top of page

E VEÇANTA FUTURISTE


E VEÇANTA FUTURISTE E MODERNITETIT POETIK TË SKËNDER BUÇPAPËS


Tashmë gazetat letraro-kulturore “Exlibris” dhe “Nacional”, në rubrikat e tyre të mirëstudiuara, përmes përvojave diturake të bordeve, kanë marrë përsipër të promovojnë vlerat më të mira krijuese, duke konsoliduar statusin e një institucioni të mirëfilltë të kritikës në botën e letrave, jo vetëm shqiptare, por edhe më gjërë.

Drejtimi i ri letrar, i proklamuar bindshëm në faqet e këtyre gazetave, nga studiuesja Floresha Dado, po reflektohet me sukses në krijimet e shumë autorëve, si një risi në artin shkrimor.

Me ciklin poetik të botuar në gazetën “Exlibris” 20 maj 2023, si dhe në shumë botime të tjera, poeti ekzistencialist Skënder Buçpapaj, në këtë drejtim letrar poetik, të ftilluar që më 1973, me vëllimin emblematik “Zogu i bjeshkës”, vjen përmes një futurizmi ekzistencial, të natyralizuar bio-shqiptar, në godinën e tij të artit poetik modern.

Për të provuar “fortësinë e cilësisë” poetike, të një poeti të vërtetë, nuk është e thënë të pishë gjithë damixhanin krijues të tij, por mjafton edhe një gotëz prej saj (si ky cikël) që të shurumojsh personalitetin krijues dhe vlerat e veçanta që ai poet përçon tek lexuesi.

Mua më mjaftoi edhe ky cikël me poezi e poetit Buçpapaj, që të konturoj personalitetin krijues nga llullaja e tij poetike, si një poet krejt i veçantë.

Që në botimin e vëllimit “Zogu i bjeshkës” më 1973, ai solli në poetikën shqiptare, modernitetin shqiptar tjetërlloj. Solli një vizion të ri, një poezi ndryshe, si motër e një poezie globaliste, ku gjuha poetike njësohet me ndërkombëtarizimin e saj.

Skënder Buçpapaj që në vitet e mbrapshta të 1970-tës, me një grup-target poetësh, erdhi si avangardë me vëllimin e tij të parë.

Ky cikël poetik, si shumë krijime të tjera të pas viteve 1990-të, në botën time futurologjike, më sollën koncepte të këndshme poetike, të cilat rrezatojnë dukshëm në realitetin e sotëm shqiptar, ndoshta – ndoshta dhe si binjake me futurizmin majakovskian të viteve 1920.

Në këtë koncept, idetë e perceptimit filozofik të jetës, arealit, shoqërisë, ngërthehen përmes një impresionizmi sundues, duke u bërë njësh me shprehitë shpirtërore, me historitë që përjeton autori, në hapsirë e kohë.

Me këtë ngjizje ngjyrash të larmishme, si një kometë nga hapsirat qiellore, të futurizmit majakovskian, por edhe të Tplanit të dashur, m’u përqas dhe ky cikël poetik, i cili çerdhen e vet e pati që në atë të zogut të bjeshkës.

Poezitë e këtij cikli më përcjellin besueshmëri, në sajë të një alternimi autentik, përmes asonancash dhe aliteracionesh të mrekullueshëm. Sintaksa fonetike e përsosur, të josh nga poezia në poezi me kadencat shprehëse.

Jo vetëm tek “Zogu i bjeshkës”, në vitfillimet e djaloshit Skënder, por edhe sot në vazhdimësi, poezitë vijnë si ato manushaqet pas shkrirjes së pllagmave të borës, duke sfiduar dimrin e cingërt të totalitarizmit soc-surreal, e sot “dhunën demokratike” të pushtetarëve, të cilët stimulojnë braktisjet e vendlindjeve.

Kjo lloj poezie vjen si avangardë e lirive shprehëse, krijuese, por dhe si një mirëkuptim nër vedi, mbi shumëllojshmërinë e të shprehurit, si veçori e pluralizmit krijues.

