top of page

E QESHURA QË VJEN PREJ HIDHËRIMIT


SHPENDI TOPOLLAJ


MARK TUENI DHE E QESHURA QË VJEN PREJ HIDHËRIMIT


Përherë njerëzit kanë dashur të dinë se ç`është talenti, si lind, nga vjen dhe pse te dikush është më i dukshëm, e dikujt tjetër i mungon fare. Kënë thënë e çfarë nuk kanë thënë. Në dukje të gjithë kanë të drejtë, por askush nuk mund të pretendojë se ky është përcaktimi përfundimtar. Se nuk ka njeri, qoftë dhe ai edhe me mendjen më të pazakontë, që sipas Alfred Whiteheadit e ka të vështirë të marrë përsipër analizën e të qartës, e jo më ai që merr përsipër atë të të paqartës. Se nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe rasti i shkrimtarit mëndjehollë Mark Tuein, i cili vetëm me një arsimim fillor, na la pas vepra gjeniale. E kuptoj rëndësinë e vetarsimimit, por edhe ai e ka një kufi; nëqoftëse nuk ke ndjekur shkollat sipas radhës. Me pak fjalë, kot që lodhem, se asnjëherë nuk kemi për ta zbuluar misterin që mbart brenda tij talenti. Ne s`na mbetet, veçse t`i gëzohemi faktit që natyra, duke ja dhuruar atë dikujt, na ka bërë një nder të madh të gjithëve. Po le të kthehemi te jeta dhe vepra e humoristit nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohrave, Samuel Langhorn Klemens, i cili lindi në 30 nëntor të vitit 1835 në Florida të shtetit Misuri në Amerikë. Prindërit e tij ishin Jane dhe John Marchal Clemens, dhe patën shtatë fëmijë, nga të cilët mbijetuan vetëm tre. Babai i tij ishte njeri me pikpamje përparimtare dhe me profesion jurist që shërbente si avokat. Samueli ishte fare i vogël kur prindërit e tij shkuan për të jetuar në qytetin Hanibal të Misisipit. Mirëpo, pa kaluar as gjashtë vjet, pra kur djali qe dymbëdhjetë vjeç, babai vdes. Kjo e detyroi atë që pas ca kohe të kërkojë dhe kryejë punë nga më të rëndomtat. Fillimisht u mor me shitjen e gazetave, pastaj kur vëllait i shkrepi të çelte një gazetë lokale, ju gjend pranë dhe jo vetëm që e ndihmoi si daktilografist, por edhe nisi të botojë ca satira që përbëjnë dhe fillimin e krijimtarisë së tij letrare. Tregimi i parë qe “Bretkosa e famshme nga Kalaverasi”, tek i cili ra në sy brumi prej shkrimtari. Për ca kohë u bë dhe tipograf. Më pas gjen punë në një anije që lundronte përgjatë lumit Misisipi si pilot, dhe në këto udhëtime pa shumë dhe fitoi shumë përvojë. Ishte në modë në atë kohë që njerëzit të rendin pas asaj që u quajt “ethet e arit”, me synimin që të pasuroheshin brenda një kohe të shkurtër. Ishte kjo një ndërmarrje që pati kosto të lartë. Në këtë aventurë u përfshi edhe shkrimtari i ardhshëm, i cili kërkoi me të tjerët në Nevada, por që nuk e harroi për asnjë çast as etjen e pashuar për dije dhe as dëshirën për të shkruar. Ai përjetoi ngjarjet që pasuan pas zgjedhjes së Abraham Linkolnit president në vitin 1860, kur pas largimit të disa shteteve nga federata, plasi Lufta Civile që zgjati rreth pesë vjet dhe ku mori pjesë edhe Tueni, që njohu tipa e karaktere nga më të ndryshmet dhe që do t`i shërbenin në krijimtarinë e tij të mëtejshme. Më pas, për shkrimet e tij, puna ju lehtësua, kur u sistemua si gazetar në San Françisko, qytet - port në veri të gadishullit S. Mateo. Tani u lidh akoma më fort me letërsinë, dhe shkrimet e tij, me humor të hollë e të këndshëm, priteshin mjaft mirë. Në New York City Filadelfia u përfshi në Bashkimin Ndërkombëtar të Tipografëve, gjë që i dha mundësinë të frekuentonte rregullisht edhe bibliotekën. Kishte zgjedhur të botonte me pseudonimin që njihet nga kushdo, Mark Twain, duke zgjedhur atë fjalë që i kishte mbetur ndër mend që nga ato tre vite kur lundronte nëpër Misissipi dhe që për marinarët kuptonte “Gjithçka në rregull. Thellësi s`ka, vazhdo i qetë!”