top of page

Ju rikujtoj librin tim „Flamuri im“

Updated: Dec 2, 2023




Ju rikujtoj librin tim „Flamuri im


Jemi i vetmi Komb, që për arsye të shumta, kemi Himnin e Flamurit, Himnin tonë Kombëtar të shkruar nga kryeqyteti i një vendi mik, i një vendi tjetër ballkanik. Pra nga Bukureshti i Rumanisë, ku në vitet që u shkrua ai kishte një atmosferë patriotike shqiptare të ndjeshme atje.Sikurse dihet, Himni i Flamurit është Himni Kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 1912-të. Muzika e Himnit vjen nga kënga patriotike rumune „Pe-al nostru steag e scris Unire“ (rumanisht: Në flamurin tonë është i shkruar Bashkimi), kompozuar nga nga Ciprian Porumbescu. Teksti u shkrua nga Aleksandër Stavre Drenova, i cili mbështetet gjerësisht në tekstin që Andrei Bârseanu i kishte kushtuar këngës rumune dhe njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Himni i Flamurit.

Sipas Lagush Poradecit, ky u zgjodh si Himni i Shqipërisë sepse: “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë...”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

"Himni i Flamurit" ështe i vetmi himn në botë që i kushtohet simbolit të flamurit. Ndaj miqtë e mi dhe dashamirësit e shkrimeve të mia, librave dhe krijimtarisë sime, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ju rikujtoj librin tim „Flamuri im“.

***

Krenohuni me Flamurin e shqiponjës dykrenore dhe simbolikës së gjakut të derdhur. E kuqe, krahëhapur dhe dykrenare. Një flamur që garanton udhën, jetën, rrënjët, paqen, lirinë, sfidat e mjaft të tjera. Për atdhetarë, shqiptarë, burra dhe gra, të moshuar e të rrinj, për të gjithë, si unë dhe ti.

Krenohu me Flamurin, familja ime, bija ime, djemtë e mi! Krenohuni me Flamurin fisi im, Flamurin që e ngriti me dëshirë dhe forcë sublime rrjedhëgjakësi ynë Patriot, Ali Terziu, në një territor të ndjeshëm Arbëror, në një territor të bukur e të madhërishëm shqiptar, në kohën kur të tjerët i ishin sulur për ta gllabëruar nga trungu i mëmësisë. Dëgjjoni zërin e tij në shekuj, valëvitjen etij, gjuhën e tij, se aty është historia, kënga, loti, britma dhe oshëtima, progresi dhe trashëgimia, e qara dhe ninulla, e ardhmja dhe fëmija, ajo që ndajmë në sytë e Tjetrit. Flamuri ynë kuq e zi nuk pasqyron vetëm të kaluarën, bijtë e mi, por qëndron për shumë më tepër, në lartësinë e e tij, edhe pse disa herë e në disa raste e kanë tentuar pët ta nëpërkëmbur, e shkelur, e sakatuar, e masakruar, e keqtrajtuar... Dhe në këtë epokë të madhe të fatit të shqiptarit, Flamuri ynë valon e valon, duke iu lutur Zotit, që shqiptari dhe udha e tij të kenë dritë, edhe në ato skuta ku gjithnjë u qaset erresirë.

Flamuri ynë ende fluturon në ballë të dhimbjes, udhëheq lëvizjen përpara drejt vetëintegrimit, dhe aty është bekimi i gjithësecilit, djersa, mundi, dashuria dhe e gjitha që e ka karakterizuar shqiptarin që në lindje. Aty është shqiptaria. Aty është edhe problematika, edhe mërzitja, edhe ngacmimi tek vetja, aty është e gjitha, por mbi të gjitha aty është Bashkimi. Forca jonë e madhe në shekuj e mbijetesës. Aty është edhe bekimi për të rimarë udhën e jetës, të kthesës së madhe dhe të mosbraktisjes totale. Aty është gjaku im, aty është Flamuri im… Aty është vendi im.

