeqytetit ata ishin shoqe.

Mjaftohet t'u thuhet „shoqe“, e t'u drejtoheni me këtë emërtesë atyre – mësohet të ketë qenë urdhëri nga Kryeqyteti. E natyrisht në zbritjen e parë etiketa e tillë i shoqëroi jo si në atë vend ku anglishtja ishte sa në gojëra, po aq dhe në letra. I ndoqi ky paraemërtim i cituar me aq finesë Kryeqytetase, pra të quheshin shoqe.

Pasi zbritën nga avioni, që ndaloi me përkujdesjen ndryshe, lista e përbërë nga 180 vetë, normalisht dhe me të tre ata në këtë aritmetikë, ku shoku dhe dy shoqet ishin me sa duket më të privilegjuarit, u pritën në një sallë të madhe nga një duzinë kryeqytetase. Ky ishte fillimi. Më pas dora e mbushur e vetë udhëheqësit i shtrëngoi fort ata duar delikate, që kishin mbetur në memorjen e tij, të atilla si në kohën kur ishin njohur atje në vendin e tyre, gjatë studimeve të përbashkëta. Pas kësaj ai u premtoi se do t'u krijonte mundësinë të shikonin të gjithë qytetet. Në fillim kaluan Qafën Kërrabës. Stacioni i parë ishte Elbasani. Të tre, ai shoku dhe dy shoqet ngulën këmbë që të vizitonin varrezat e qytetit, me pretekstin se u duheshin për ndonjë studim të mëvonshëm, ose aq sa ti bindnin ata që i shoqëronin. Pos porosisë nga Lart askush nuk mund ti pengonte. Kështu vizitën e parë e bënë tek selvitë buzë Shkumbinit, ku ndodhen varrezat e qytetit. Aty ndjenë atë që s'e kishin menduar kurë…


Kishin humbur të gjithë të dhënat. Nuk dinin se ku mund të ishte varri që kishin planifikuar që të vizitonin. E askush nuk mund ti ndihmonte për këtë. Madje as që mund të pyesnin. të ndodhur në këtë dilemë pëshpëritën me veten. Folën lehtë dhe mjaft ngadalë në anglisht. Në fakt folën lirshëm, se aty mes të vdekurve, nuk kishte askush që t'i merrte vesh në gjuhën angleze. Kur kthyen kokën nga e djathta panë një të moshuar, të lodhur, e thuajse gjysëm njeri, që ashtu i kërrusur pasonte midis rrugicës ndanë varreve të vjetra.

„Nuk besoj se ai na ka kuptuar. Shiko ai është thjesht një gjysëm njeri.“ – i thanë njëra-tjetrës.

„Po nëse na ka kuptuar dhe… të jetë ndonjë nga ata që na ndjekin? – i tha më e reja shoqes më të vjetër në moshë, ndërsa i treti, elemnti mashkullor bënte sikur të mso kishte interes në atë që ndodhte.

„Na piu e zeza.“ – ia ktheu ajo menjëherë.

E kështu vazhduan të flisnin sërrish, duke përmendur emrin e tij, atij gjenerali që kishte luftuar në dy luftëra dhe që kishte pasur fatin të jetë i ndarë nga gjaku dhe rrjedha e tij, pra të ndodhej i varrosur në këto varreza. Shtangën, madje e kishin humbur fare kur ai gjysëm njeriu, sipas tyre, që nuk ua mbushte mendjen, ua ktheu në anglisht.

„Në këtë jetë nuk ka rëndësi, se je gjysëm njeri, apo një njeri i bëshëm, por më e rëndësishmja është të dish të mbetesh Njeri“ - ua ktheu ai.

Pastaj ato ashtu të përhumbura e dyll verdgë në fytyra folën italisht mes njëra tjetrës, duke shtuar se ky budallai dika anglisht, po tani si t'ia bëjmë, nëse do të jetë një nga ata spiunët që na kanë vënë pas?!.

Ai mori frymë thellë dhe iu përgjigj edhe në italisht „Rrini të qeta, mos u shqetësoni! Unë nuk kam jam as budalla, dhe as spiun, por si mund të ju ndihmojë unë?!“

„Shoqet“ shtangën. Nuk e kishin menduar kurë këtë.

„Këtu fliskan edhe të vdekurit!“ – folën në gjuhën turke.

Ai sërrish ua përsëriti edhe në turqisht , dhe u tha se nuk ishte i vdekur ende, se Zoti i kishte dhënë mundësi të jetonte, edhe pse më parë e kishin dënuar me vdekje, por sikurse u sqaroi atë e shpëtoi një peticion i nënshkruar nga elita e kohës në Elbasan.

Ato u tronditën. Por ai vazhdoi t'u shtonte në turqisht, se nuk kishte vdekur edhe pse kishte bërë 18 vjet burgim, pjesën më të madhe në burgun e Burrelit. Në fund buqëqeshi pak dhe u foli sërrish në të tre gjuhët, se ai tashmë ishte thjesht rroje varrezash.

Të tre mbetën të shtangur. Shoqet kishin ngrirë. Atëherë folën dhe pickuan njëra-tjetrën. „Aha e kuptuam, pse na thanë kur u nisëm, se atje duhet të keni kujdes edhe muret, se edhe muret flasin dhe dëgjojnë“ – shtuan ato dhe … lanë varrezat të trembura. „Këtu edhe të vdekurit fliskan gjuhë të huaja!“ – pëshpërisnin me vete.

Kur mbërritën në hotel mësuan se ai që u foli në tre gjuhë të huaja kishte qenë dikur Kryeministër i Shqipëqrisë. Ata mësuan se ai fliste lirshëm disa gjuhë të huaja.

„Po ai ishte …“

„Rroje varrezash! Por… ka qenë dhe punonjës i Komunales, aty pranë WC-ve publike të qytetit“ – u sqaruan atyre.

„Si e ka emrin“ – u interesuan ato, por gjetën heshtjen, derisa lanë pas tokën shqiptare dhe emrin e tij e mësuan vetëm në ajër.

„Ai quhet Ibrahim bej Biçakçiu“ – u tha njëri nga shoqëruesit e listës, ndërsa trupi metalik që i transportonte herë strukej e herë përkëdhelej nga retë, në itinerarin e rrugës në kthim për tek anglishtja e vendit të tyre.

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page