. Shumë i apasionuar pas udhëtimeve, shkon në Francë dhe Itali, ku viziton gjithçka lidhej me kulturën e atyre vendeve, dhe me t`u kthyer, boton librin me përmbledhje anekdotash. Në vitin 1868 u fejua dhe pas dy vjetësh u martua me Olivia Langdon, e cila vinte nga një familje e pasur. Krijon kudo miq të shumtë, ku dallon miqësia me fizikanin Nikola Tesa dhe autorin e patentave të mbi njëmijë shpikjeve Tomas Edisonin, çka tregon se dhe interesat e tij për shkencën ishin të shumta. Pasi kishte botuar vëllimet me tregime “Të paditurit jashtë shtetit” (1865), “Ku rafsha mos u vrafsha” (1872), Tueni, duke kapërcyer ndofta atë drojën e mungesës së arsimimit, vendos të merret me romanin. Ndaj në vitin 1876 ai shkruan “Aventurat e Tom Sojerit” dhe pas tregimeve me titull “Jeta në Misissipi” (1883), boton pesë vjet më pas, romanin tjetër të rëndësishëm “Aventurat e Hakëlberi Finit”. Me Tom Sojerin, që nuk ka fëmijë që mos e ketë njohur, fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm, pasi aty gjithkush pa modelin sesi duhet të paraqitet njeriu i thjeshtë në jetë, i lirshëm, pa paragjykime dhe me aspirata demokracie. Kështu, Tueni portretizoi amerikanin e zakonshëm që luajti atë rol të madh në përparimin e vendit të tij. Por ndyshe ngjau me Hakëlberin, ku ai paraqet atë mjedis pasanikësh, kryesisht industrialistë të cilët pretendonin se po e shpinin vendin drejt “bumit” ekonomik, por që nuk shihnin se po i gërryente nga brenda korrupsioni. Tueni edhe vetë i përkiste tani kësaj klase, por kundërshtarët çfarë nuk thanë për të. Se gjoja ai po sulmonte ata, të cilët po i sillnin mirëqenien vendit. Në këtë kohë, dikujt nuk i pëlqente as qëndrimi që ky autor mbante ndaj sëmundjes së racizmit. Por ai vazhdoi më tej, duke botuar “Një janki në oborrin e mbretit Artur” (1889), dhe novelën “Uillson dedeja” (1886). Përshtypjet e udhëtimeve disa herë i ktheu në tregime nga historia humoristike: “Celebrated Jumping Frog of Cavaleras Countri” 1867), “Udhëtim nga Misisipi në Las Vegas” (1872), “Kujtime udhëtimi” (1880), dhe “Tregime udhëtimi” (1897). Provoi me sukses të merret edhe me ngjarjet historike; kujtojmë kohën e Tudorëve dhe vajzën e Orleanit Zhan D`Arkën, për të cilën kishte shkruar në vitin 1810, tragjedinë e tij edhe Shileri. Flitet se në veprat e fundit të tij, shihen nota pesimizmi. Dhe kjo, ndofta ka qenë e lidhur me gjendjen e tij aspak të mirë shpirtërore. Se ai, me gruan e tij ishin fillimisht të lumtur. Për këtë flasin edhe 189 letrat e dashurisë si dhe Testamenti “Në kujtim të Olivia Suzan Clemens”. Shëtisin deri në Zelandë të Re, Australi, Indi, e Afrikë e Jugut, por fati shpesh tekanjoz, këtij gjiganti që humorin e kishte quajtur bekimin më të madh të njerëzimit, i kishte rezervuar edhe dhimbje të mëdha. Vajza e tij Susi, sëmuret rëndë në vitin 1896, pra kur ishte fare e re, njëzetekatër vjeçe, dhe vdes në Hardfort (pasi kishte vdekur dhe djali një vit e gjysmë). Dhimbjen për Susin, ai e manifeston te “Skicë famijare”, ku shkruan: “Në të gjitha veprimet ajo ishte intensive: kish një karakteristikë të veçantë, nuk ishte një shkëlqim i thjeshtë që jep ngrohtësi, por një zjarr i fuqishëm që vetëdigjet”. Dhe pastaj, në vitin 1904, teksa ndodhej në Firence, i vdes dhe e shoqja. U dërrmua shpirtërisht. E kishte nisur jetën me mendimin se “Sekreti i të ecurit është të fillosh”, dhe kishte guxuar, fillimisht me drojë dhe pastaj me njëzetetetë vepra të pëlqyera nga të gjithë. Në vitin 1909, miku i tij Nikola Tesla “fëmija i dritës”, shkon për ta parë në shtëpinë e tij në Redding Coneccticut, ku dhe e filmon. Ky filmim shërbeu për realizimin e filmit “Prince and the Pauper”. Vetë ai, po këtë vit tha si me shaka, ashtu siç bënte përherë: “Unë erdha në këtë botë me Halley`s Comet më 1835. Kjo do të vijë prap vitin tjetër dhe unë pres që të shkoj me të. Do të ishte zhgënjimi më i madh i jetës sime në rast se unë nuk shkoj me Halley`s Comet”. Profecia u realizua, por dukja e tij la më shumë gjurmë se vetë kometa, e cila edhe harrohet, por emri i Mark Tuenit ashtu sikurse e parashikoi edhe presidenti i SH.B.A. William Howard Taft, nuk harrohet kurrë. Ndërroi jetë në moshën shtatëdhjetëekatër vjeçare më 21 prill 1910, dhe u varros me nderime në Woodlawn në Elmira New York, pranë njerëzve të tij të dashur. Kishte mbetur vetëm Klara, e bija, që vdiq në vitin 1962 në moshën tetëdhjetëetetë vjeçare, dhe që la pas një vajzë, e cila nga ana e saj nuk mundi të lerë ndonjë trashëgimtar. Si duket, ajo i la gjyshit të vet admirimin e të gjithë njerëzimit, ku për shumicën e tyre ende qëndron vrejtja e tij se “burimi i mirëfilltë i humorit… është hidhërimi”.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page