Vendi im është me Ty,

vendi im është me Ju,

vendi im je Ti,

një shënim i ardhur nga mijëra vjet në histori

për Ty këndoj,

për Ju lutem përditë.

Unë po guxoj të krahasoj

për ata që nuk nuk e kanë njohur atë vend

do të përpiqem të jem i drejtë, besoj,

mornica më dalin në trup përnjëherë,

ndaj me vetveten këndoj një këngë që ende më therr ....

Vendi im ishte shumë krenar.

Vendi im është plot krenari. (Vendosni këtu flamurin tuaj të Patriotizmit ndër sy)

Imagjinoni njëherë e një kohë, atë ditë, atë vit…

Prapa ëndërrave të sprapsura…

Vendi im ishte i sigurt natën, ju mund të linit dyert të hapura.

Vendi im është më i frikshëm, ju nuk ndiheni të sigurt derisa tufat e qenve shëtitës të largohen me një kockë në gojë nga kazanet e zbuluara dhe shufrat e salduara me hekur dhjetësh dritareve të jenë në vendin e duhur.

Vendi im ishte një vend ku e dinit se mund të gjendej një mjek që të ju vinte në shtëpi nëse ju duhej për nënën, babain, fëmijën apo… të sëmurin, që miliona trille sëmundjesh në shtratin e tij e shkundin dhe e mundin.

Vendi im është një vend ku pacientët vdesin duke pritur për një mjek, në korridorin dredharak, ku kuleta nuk mund të hapet e mbyllet me pak.

Vendi im ishte plot me fusha qelibari të mbjella me grurë.

Vendi im është tashmë plot me alarme qelibari dhe po kërkon fëmijë të humbur në fushat e drithit qelibar, që mbajnë kokën nën thundrën e betonit të shpëlarë.

Vendi im ishte me shpresë në dritën e pastër të mendimit të mbarë.

Vendi im është tashmë plot me dhjetëra televizione, publike, private, dixhitale, kabllore dhe satelitore që thuhet se janë në garë, dhe asgjë për të parë.

Vendi im ishte një vend ku flamuri ynë respektohej në të gjithë botën.

Vendi im është një vend ku ne respektohemi akoma .... për sa kohë që ngrejmë me mundin dhe bulën e djersës emrin e Shqipërisë dhe shqiptarit të mirë në podiume, konferenca dhe simpoziume.

Vendi im ishte duke u udhëhequr në rrugën drejt së ardhmes së mbarë me takt, për aq kohë sa ia punuan pas shpinës bijtë e etërve dinakë.

Vendi im po shikon gjithmonë mbi supe për të parë se çfarë po vjen nga e djeshmja që ia mori frymën në gardh. E në këtë rrëmujë pret që dikush të vij, si mik, si ndihmëtar të tregojë ndonjë përrallë, se si mund të vjellësh, si mund të bësh truallin gërmallë.

Vendi im ishte një vend i shkëlqyeshëm për pushime, për një ditë mbarë me familjen, i linte dyqanet pa qepena, karriget përjashta dhe shtëpitë pa kanata.

Vendi im është shtet i kapur nga droga, nga korrupsioni, nga bandat dhe krimi, mos e pranoni po të doni.

Vendi im ishte i fortë dhe gjithnjë kishte individë konkurentë, madje dhe në vivel botëror e them pa frikë, në konkurset për njohuri dhe matematikë.

Vendi im është në mbështetje të jetës së tipit, kalova dhe sot, ia hodha edhe kësaj dite, dhe bën ende pis me sfilata dhe mise lypësit e rrugës dhe uzurpatorët e zyrës.

Vendi im ishte familja ime, zgjedhja e parë, e një vendi për të jetuar, për të qenë i lumturuar. Për të qenë i qetë edhe duke menduar.

Vendi im është ende familja ime, zgjedhja e parë e një vendi për të jetuar ... mezi pres që të vijë ajo ditë, mezi pres të dalim në dritë, të hiqen qepenat, të largohet korrupsioni, të hapen vendet e punës, të riformatohen shkollat dhe universitetet. Të rifilloj jeta, besimi dhe kthimi i mijëra shqiptarëve që enden rrugëve të Botës.

