top of page

Dykuptimësia tipologjike e vargut të Ferik Ferrës



Dykuptimësia tipologjike e vargut të Ferik Ferrës

Prof Dr Fatmir Terziu

Hyrje

Poezia e poetit shqiptar, tashmë me një emër të veçantë në poetikën shqiptare, Ferik Ferra, ka në dallesën e saj hyrjen e dyfishtë (a double entendre) që natyrshëm e delegon kuptimin e saj logjik tek dykuptimësia e mesazhit logjik. Duhet sqaruar se një hyrje e dyfishtë është një mjet letrar që mund të përcaktohet si një frazë ose një figurë e të shprehurit, që mund të ketë interpretime ose dy kuptime të ndryshme, ose që mund të kuptohet në dy mënyra të ndryshme. Fjalori i Oksfordit thotë se kjo “përcjell një kuptim të pashlyer”. Kuptimi i parë në preambulën e dyfishtë është zakonisht i drejtpërdrejtë, ndërsa kuptimi i dytë është ironik, i fshehur ose i modeluar për të qenë disi më vete në kuptimin mbartës. Nga letërsia britanike, Uilliam Shekspir dhe Xhefri Çauser kanë përdorur kuptimin e dyfishtë të hyrjes në punimet e tyre, ndërsa në krijimtarinë shqiptare janë njohur poetë të tillë si Martin Camaj, Rrahman Dedaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Nehas Sopaj, Esad Mekuli, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Bardhyl Londo, Enver Gjerqeku etj.

Le ta shpjegojmë me një shembull nga “Odisea” e Homerit. Ndodh që Odiseu të ulet në ishullin e gjigantit me një sy Polifemit dhe të hyjë në shpellat e tij me dymbëdhjetë ushtarët e tij trima. Sidoqoftë, ai kapet dhe burgoset kur Ciklopët mbyllën derën e saj me një rrotë të

madhe guri. Kur Ciklopi pyet emrin e tij, ai i thotë se emri i tij është “Askush” dhe më pas planifikon me ushtarët e tij të mbijetuar ta verbojnë atë me një trung të nxehtë dhe të mprehur me thika. Kur ia dalin mbanë, Ciklopi bërtet në majë të zërit të tij duke thënë: “Askush nuk më ka lënduar. Askush nuk do të më vrasë.” Këtu, “Askush” është përdorur si një kërkesë e dyfishtë pasi ka kuptime të dyfishta. Nga njëra anë, do të thotë se “Askush” që është Odiseu e ka verbuar atë, ndërsa nga ana tjetër do të thotë se askush nuk ia ka bërë këtë Ciklopit. Ngjashëm tek poezia e Ferrës, “Pianisti” “dikushi” e luan këtë rol, pasi “Porta ka nda vehten përgjysëm,/dikush ka varë hijen në çengelin e mbylljes”. Ky dikush që ka varur veten në çengelin e mbylljes është një formë më moderne e këtij kuptimi. Kjo në formën më moderne shpjegohet si një “dykuptimësi tipologjike”.

Rreth “dykuptimësisë tipologjike

Një “dykuptimësi tipologjike”, si i tillë konsiderohet jo vetëm nga situata si “klishe”, por si mjet për të reflektuar mbi lidhjen mes imitimit situator dhe reflektimit logjik, varësisë dhe autonomisë, të kaluarës dhe të tashmes, ose natyrës së vetë qasjes poetike, si diçka që nuk ndodh “ex novo” gjithmonë në dialog me një të kaluar që duhet të rezistohet. Poetin shqiptar Ferik Ferra e lexojmë pikërisht në një ‘ex novo’ ritmike të vargut të thyer, për të cilën Injac Zamputi, natyrshëm do të ndjente atë ‘metamorfozë poetike’ që lidh ‘ecurinë vargore’ në një dykuptimësi tipologjike (Zamputi, 1943: 13-15).

E lexojmë në atë ecuri vargore të kësaj dykuptimësie poetike me të cilën poeti Dritëro Agolli rilexoi ‘njeriun dhe poetin në poezinë e Ferik Ferrës, teksa theksoi se “Ferik Ferra është poet që vjen në poezinë shqipe me formim të plotë, me njohje të thellë kombëtare dhe botërore, të poezisë klasike dhe moderne” (Agolli, 2004:7). Në fakt këtë pikasje e ka ritheksuar edhe poeti Xhevahir Spahiu kur shprehet duke lexuar këtë poezi se ‘jemi para një poezie të arrirë, para së cilës nuk mund të kalojmë pa u ndalur, aq më pak të shkujdesur (Spahiu, 2005:363).

