top of page

E PËRSHKRUAR NË LIBRAT E SAJ


OFICERJA QË PËRJETOI EMIGRIMIN

E PËRSHKRUAR NË LIBRAT E SAJ.

Ish oficerja me gradën majore, Vasilika Babo, një talent që i këndoi me pasion jetës ushtarake, të vajzave të reja, të veshjes së blertë, pas ndërrimit të sistemit, u gjend jashtë radhëve të ushtrisë dhe u detyrua të emigrojë jashtë shtetit. Tashmë ajo ka arritur të bëhet një shkrimtare e dëgjuar me pesë librat e saj, ku në pjesën kryesore të tyre, përshkruan plagën e rëndë kombëtare të emigrimit.

Novela e re “Bukuroshja me sy magjik” shënon një ngritje të dukshme cilësore në prozën realiste të kësaj shkrimtareje.

Në qendër të kësaj novele mjaft tërheqëse është vënë maturantja bukuroshe, Eralda, e cila bie në dashuri me djaloshin mjek të klinikës në afërsi të shkollës së mesme. Drama jetësore e saj fillon qysh në çastet kur mjeku Andrea i shfaq ndjenjat e tij të sinqerta dhe ajo fluturon në qiellin e shtatë, nga ku e rrëzon me vrazhdësi babai fanatik i fesë ortodokse. Ai e kundërshton në mënyrë kategorike lidhjen e saj me një djalë mysliman dhe shumë shpejt e marton pa dëshirën e saj, me një të krishterë, të kapur nga gjendja ekonomike në qytet.

Ndryshimet e mëdha social-ekonomike të ndodhura ne fillim të viteve ’90, sollën rrënimin ekonomik dhe shpirtëror të kësaj bukurosheje, të detyruar nga burri, të emigrojnë në Greqi. Aty ai bashkëshort despotik, paranojak e xheloz për dashurinë e parë të saj, e dhunon barbarisht, derisa ajo e divorcin përfundimisht, duke mbajtur vetëm djalin e vogël nga ajo martesë fatkeqe. Në ato çaste fillon seria tjetër, akoma më e dhimbshme e jetës së saj. Sëmurja rëndë nga kanceri.

Për të mos përvijuar më tej të gjithë linjën narrative të kësaj novele tërheqëse, që të shijohet nga vet lexuesit, do të ndalemi në disa pika kulmore të shtjellimit të subjektit.

Shkrimtarja e talentuar Vasilika Babo, me përjetimet e saj reale në emigracion, sjell në këtë botim të ri, skena të përshkruara me mjaft vërtetësi, me dhimbje dhe emocione të fuqishme. Ajo me penën e saj të shkathët nënvizon saktësisht humanizmin e zonjave arvanitase, që strehojnë gratë punëtorë shqiptare, duke ua lehtësuar lodhjen nga punët e rënda, me dashamirësinë e tyre njerëzore dhe duke iu qëndruar pranë në çastet kritike të shëndetit dhe jetës së tyre.

Një shpirt njerëzor i madhërishëm, del nga pena e kësaj shkrimtareje, me aftësi të rrallë ndijuese e perceptuese. Zonja arvanitase Ana, nuk është vetëm një qiradhënëse dhe pronare magazine, por kryesisht një nënë e origjinës së hershme të kombit shqiptar. Ajo nuk ka hapur vetëm dyert e dhomave të shtëpisë së saj, por ka hapur kanat më kanat edhe dhomat e zemrës për emigrantet tona. Madje ka hapur edhe qesen e të hollave të saj dhe të bijve e nuseve të saj, për të ndihmuar shërimin e grave që strehon.

Mjaft interesante janë përshkruar edhe skenat nga solidariteti i grave emigrante, për tu bërë shoqe, nëna dhe motra, njëra-tjetrës, në raste nevoje dhe rreziku. Fakte që dëshmojnë karakterin human, real, të shqiptarëve kudo nëpër botë, ku janë shpërndarë për bukën e gojës e për një jetë më të mirë.

Më ka mbetur e fiksuar në përfytyrimin tim si personazh shembullor, figura e madhe njerëzore e shqiptares Fanika, e cila me moshën e saj të pjekur, jo vetëm orienton drejt fatin e vajzave të reja, për t’i mbrojtur nga rreziqet e panjohura në një vend të huaj, por edhe del me gjoksin përballë për t’i shmangur prej tyre.

Karakteri besnik deri në infinit, i një djali të dashuruar marrëzisht, është përshkruar me fuqi të madhe emocionale tek mjeku Andrea. Ai është sjellë në këtë novelë, si prototipi i djaloshit të ndjeshëm, që dashuron me të gjithë fuqinë e zemrës së tij, bukuroshen që i ka rrëmbyer zemrën dhe nuk tërhiqet nga dashuria e tij me pengesa të shumta patriarkale e zgjatje kohore. Duke përforcuar me shembullin e vet, përkufizimin filozofik nga praktika njerëzore, se njeriu vetëm një herë dashuron vërtetë në jetë.

Ngjarjet dhe episodet e disa personazheve të gjetur artistikisht vendosur, në mbylljes e kësaj novele të bukur, dëshmojnë qartë për fantazinë e spikatur krijuese, të shkrimtares Vasilika Babo.

Vullnet Mato-shkrimtar-“Personalitet i Shquar”

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page