Vendi im është me Ty

vendi im është me Ju

vendi im je Ti

një shënim i artë në histori

për Ty këndoj,

për Ju lutem përditë.

Shpresoj ta merrni kuptimin

nuk më ka lodhur shumë duke e shkruar

e doja, e desha, por tani jam duke e dashuruar

për Ty këndoj,

për Ju lutem përditë duke kënduar:

„Shqipëria ime e dashur je ende e bekuar!“

***

Dhe aty, aty tek ky Himn është dhe shpresa blu. Butësia e qiellit blu dhe qasja baticore dhe zbaticore e Jonit dhe Adriatikut, është kaq elegante dhe e butë. Në të njëjtën kohë, aq shumë është e panjohur, dhe e pazbuluar. Është si një mrekulli. Ka kaq shumë perspektiva për të zbuluar. Joni dhe Adriatiku janë si një aventurë nga njëra anë. Nga ana tjetër është si një vend qetësues. Janë blu. Janë poshtë qiellit blu. Blu, aty Ju mund të jeni të lirë dhe të gjeni lirinë, gjithashtu. Zhurma e valëve mbi të cilat ju mund të ndiheni larg, me blunë nuk jeni thjesht në një vend të largët të imagjinatës. Ju nuk keni nevojë të keni frikë nga asgjë atje. Është vetëm blu dhe butësia e valëve mbetet një melhem që shpëton problemin nga problemet tuaja.

Ju mund të gjeni dashuri dhe paqe. Ju mund të jetoni në harmoni të pastër me veten tuaj, dhe ndoshta me thesarin tuaj të çmuar, ju nuk jeni një, as vetëm, se dhe vetmia që është atje, ajo tretet tek e dashura juaj. Por jeni së bashku këtu. Është blu. Së bashku do të gjeni një rrugëdalje nga të gjitha hidhërimet tuaja, siç e bën bluja e këtyre deteve, nën blunë e qiellit. Prandaj, kur ndonjëherë nuk gjeni ilaçin për të larguar anën e errët të botës që ju mundon, mendoni për këtë vend të harmonisë së pastër. Është blu. Blu-ja ju ndihmon.

Blu-ja është një ngjyrë kryesore në të gjitha modelet e hapësirës me ngjyra. Është ngjyra e dy deteve tona, dhe e qiellit, por edhe e Oqeaneve. Jo më kot simbolizon qetësinë, stabilitetin, frymëzimin, mençurinë dhe shëndetin. Është një ngjyrë qetësuese dhe simbolizon besueshmërinë. Atëherë pse jeni në mëdyshje? Kërkojeni blu-në dhe mos e braktisni atë. Blu! … dhe vetëm Blu!

******

Drita blu

Atje je Ti, je Shqipëria ime. Atje në gjoksin tënd është hapi im. Janë shenjat e mia të fëmijërisë. Në syrin tënd është loti dyfish i gëzimit dhe dhimbjes. Në trupin tënd është flladi dhe drita.

Atje… je Ti. Je drita e ndritshme. Je Gjeografia ime e vijave të kufizuara në hartë. Je pjesa dhuratë nga Perëndia. Je me fat? Që nga krijimi, që nga lindja ishe dhe mbete e tillë. Mbete se e doje dritën blu. Drita blu është një ngjyrë në spektrin e dritës së dukshme. E dukshme, aq sa mund të shihet nga sytë e njeriut. Drita blu është një gjatësi vale e shkurtër. Kjo do të thotë prodhon sasi më të larta energjie.

Atje je Ti. Je energjia ime.

Atje… jam me të gjitha, me të gjithë. Jam dhe mbetem atje… Atje… Është bëlbëzima. Është drita ime e parë që nga momenti i lindjes. Është e gjitha që ndodhi me ne. Është drita e pastër edhe nëse qielli është plot me re. Është drita e qashtër dhe kur duket se kjo errësirë e ftohtë dhe e pafund nuk është e mundur.