E ndërsa Alfred Uçi e gjen këtë tek ‘mbijetesa e poezisë’ si shkakun e ‘vonesës gjysmëshekullore’ në një afëri situatore, Perikli Jorgoni e sheh “ardhjen e vonuar të Ferik Ferrës’ si pritja e duhur për tu ‘ndjerë i lirë e i papenguar’ (Uçi, 2005: 270 & Jorgoni, 2005: 288).

Dhe kështu poezia që nisi në moshën e gjashtëdhjetë e shtatë të poetit duket se është edhe një përputhje e qetë në vetë aritmetikën e nëntë vëllimeve poetike që plotësohen me “Nata pa agim”, “Koha e gurit”, “Në diellin e vështirë”, “Pellgje dielli”, “Katër shekuj para Krishtit”, “Duke kapërcyer shekullin”, “Flautet e dimrit”, “Nata e vdekjes së dytë” dhe libri dygjuhësh shqip dhe anglisht “Diell i vështirë” (Arduous Sun).

Sqarim: Dykuptimësia dhe Poezia si shkas tek Ferra

Zanafilla e një analize të thellë poetike lidhet me ambiguitetin (dykuptimësinë poetike) të Uilliam Empsonit tek studimi i tij “Llojet e Shtatë Paqartësive”, i cili u botua së pari në vitin 1930. Studimi përmban një analizë të detajuar të llojeve të ndryshme ‘të dualitetit’ dhe se si këto mund të funksionojnë. Në këtë studim Empson jep si një përkufizim: “çdo nuancë dykuptimëshe, i jep hapësirës reagime alternative me të njëjtën pjesë të gjuhës.”

Ai bën kontrastin me këtë ndërhyrje, duke përdorur vargëzimin e zakonshëm, të cilin ai e definon si “diçka shumë të theksuar dhe, si rregull, i mprehtë apo imitues”. Shumë poetë që kanë kërkuar për ta bërë pjesë të vargut të tyre dualitetin kuptimor, e kanë ndërlikuar, ndoshta qëllimisht atë, dhe gjuha tingëlluese tenton që të shpreh dilema kuptimore, dhe bëhet më poetike, se ajo gjuhë që në fakt është.

Për shembull Paul Celan, ka gjetur mjedis poetik të qartë në përdorimin e gjerë të fjalës dhe tek frazat që kanë kuptime të ndryshme dhe kështu poezia e tij është ndërtuar në një mënyrë të tillë që shumica e vargjeve jep lexime të rrjedhshme, thjesht tejet të mundshme e mjeshtërisht të realizueshme mes dykuptueshmërisë. Shpeshherë kjo dykuptueshmëri e Celanështë cilësuar si një ‘paqartësi’. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ‘paqartësia’ e tillë është vetë kënaqësia e leximit të poezisë, sipas Empsonit.

Nëse ne do të referohemi tek kjo teoremë analitike e leximit të poezisë, natyrisht pajtohemi edhe me leximin e vargut të poetit Ferik Ferra. Në fakt pikëtakojmë atë që Dhurata Hamzai e shtron si një ‘ecje në kah të kundërt me jetën e poetit, ku poezia e tij vjen e butë, e ngrohtë, e plotë dhe e lirë, aq e lirë, sa dhe pjellore është fantazia e Ferik Ferrës’ (Hamzai, 2008: 5). Ferik Ferra si shembull të spikatur na jep këtë dykuptimësi sërrish tek poezia “Pianisti” ku lutja drejt Zotit, për të pasur dy sy, nënkupton se ai tashmë në këtë pikë kërkon të shikojë ambientin, rrugën, por edhe vajzën studente që pret në breg të pianofortit: “O Zot si nuk kam dy palë sy,/mbas kësaj vjeshte s'ka me pas dimën,/gjithë gonxhet e qytetit të lashtë/paskan shpërthye.”

Trajtimi logjik i fjalës poetike

Poeti përdor fjalë dhe fraza që të thotë dy ose tre gjëra në të njëjtën kohë, duke u mbështetur në hapësirën që për lexuesin, aq sa për të identifikuar mundësi të ndryshme dhe pastaj duke e lënë vetë lexuesin të vendosë se cili është ai mesazh që vjen nga ‘akuza’ vargore. Poeti Ferra përdor këtë lloj paqartësi vargore, për të përshkruar disa dimensione brenda një teme të vetme me një ridimensionim njëlloj të rëndësishëm ose të vlefshëm. Tek poezia “Omeri i ri”, kjo nënkuptohet ndoshta pak më e kamufluar mes vargjeve të tilla “me kuintalët e lirisë blu mbi korriz,/mbi shpinën e kacabujve t’zi/ecën edhe nata,/kryqi ka marrë finishin e startit në dorë,/lirinë nuk e mungojnë as meshkujt e as femnat,/nuset nën brez i lidhin kërthizën lirisë,/rrespekti në krahun e djathtë/guri ma i fortë se llana e krahut thyhet,/përballë burgut në inteligjencën e dredhisë.” “Omeri i ri”, thuajse në të gjithë kumtin e tij shërben si një dykuptimësi, pasi e vjetra dhe e reja, ka një qashtërsi të ndjeshme logjike në mesazhin që jep ky figurcion tipologjik i përdorur mrekullisht dhe estetikisht nga poeti.

