top of page

“E shkuara dhe e tashmja”, në mënyrë lakonike flasin shumë


Kadri Tarelli

KOSTË ÇEKREZI 100 vjet më parë shkruan në anglisht, librin:

“SHQIPËRIA. E shkuara dhe e tashmja”




Si fillim e mora me përtesë leximin e librit “Shqipëria e shkuara dhe e tashmja”, të autorit Kostë Çekrezi, shkruar në anglisht dhe botuar në viti 1919, tashmë i përkthyer në shqip dhe botuar në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. E nisa me këto fjalë jo të hijshme, duke menduar se libri nuk ka shumë gjëra të panjohura për mua, pasi kam lexuar shumë histori mbi Shqipërinë, të autorëve të huaj por edhe shqiptarë.

Qenkam gabuar, megjithëse e njoh mirë parimin, se çdo libër është një dritare e re për ta parë botën, duhet thënë një dritare më shumë. Ndjesa është ndoshta më e pakta fjalë që mund të them tani që sapo e përfundova së lexuari. Më vjen keq që ky libër, ashtu si edhe shumë të tjerë, mbetën sirtarëve dhe sepeteve, mbuluar nga heshtja e qëllimshme dhe nuk e panë dritën e botimit në kohë e duhur. Pyetja “Pse”, besoj është e tepërt, për cilindo që e njeh sadopak kalvarin e historisë së trazuar të vendit tonë. Mendoj se është faj i pandreqshëm, qoftë ndalesa apo vonesa, sepse të tillë libra janë pasuri kombëtare dhe mjet i fuqishëm në edukimin atdhetar të të rinjve. Kështu gjerësisht do të përdoreshin nga mësuesit, nga studentët në Universitetet, nga nxënësit në shkollat e mesme dhe nga lexuesit e shumtë që duan të dinë më shumë për historinë tonë.

Vetëm këto dy fjalë: “E shkuara dhe e tashmja”, në mënyrë lakonike flasin shumë, sidomos për udhën e vështirë të kombit tonë të vuajtur e të sakatuar nëpër shekuj. Çuditërisht në ballinë të librit ka kursyer fjalën e “ardhmja”. E parandiente apo nuk e mendonte se sa prova të vështira do të detyrohej të kalonte gjatë 100 vjetëve si shtet, madje po kalon ky Atdhe edhe në ditët e sotme. Kam përshtypjen se Autori, në ato çaste ishte optimist, duke u mbështetur në fuqinë krijuese të racës shqiptare, siç shprehet H. N. Brailsford: “Nëse krijohet ndonjëherë një Shqipëri autonome, shqiptarët e arsimuar, që janë shpërndarë…, pa dyshim që do të kthehen të drejtojnë bashkëkombasit e tyre. Ka mes tyre burra që do të ishin nder i cilit do komb”.


Nga historianët dhe dijetarët e fushës, theksohet me dhimbje se fatkeqësia jonë e pranuar botërisht, është që, deri vonë historinë e shqiptarëve na e kanë shkruar të huajt. Një justifikim i drejtë, i mbështetur në arsye madhore: mungesa e shkollës dhe shkrimit shqip, unë shtoj edhe një arsye dytësore; mungesa e shtetit të shqiptarëve. Nuk jam në pozicionin e qaramanit, ndaj po citoj vetëm pak fjalë të shkruara në hyrje të librit nga Charles D. Hazen, profesor i historisë moderne në Universitetin e Columbia-s, SHBA, që thotë: “Se cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhen mësuar jo nga ç’thonë fqinjët, rivalë apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm, - zëri i vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të z. Çekrezi. Ai na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari”.