Dhe ti e ndjen.

Dhe ti pret.

Dhe ti pyet duke u tretur: a ka pak dritë të ngrohtë dhe të ndezur. A ka dritë të dukshme? Kjo dritë është si një flakë që shkëlqen. Është më shumë se çdo dritë. Më shumë se çdo dritë që keni parë ndonjëherë. Është mjaft e fortë. Është dhe e fuqishme. Është për të mposhtur të gjithë errësirën. Është për të zëvendësuar gjithë zezërrimën që është brenda jush. Është drita që duket në fund të këtij tuneli të dhimbshëm. Është drita në skajin e daljes nga ky tunel.

Dhe nëse nuk mund ta shihni, ose tulateni ta gjeni, më besoni në Fjalën që Ju them, më lini të jem për një moment në skicën time, vetëm për pak minuta drita juaj, në këtë kohë ku fjala vuan, në këtë mot ku gjuha na mbeti e huaj, në këtë stinë ku trupi ka mbetur si i përvëluar.

Dhe në emër të dritës fajësoj.

Fajësoj: Për ëndrrat që vdiqën.

Akuzoj në dritë të pastër: Për dashurinë që ma zhvatën.

Urrej: Për buzëqeshjen që më morën.

Ky je ti, dhe ai, dhe të gjithë…

Por duhet të dalim në Dritë. Në dritën e duhur prej Fjalës së zezë…

Jemi në këto ditë, gjendemi në këtë dritë, se donim të fluturonim larg, ndërsa errësira ende djeg krahët tanë duke na mbajtur të kotë, në errësirën e ftohtë.

Dritë në tërë këtë errësirë?!

Dhe shfaqesh me një depresion. Kur të shoh kam dhimbje, kam ftohtë. Kam drithma ethesh si natën dhe ditën, ndaj të fajësoj që më vrave dritën.

Depresioni është tek ty... Si një „mik“ i vjetër të fton të hysh brenda kësaj errësire. Jashtë kësaj drite. Familjar. Ngushëllues. Butanak. Shejtan fjalësh. Do të të kapë në krahë dhe do të të mbajë afër. Edhe ty o i ri, që shtrëngon torbën të ikësh nga sytë këmbët, edhe ty o i moshuar që mezi i hap sytë, edhe ty që mbete i dyzuar në një rrjesht të ekspozuar për tu injektuar me vaksinën e propaganduar… edhe juve … që ju mbërthen pa e kuptuar Depresioni. Dhe kur të jeni gati të largoheni, nuk do t'ju lejojë të shkoni?! Ju do të luteni dhe do të luteni të jeni të lumtur, dhe do të jeni si në një luftë. Kjo do t'ju bëjë të mendoni se mënyra e vetme për t'i shpëtuar këtij depresioni është të merrni jetën tuaj. Nëse jeni me fat, mund të liroheni, dhe kjo do të iki, do të zhduket dhe do të të shikojë nga larg.

Thirrja e emrit tuaj. Mos e ndjeni veten të huaj. Thjesht vazhdoni t’i thoni vetes që gjithçka është në kokën tuaj. Vazhdo të lëvizësh. Do të arrini në dritën e dukshme. Ky lajkatar është thjesht një vrimë në errësirë. Duro dhe dil të kërkosh dritën që humbe dje. Depresioni nuk është ai që je. Mos e humbni këtë shans. Këtë shans historik, që vjen një herë dhe vetëm një herë, ua them pa frikë! Dilni në dritë! Në dritën blu, dritën e dukshme. Drita blu, sikurse e shpreha, ka gjatësi vale më të shkurtër dhe energji më të lartë se ngjyrat e tjera.

***

Tek ky Himn është e dashura Shqipëri.

E dashur Shqipëri!