Në të dyja rastet kjo prognozë poetike, është mjaft e rëndësishme pasi lejon që lexuesi të mësojë duke pranuar se nuk do të jetë gjithmonë një kuptim i menjëhershëm vargor, një tematikë e dukshme dhe definitive dhe se qëllimi i poetit nuk do të jetë gjithmonë i qartësuar menjëherë.

Në poezinë “Natë pranverore” kjo shtrirje vargore që rimbursohet mes qartësisë parimore gjendet fare lehtë në një dimension tejet kuptimplotë: “Lehtë po pigron zogu në hala t’pyllit/në heshtitë e errëta zëri i tij zatetë/drejt pafundësish, mbi kreshta një bulëz ylli/në një pikë argjendi nata kujtimet tretë”.

Le të kujtojmë një bisedë të autorit me Qazim Shehun, teksa thelbi është tek ‘poezia’ që sipas Ferrës është ‘si trëndafili që erën e tij e çon deri në thellësi të qenies’ dhe se ‘poezinë klasike nga ajo moderne e ndan një gjë e vogël. Kush shkruan poezinë klasike shkruan atë moderne.[shembulli: Fishta “Një lule vjeshte”] (cituar tek Shehu, 2010: 47). Në këtë intervistë tejet profesionale autori shprehet: “vargjet kam filluar t’i shkruaj në moshën 15 vjeçare, në gazetën e murit të shkollës. Poezia e parë ka qenë për ‘7 Prillin’. Pas dy-tre ditësh ajo poezi u hoq. Kjo më ngushtoi kurajën që kisha për të shkruar. Mbeti që poezitë tash e tutje t’i shkruaja për vete. Kjo ndodhi në 1949” (ibid).

Pra sipas vetë Ferrës një poet duhet t’i shkruajë të dyja, edhe klasiken, edhe modernen, se ndryshe është gjysmak. Këtu merr jetë edhe dykuptimësia logjike e vargut të Ferrës, sepse ai kupton dhe kompleton ‘profesionistin e vargut’. Poezia “Çamiko”, kushtuar valles çame të Osman Takes, lexohet në këtë dykuptimësi të cituar: “Zambakun e qefinit/çelur në hapësirat e dritës/pret të lëkundë/në përdredhjen e vdekjes/krahu i rrapit të Janinës...”.

Por ndërsa Anton Çefa sugjeron se ‘poezia e Ferik Ferrës nisi rrugëtimin e saj pikërisht duke u nisur nga shkolla shkodrane’ e poezisë, duke mbetur e ripërtërirë, e freskët, e gjallë, e re deri në modernitet, ajo që vjen nga dykuptimësia logjike e vargut në poezinë e tij është një mision vargor (Çefa, 2011:53). Poezi të tilla si “Famuri”; “Natë dimri”; “Lugina e mbretërve”; apo edhe ajo “Lugina e mbretëreshave” qartësojnë këtë lidhje adekuate të mendimit të shfaqur.

Në mbyllje

Ferik Ferra i ardhur në jetë në vitin 1934, u dashurua me fjalën e bukur poetike dhe filloi të shkruaj poezi që në moshën e rinisë. Në vitin 1956 ai e dogji një fletore me poezi. Dhe pse ato nuk ishin poezi kundër rregjimit, ato ishin lirika dhe krijime me mendime personale, por që e trembën autorin dhe e detyruan t’i zhdukte.

Pra, jeta nuk ia dha fatin dhe modelimin e shkrimit në një kohë që ai ishte i dashuruar me të, por vite më pas kur poeti, vëllimin e parë të poezive e botoi në vitin 2001. E këtë e nisi me shtysën e Perikli Jorgonit, bashkëkrijuesit të tij në kohën rinore. Më pas ai shpejtoi udhën poetike me vëllimet e tij, plot dhjetë libra si “Duke kapërcyer shekullin”, “Në diellin e vështirë”, “Nata e vdekjes së dytë”, “Dielli vështirë” shqip dhe anglisht, “Ëndërra e bregut tjetër” etj.

Kjo “shpejtësi” relativisht botuese kishte zanafillën e saj në kohë tjetër, por që në këtë kohë na solli një faktor më të qartë tek dykuptimësia tipologjike e vargut të lëvruar në rini e më pas në udhën e jetës prej Ferik Ferrës.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page