“Shqiptarët kanë patur zakon që të mallkojnë fuqitë e mëdha për intrigat dhe pabesitë e tyre dhe të thuren në sharje kundër fqinjëve të tyre të panginjur….. Por shqiptarët harrojnë se çdo komb ka brenda vetes në trupin e tij krimbin e lëngimit dhe të vdirjes së vet”. Kështu shprehet autori me sinqeritet të hidhur, sepse e njihte mirë gjendjen në të cilën ndodheshin shqiptarët, Shqipëria dhe qeveria e saj e porsa lindur. Por duke qenë përkthyes, e më pas sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Kontrollin e Shqipërisë, krijuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu dhe preku nga afër të gjithë skenën dhe skenarët politik të fuqive të mëdha. Ato, (Fuqitë e mëdha), pa ju dridhur qerpiku dhe pa i vrarë ndërgjegjja, nëpërkëmbën interesat e kombit shqiptar, duke mbrojtur interesat dhe mosmarrëveshjet mes tyre. Dhe të gjitha, si një thes i grisur, i shkarkuan në këtë vend të cunguar, të varfër, të mjerë dhe gati të shpartalluar nga lufta dhe skamja.

Vetë shprehja “Shqiptarët kanë patur zakon”, e përdorur pak më lart, na e lehtëson mendimin për gjithçka, aq më shumë se ky mentalitet sundon edhe sot pas 100 vjetësh. Vetëm drejtimi i gishtit ndaj harrimit të vetvetes është faj madhor i shqiptarëve, sepse shkarkojnë barrën e përgjegjësisë tek të tjerët. Ndërsa të mallkojnë padrejtësitë, besoj se kanë pasur dhe kanë plotësisht të drejtë. Koha i detyroi të gjykojnë, të besojnë dhe të akuzojnë. Kështu, mjafton të bëjmë pyetjen: Pse? Dhe përgjigjen e gjejmë në pyetjet në vazhdim: Ç’ bënë fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit 1878? Ç’ bënë fqinjët tanë në Luftën Ballkanike? Ç’ bëri Konferenca e Ambasadorëve në Londër me vendimet e saj të marrosura, që copëtuan trojet shqiptare si mish kasapi, për të ushqyer qentë e uritur, me gjasa të shmangin luftën botërore? Aq sa autori shkruan: “Kufiri dhe lënia krahinave të banuara nga shqiptarët, Serbisë dhe Greqisë, si padrejtësia më e madhe dhe më dashakeqe ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë”.

Kam përshtypjen se ky është dhe kapitulli i punuar më hollë dhe më bukur, ku faktet dhe analiza logjike të mbërthejnë dhe të tmerrojnë, sa të bërtasësh: “O zot sa padrejtësi paska bota, së cilës ne po i besojmë urtësisht dhe pafuqimisht”. Është pikërisht tema, për të cilën pas gati 100-vjetësh, ka shkruar edhe studiuesi Nuri Dragoj në librin “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, botuar 2013, të cilit për nga tronditja e fakteve dhe ngjarjeve, i kushtova shkrimin: “Një libër që nuk pata guxim ta çoj deri në fund”. Publikuar. Gazeta “Durrësi Bulevard”, Fjala e lire”. Londër, më: 29. 06. 2018.

Në këtë hulli mendimi po sjell shkurt dy ndodhi, të rrëfyera mjeshtërisht nga Kostë Çekrezi:

E para: “Komisioni Ndërkombëtar për ndryshimin e kufirit juglindor, po kalonte një muaj kot së koti në qytetin e Manastirit. Grupe të ndryshme financiare po ushtronin një ndikim të fort ndaj qeverisë së Vlorës, me qëllim të merrnin disa konçesione. Ata veçanërisht doni të merrnin të drejtën e themelimit të Bankës Kombëtare shqiptare. Qeverisë i ishte thënë ne vesh, se Komisioni nuk do të fillonte nga puna, pa u nënshkruar më parë kontrata. ????

E dyta: Nga forcat greke, maskimi nuk kishte lënë gjë mangut. Edhe kotecët e pulave ishin ngjyer bardhë e blu. Ca fëmijë shkolle ishin dërguar qëllimisht të luanin para shtëpisë ku rrinte Komisioni, (në Korçë). Të porositur që ndërsa luanin, të flisnin vetëm greqisht. Sinjor Labia, komisioner italian, doli në ballkon tok me disa kolegë që besoni lehtë, dhe u hodhi fëmijëve një grusht me monedha të bakërta. Duke u turrur e shtyrë kush e kush të mblidhte sa më shumë monedha, fëmijët e shkretë e harruan porosinë që të mos flisnin shqip, kështu që beteja për monedha vazhdoi në shqip, në gjuhën e tyre amtare. Kjo teknikë e zbulimit të mashtrimeve greke, u përdor edhe pas disa vitesh, më 1922, nga Gjeneral Telini, i cili fatkeqësisht u vra nga forcat greke në afërsi të Kakavijës, pikërisht në caktimin e kufirit jugor.