Ju jeni e bukur, jeni e fortë, e palëkundur, durimtare dhe Ju ia vlen në të gjitha drejtimet të konkuroni me të gjitha shtetet e kombet. Megjithëse Ju, Shqipëria ime e dashur keni ndoshta një Qeveri me nderin më të ulët, me një Kryeministër në kulmin e tij të agresivitetit, të vetëbesimit dhe injorimit të Tjetrit, sidomos të gazetarëve dhe medias. E dashura Shqipëri, Ju ende mbështetni politikanët që janë të shtrembër dhe urrejtës, dhe i duartroket e i mban akoma në pushtet, edhe kur Ju trajtojnë keq, edhe kur emrin tënd e kanë bërë vetëm marifet për të ardhur në pushtet. Ju e shtrenjta Shqipëri, meritoni shumë e shumë më shumë, meritoni të jeni shumë e shumë më mirë. Ju përfaqësoni të gjithë ata që kanë në zemër dashurinë, punën e vështirë, lotët dhe buzëqeshjet e njerëzve nga çdo besim, nga çdo krahinë dhe nga çdo përkatësi etnike.

E dashura dhe e pazëvendësueshmja, Shqipëria ime, mos lejo kurrë një politikan t’ju thotë se këto virtyte ju bëjnë të shëmtuar, ose të dobët ose ndonjë gjë më pak se Ju, që është e bukur, që është krenarie e ligjshme. Ju jeni e mbushur me inteligjencë, inovacion dhe sipërmarrje. Ju lutem, ju lutem o Shqipëria ime e bukur, mos i lë kurrë këta politikanë që përpiqen të pakësojnë sukseset dhe arritjet tuaja duke shpifur ëndrrën e madhe shqiptare!

Është e qartë për mua se gjërrat ndryshojnë, se nuk kanë të bëjnë gjithnjë me vlerën tuaj, por ama kur një pushtetar i akuzuar, i bën bisht drejtësisë, kur një Ministër i akuzuar mbrohet nga Kryetari i Qeverisë tënde, të lutem bëj më të mirën për ta larguar, se ndryshe djemtë dhe vajzat ose do të mbushin burgjet, ose do të ikin nga sytë këmbët. Më vjen keq që ju do ta lini një ish Ministër të tillë jashtë duarve të Drejtësisë, ose një Kryeministër të mbajë në gojë “Kazanin” për të mbuluar tymin e hashashit që del nga trualli yt, e këta nuk meritojnë për të përfaqësuar bukurinë tuaj të radhë Perëndesha e Bukurisë së Ballkanit. Më trishton se nuk do të mund të më kuptojnë disa, as disa kolegë që kanë vuajtur dhe vuajnë, por nuk mërzitem fare se do të mërziten disa njerëz që falë emrit dhe thjeshtësisë tënde ende mbajnë kollare.

Por nuk më vjen keq që luftoj me penën time për vlerën tuaj, dhe më e rëndësishmja për njerëzit e mi që shkelin me këmbë padashje trupin tënd Hyjnor. Atyre dhe të Gjithëve u them me ndjenjën e dhimbjes “Luftoni për diversitetin, luftoni për të drejtën dhe ligjin, luftoni për Ëndrrën Shqiptare, që është ëndrra Europiane dhe refuzoni ta lini atë ta vdesin të korruptuarit e Qeverisë me duart dredharake të politikës meskine dhe të së keqes!

Unë e di që ju ndjeheni sikur nuk jeni mjaft e kënaqur me politikën e këtyre viteve të Tranzicionit. E di që nuk ndiheni e sigurtë, sepse politikanët ju kanë bërë që të mos jeni ajo që duhet të ishe. Unë e di betejat janë humbur ose kanë dështuar nga ata që janë zgjedhur për t’ju përfaqësuar. E di se si ndihesh e frikësuar të tregosh se kush je, sepse dikush ju ka keqpërdorur, ju ka thyer, ju ka dhënë një emër të keq, por të gjithë bashkë, sidomos intelektualët dhe akademikët duhet të zgjohen, për ta ndrequr sa më parë. E vërteta është, ndoshta ata që po ju tregojnë këto gjëra, janë ata që janë thyer dhe kanë nevojë për rikthim tek forca e tyre.