Sigurisht që Migjeni është Ai, i cili pas Franc Kafkës, George Traklit, Mirosllav Kërlezhës, Albert Kamysë, erdh në letrat shqipe, si emblema konseguente e një fryme të re krijuese. Në krijimet e tija, në poezi e prozë, rryma ekzistencialiste vinte e mpleksur me dukuritë futuriste, duke ndriçuar në mënyrë boreale, letrat shqipe. Aty e mori në vitet shtatëdhjetë dhe futuristi ynë, në mungesë nga koha, Skënder Buçpapaj, potencialin krijues, si një vazhdues i përkushtuar, skrupuloz i veprës migjeniane, të cilën poeti i ri e mishëronte në veprën e vet, si një kalorës templar i modernitetit perendimor. Siç përftohert dhe nga dukuritë futuriste, të këtij cikli poetik, në ekzistencializmin e tyre, poezitë mbartin edhe shirat meteorë të viteve 020-të të shekullit XX, por me një origjinalitet të natyralizuar, si një produkt i ri poetik. Ky origjinalitet, vjen përmes ndërlidhjes së abstraktes me realitetet e përjetuara, si dukuri fondamentale, në poezinë shqiptare, e cila buloi në “brezin e të penguarve”, në vitet 070-të, në shtretër shpirtëror të Moikom Zeqos, Visar Zhitit, Faslli Halitit, Frederik Reshpes, Thanas Dinos, Niko Kacalidhës, Agim Matos dhe djaloshit në ato vite, Skënder Buçpapaj.

Abstraksioni poetik, si një drejtim i ri poetik, po vinte si një inteligjencë e re, në artin e të shkruarit, i trajtuar si art gjer atëherë nga Ai “pasardhës” ( Migjeni).

Ky ekzistencializëm futurist, në bindjen time, vjen edhe në poezi, pas 50 viteve, si një simfoni, si një kujtesë, nga një qytetrim inteligjent, ardhur në trojet shqiptare me trojkën majakovskiane, me atë “bukurinë që vriste” shpirtrat e krijuesve në vitet 60-70-të.

Saja poetike e “Zogut të bjeshkëve”, ndërtuar me drurin e rrethinave të Tplanit, po vinte si një re kozmike, zhveshur nga abstraksionet e absurdit tematik të totalitarizmit, e tërhequr nga një mendim e ri, mbarsur me shpirtëzime, kumte e mendime të perspektivës. Poeti ynë i bjeshkëve, flak tutje predikimet soc-surreale, do i quaja unë tematikat e imponuara, duke guxuar të sjellë, atë çka i diktonte shpirti i tij krijues me universin gjithpërfshirës.

Në poezinë “Syshiu, je sybora ime syqiell”, autori ka rrokur përmes nënteksteve, funksionit shumë dimensional të metaforave, një kuptueshmëri të thellë, duke personifikuar drejtimin e ri poetik, si një shembull inteligjent i simotrave botërore. Poeti me këtë kuptueshmëri, sjell mesazhin e një uniteti shpirtëror si komb, pa ndasi krahinore, përmes një futurizmi ku:


“Shterron një krua në jug të jugut,

Për të buruar në veri të veriut.

Në gurgullimën e tij veriore,

Të vetmen e pashterrur,

Që s’ka shuar kurrë etje,

E kemi shtëpinë tonë”.


E më poshtë shkruan:


“Baraslarguar këngës së femrës bilbilit

dhe krahut të femrës, korbit.

E kemi shtëpinë tonë.

Dritare mbi dritare

Dritare krah dritaresh”.


sepse” Është një rreze ahu të pabindur

Dhe një perendimi të paperendueshëm

Që dikur pritën mes tyre

Dhe krijojnë kënde të kundërta, të gjëra, të ngushta”.


Në një poezi të tillë, gjithçka, përmes thellësisë mendimore, vjen në modernitetin poetik, përmes madhështisë të së thjeshtës, konkret dhe i prekshëm, si një përjetim, apo si një imazh. Në poezinë “Ju shohim ëndërrën”, një social-poezi, e cila në absurdin e sotëm të shpërbërjes të marrëdhënieve të bashkëjetesës në familje dhe në komunitet, ngren shqetësimet e problemet madhore sociale:


“Vdesim për t’ia parë ëndërrën,

Ëndërrat njëri-tjetrit,

Njëri-tjetrës,

Njëra-tjetrit.”