Është e tepërt ta them, po të tilla ndodhi do të gjeni me shumicë në libër. Një teknikë e përsosur e autorit, për ta bërë librin të besueshëm, por edhe të bukur e të këndshëm për ta pranuar e përtypur lehte. Si fillim do të mund të qeshim me ngjarje të tilla, por më pas tmerrohemi dhe tërbohemi në zemërim, kur flitet për masakrat çnjerëzore mbi popullsinë e shqiptare të pambrojtur.

Çudi për t’u çuditur nga brezi ynë i sotëm, sepse afro 100-vjet më pas, pikërisht njëzet vjet më parë, përjetuam një masakër të tillë nga ushtria serbe ndaj popullit të Kosovës. Madje po përjetojmë përsëri një teatër tragjikomik nga ndërkombëtarët me lloj-lloj skenarësh në dëm të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, duke akuzuar çlirimtarët e UÇK-së, për gjenocid dhe krime lufte, në vend që të gjykojnë e të dënojnë agresorët dhe autorët e krimeve.

Një meritë e autorit është se ka bërë një libër të dobishëm historik, të shkruar bukur letrarisht dhe të ngjeshur mendërisht. Mund të them, cilësi e rrallë në llojin e shkrimeve shkencore-historike. E gjitha, falë kulturës dhe talentit të autorit si letrar e publicist në gazetë “Dielli”, hartues fjalorësh dhe librash e tekste mësimorë për shkollarët, njëkohësisht studiues dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Duke e parë me kujdes, them pa frikë, se edhe redaktori më i stërvitur, nuk do mundë të fusë majën e gjilpërës në tekst, jo më të heqë apo të shtojë ndonjë fjalë.

Këtu jo më pak merita ka përkthyesi Arben P. Latifi, i cili ka bërë një shqipërim të përsosur dhe punë të lavdërueshme, duke e sjellë anglishte e librit në shqipen letrare të kulluar, si një gur të çmuar në thesarin e letrave shqipe.

Kostë Çekrezi ishte kundërshtar i Mbretit Zogu I-rë dhe antikomunist i vendosur, por atdhetar i përkushtuar, i cili “E mbante gishtin në damarin e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Besoj se kjo është edhe arsyeja që, për gati një shekull mbeti i harruar qëllimisht. Por vlerat atdhetare janë vlera që nuk tjetërsohen as nga koha, as nga individët e pushtetit, ndaj vjen dita që dalin në shesh dhe ndrisin ku e ku më shumë e më bukur se ata që u përpoqën ta fshijnë nga historia. Ishte fat për Shqipërinë që kishte burra të tillë idealistë të shqiptarizmit. Këto pak fjalë për figurën e Kostë Çekrezit, do t’i gjeni me gjerësisht në fjalën përmbyllëse në libër, të shkruar mjeshtërisht nga Andon Andoni.

Kostë Çekrezi ishte anëtar i vjetër dhe një nga veprimtarët më të zëshëm të shoqërisë “Vatra” në SHBA. Në varrimin e tij më 1959, Fan Noli e quajti: “Burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin, dhe ky djalë i madh i Shqipërisë, vdiq fukara”.

Nderim dhe mirënjohje për atdhetarin Kostë Çekrezi! Mësimet që nxjerrim nga ky libër me vlerë, në këto 100 vjet i shërbyen të shkuarës, po i shërbejnë të tashmes së trazuar dhe do t’i shërbejnë edhe të ardhmes së Shqiprisë.


Kadri Tarelli

Durrës më: 18, vjeshta e tretë, 2020.

46 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page