Ju lutem koha ka ardhur që të shpëtoheni nga pleshti që ju helmon! Çlirojeni veten nga të gjithë politikanët që ju vendosni ju dhe njerëzit tuaj, të cilët përqendrohen vetëm në gjërat negative rreth jush dhe mos u hiqni nga pozitiviteti që bekoni me zemrën tuaj të madhe dhe zërin e të thjeshtëve. Ju lutem kini një besim më të madh në veten tuaj dhe zgjidhni dikë që të përfaqësojë Ju, që përfaqëson gjithë diversitetin tuaj, të gjithë lirinë tuaj dhe të gjithë forcën tuaj! Jo dikush që ju grabit, ju përbuz, dhe ngre komplote korruptive kundër jush dhe ju përdor si levë ose si një peng në lojërat për pushtet e pasuri galopante!

Ju jeni më e mirë, më e ndritshme dhe më e fortë, se të gjithë politikanët atje dhe keni të drejtë tashmë të zgjidhni MIRËSINË! Jo vetëm më të mirën se dy të këqijat. Lufto për veten Shqipëria ime, sepse të ligjtë që ju keni lejuar të sundojnë për një kohë të gjatë, nuk do të luftojnë për Ju, sidomos nga sot e tutje. Ndryshe nuk ka si të kuptohet një Parlament që i bën gjërat me ngutje. Ndryshe nuk ka si të kuptohet kur votohet dhe injorohet Drejtësia. Ndryshe nuk ka si të mos kuptohet qartë zëri i ngritur i Kryeministrit për gazetarët. Dhe kush ia ngre zërin Fjalës së Lirë, vetëkuptohet çfarë meriton më mirë.

***

Por sidoqoftë, kjo është Shqipëria ime!

E njomur. E tëra në mal, fushë, lumë, liqen dhe det. Jon dhe Adriatik: trupi më me fat në planet. Vala pas valës ngrihet e ulet madhërishëm mbi të dhe e bën pakt. Nuk është meditim. As vetëdije nuk mbetet të jetë. Është natyra. Ajo del nga monotonia, ndërgjegjja e përhershme e përditshme. Ngrohja është kod më vete. Nga letrat e fjalët e largëta zbret e ul këmbëkryq shekujt në Odën e Mikut. Rrezet e Diellit nuk kanë dashur, nuk duan ende kremëra mbrojtës mbi trupin e saj. Ajo është e tillë nga Lindja. Ajo ka mbetur e tillë në jetë të jetëve. Nuri zbret mbi trupin e saj të zhveshur, duke e përkëdhelur me butësi të madhe dhe, pak nga pak, Ajo zbulohet si një Perlë më vete.

Ndonjëherë, kur kjo zvenitej, ishte e vështirë për të që të kthehej në botën që ajo kishte luftuar kaq shumë për të fituar një pamje të kontrollit në Konkursin e Madh të Bukurive. Ishte e vështirë! Poetët dhe letrat u shkruan nga larg. Fjalët e të tjerëve kishin dhe s’kishin (a)radhë. Ndodhte kështu, sepse duke fituar këtë kontroll, gjithçka që duhej dhe e donte, me të vërtetë, ishte të largohej prej saj. Dhe ashtu mbeti?! Përsëri në një fushë ku kontrolli nuk ishte një çështje, jo diçka që duhej ta posedonte për vete. Kishte diçka në rrjedhën e valëve të Jonit dhe Adriatikut, diçka në mungesë sigurie për t’u prekur dhe tunduar nga sasia e madhe dhe e panjohur e detrave më mitikë në Tokë, që ishte problematike. Deformuese. Sfumuese. Dhimbëse. Tronditëse. Por Ajo mbeti Zonjë e radhë! Kënaqësinë e ka në gjirin e saj të madh.