Imazhet që krijon poeti përmes funksionit artistik të elementeve të arealit, eksplorimi i mesazheve, konceptualiteti rebel, gjurmërimi në fusha të panjohura poetike, sigurisht, në thagmën krijuese të autorit, kanë pasur lejtmotiv, mësimin e çmuar të Viktor Hygoit, i cili na mëson: “kokën e njeriut kultivojeni, prashiteni, ujiteni, pasurojeni, moralizojeni, përdoreni, e nuk do të ketë nevojë për ta prerë”.

Që kur lexoja librin maket “Futuristët në mungesë” të Moikom Zeqos, më përqafoj atje në Tplanin e dashur, Skënder Buçpapaj, pas viteve 1974, i cili, i mbyllur në kullën e tij epositike, lexonte Migjenin dhe Majakovskin, mishëruar në art modern, tek voziste në liqenin e tij poetik, me këmbët e sytë Bjeshkëve të Namuna e Lugjeve të Verdha.

Në një areal të tillë epositik, ai definon artistikisht poezinë “Ti del me u pa”. Një poezi psiko-analitike e filozofisë sociale dhe raporteve të personalitetit të njeriut, në një ngërç shoqëror, ku veçoria është ajo që dallon e spikat të veçantën, si në universin shoqëror dhe atë krijues:




“Ti del me u pa.

Kur ti del me u pa

Të gjithë pasqyrat

Dalin me të pa”.

Dhe unë , - thotë bindshëm poeti ynë:


“Ndër të gjitha pasqyrat

Nuk po kam ku me t’pa”.


Poema do e quaja unë, “Mani i oborrit tim”, e cila sipas përftimeve të mija, ç’ka kam lexuar nga krijimtaria e Skënderit, jo vetëm tek ky cikël, vjen në poetikën shqipe si përfaqësuesja e denjë e një futurizmi, natyralizuar bukur, në arealin autentik shqiptar ku:


“Unë nuk jam brenda trungut të manit

Të oborrit tim.

Janë brenda tij vitet e mia.

Kubaturat e mendjes. Qerthujt e shpirtit. Kockat e frymës.

Tastat dhe tasturat e shqisave,

Fyejt e skeletit. Enët e mëdha, enët e vogla të gjakut.

Lëfytet e limfës

Kordat e nervave

Orkestrat e qenies.

Motosharra me zë të brendshëm rropullor,

Lexon solfezhin e rrënqethshëm të rënkimeve”.


Sepse, sot si shumë të tjerë, zemra e shpirti i poetit në mërgimin e trishtë, trishtohet se dhe:

“Zogjtë

Në kllapi të thellë

Gjindja as vdekur.

Dielli nuk lëshon më hijet e manit tim

Mbi fushën e Tplanit.

Hëna nuk lëshon më hijet e manit tim

Mbi kullën time”.


Këto prurje poetike, përmes funksioniit sipëror të metaforave dhe simboleve, duke thyer kornizat e kohës që bazoheshin në tematikat e diktuara, poeti i solli si një poezi tjetërlloj, e cila buronte nga subjektiviteti, përmes një vargu homerik të fuqishëm, i cili gjeneronte një frymëmaerrje të thellë nga mushkëritë e eposit shqiptar.

Kësisoj, ai erdhi në letrat shqipe, përmes një drejtimi të ri poetik, si një sfidues i fuqishëm i fjalës, si mjeshtër i metaforave, me gongun e zërave mitologjik e të legjendave. Poeti aranzhoi bukur fjalën poetike me ngarkesën emocionale dhe vlerat më të lartume të kumteve njerëzore.

Përmes metaforave si kapriata artistike, Ai ndërtoi godinën e vet të përveçme, të mendimit dhe filozofisë shoqërore, ku në qendër si gjenerator, vendos botën e madhe njerëzore. Kurrë nuk iu shmang rrugëtimit të tij estetik, por i njehsoi të dy jetët krijuese, binjake me njëra-tjetrën, para dhe pas viteve 090-të.Erdhi dhe qëndroi në letrat shqipe, krejt i veçantë, bioshqiptar, pa asnjë përqasje me asnjë tjetër, lakonik përmes timbrit të veçantë verior.

Ekstratet e baladave epike dhe universi e pasioni krahinor, u bënë majaja e brumëzimit poetik, si një magji metaforike e vargut, si baza themelore e ngrehinës poetike.

Metonimia dhe monologu poetik në poezinë e tij, vjen depërtues, si në “birat e dheut”, ku paqtohen të parët, duke krijuar me nëntekste, ura të padukshme të lidhjeve të poetit me lexuesin, me bashkëkombasit.

Në këto kontekste, poezia vjen dhe si një angazhim ndaj Atdheut, kombit, përmes një universi, sa dinamik, aq edhe njerëzor, përmes rrezonimit të dritave poetike e fonemave gjuhësore. Ndaj gjithçka në poezinë e Skënderit, vjen si një organizëm i gjallë në magjinë poetike, duke na dhënë edhe portretin alpin përmes madhështisë së bjeshkëve ku:

“Bota

Është një tingull i gëzuar dielli,

Në buzëqeshjen tënde”.


Kjo poezi e natyralizuar, vjen përmes raporteve tejet të sinqerta dhe reale, shoqërore, shpirtërore, me arealin që e rrethon, si impute të domosdoshëm artistikë. Ai vjen i gjeneruar nga një ligjërim i thjeshtë dhe i sinqertë, përmes dimensionit universal me botën, qiellin, diellin, dritën yjet, hënën.

Përmes këtij spektri poetik, paksa i fshehur nën palimpseste, kjo botë, ky realitet shndërrohet në gjuhë perendie në poezi, ku çdo fjalë, në pentagramin e jetës, ka tingullin e tij të veçantë, e në përbashkësi përbëjnë solfezhin poetik, si një uverturë jetësimi të kumteve njerëzorë.

Siç e ka cilësuar dhe profesoreshë Klara Kodra, në konceptin e tij të thellësisë metaforike, Skënderi përdor me sukses efikacionin artistik, nëntekstin e fuqishëm mendor e mesazhier, përmes palimpsesteve, si një armë, sa e thjeshtë në dukje, po aq përcaktuese në krijimtarinë e tij.

Inkubatori i kësaj arme është funksioni artistik i natyrës, ku toponimia, si produkt i natyralizmit, është kthyer në një integral poetik i përhershëm për poetin. Çdo gjë në arealin përjetues, vjen si thagmë e shpirtëzimit të gjithçkaje, duke e mbajtur poezinë, larg grackave të një futurizmi hermetik e kozmogonik. Kjo vjen këndshëm si një futurologji e elektrizuar nga gjeneracioni i natyrës shqiptare në poezinë “Çfarë nuk është unë, është ti”. Një social-poezi e cila në sindromin e tallavasë së sotme shoqërore, kontraversi poetik, vjen përmes absurdit me filozofinë e tjetrit:


“Dalldisje e larave të verdha me të zezat,

E larave të zeza me të verdhat.

Hazdisja e arit të kulluar në qelibar të zi

E qelibarit të zi në ar të kulluar:

Fantazi muzikore e shkruar palexueshëm

E kënduar padëgjueshëm”.


Në këto prurje të stazhionuara ndër vite në laboratorin krijues, poeti vjen si mjeshtër i subjektiviteteve liriko-sociale, duke mos u trandur nga ngërçet, trysnitë e kohërave dhe sitemeve të ndryshme shoqërore. Me inteligjencën e tij krijuese, sharmin poetik universal, me zgjuarsinë e tij, i kthen ato ngërçe shoqërore në poli-etikë estetike. Këto lloj poezishë, shartuar mbi nënshartesa të një dimri të cingërt zemërak, vijnë me mrekullinë e tyre, duke mbajtur trokëllimën e një pastodokleje asturiane, frushullimën e një flaknaje të folkut zvicerian, ushqyer me aerosolin e arealit të Tplanit të dashur.

Siç duket, poeti ynë avangard, me dukuritë futuriste, që kur i dha lexuesit produktin e parë poetik “Zogu i bjeshkës” e kishte në zemër, si mentor estetik Bodlerin, ndaj ai s’iu nda motos së tij estetike se: “Gjithë universi i dukshëm, nuk është gjë tjetër veçse një magazinë imazhesh dhe shenjash, të cilat imagjinata do t’u japë vend e vlerë relative; është një kullotë të cilën imagjinata duhet ta hajë dhe ta transformojë”.


Maj-qershor 2023 Vladimir Muça

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page