Ajo nuk e dinte se si ta linte kënaqësinë që e solli, aq brutalisht në një sfond “primal”. Kjo ndodhi kur duart e të dashurve të saj vunë lakmi në Trupin dhe Nurin e saj. U bë kaos. Pra, pafundësisht jashtë kontrollit, në një vend ku ajo nuk kishte asnjë arsye ta pranonte dhe ta meritonte atë. Pa aftësi?! Dhe nuk ishte më një masë e mendimeve dhe tmerreve të marramendura, aq sa ajo thjesht ishte ... ishte dhe është Shqipëria Ime!

... një Parim jetik, i rrënjosur, i bukur dhe i plotë në transhin e ekzistencës së saj. Në jetëjetën time!


***

Shqipëria ime e dashur! Ti sot feston përvjetorin tënd të Pavarësisë. Ti sot ke veshur mbarë shqiptarinë me rroben eFlamurit tënd më të bukur në botë. E ke veshur, fëmijën, rininë, burrin, gruan, të gjithë me kostumin e lirisë, kuq e zi. Dhe ti anembanë këndon me të madhe… këndon…. Dhe hedh valle…

Ti festove anembanë Britanisë së Madhe, Amerikës, Europës, mbarë Botës, si asnjëherë tjetër me maskë në gojë nga Covid-19, por kënga shqiptare dhe vallja e bukur u hodh përsëri nga mijëra e mijëra të tjerë që e duan dhe e çmojnë vlerën tënde.

E dashur Shqipëria ime, e shtrenjta dhe më e bukura në Botë, sot ne kemi festën më të bukur në historinë tonë.

Gëzuar Shqipëria ime. Gëzuar!

28 Nëntori yt ndryshe njihet edhe si Dita e flamurit. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri), sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili në Vlorë.

Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, jorastësisht, quhet «DITA E SHENJTË ARBËRORE». Dikush që nuk e njeh mirë historinë tonë kombëtare, mund të pyes: pse?! Përgjigja është e shkurtër dhe shumë e qartë: sepse të mirat e rralla, kombit tonë të shumëvuajtur, por gjithmonë krenar, i kanë ardhur mu në këtë ditë.

Gëzuar Shqipëria ime. Gëzuar!


Vazhdon…

***

FLAMURI IM!

Nga Fatmir Terziu


Më bëj emblemën tënde,

duke më mbështjellur me frymëzim

mblidhmi ngjyrat më të mira

le të shihen

përmes veprave dhe vargjeve të mia.

Më bëj molekulën tënde, Flamuri im

më lart nga shtyllat e Babilonisë,

më shpurpurit me valëvitjen tënde me qëllim,

jam shpirti yt,

palitja e erës që përgjithmonë zgjat.

Më bëj himnin tënd

me të vërtetën mbi fjalë që duken aq të qarta

më këndo me zë të lartë dhe të vërtetë që merr dhenë,

këndo gjithmonë për të gjithë për të dëgjuar:

“Duaje Atdhenë, si shqipja folenë!”

Më bëj besimin tënd,

premtimin e strukur memorjeve të stërgjyshërve

bashkërisht të mbajmë gjithmonë

Emrin e pavdekshëm, të shkruar me ar,

m’a shkruaj me zemër e bardhësi atje lart:

“Jam krenar që jam Shqiptar!”

Më bëj palë me dashurinë tënde

strehëza ku nuk dallohet nata dhe dita

një strehë e sigurt për t’u kthyer mbi vargjet e një kënge

me fatin më të Shenjtë të arbërorit u rrita.

Ose thjesht ...

Më bëj dikush ..., thjesht Njeri

të të meritoj të më mbash në gji ...

Kështu që të paktën e di që unë ekzistoj

më bëj një dikë të thjeshtë në jetën tënde,

më bëj pjesë e Hymnit, pjesë e kësaj kënge,

jo vetëm një emër në një listë të harruar,

nga rrënjët Ilire, në atë mrekulli, mbi atë truall,

më zgjo me ninullën e nënës sime të shtrenjtë

edhe pse jam i mërguar!

41 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page