FQINJA IME E ÇUDITSHME
E shoqëroja për në ambjentet e radios. Duke ngjitur shkallët, diplomati grek ndaloi një çast. Hodhi sytë nga dy flamujt, atë evropiane dhe shqiptare. Pastaj soditi për pak atë fushë të kuqe me shqiponjën në mes. Një buzëqeshje enigmatike iu shfaq në fytyrë. Diçka iu kujtua. Shikimi sikur u ndriçua.Sikur u bë më i ëmbël. Rrezatoi më shumë dashuri. Kështu m’u duk mua.
- Unë e dua Shqipërinë, jam mik i saj.- Kështu iu drejtua dy kolegëve të mi.Pastaj heshti. Ndoqi me interes ambjentet. Dëgjonte. Rrallë jepte ndonjë sugjerim. Dhe në momentin që do të pinin kafen, ai e ktheu përsëri bisedën që nisi te shkallët.
- Nuk ua thashë ato fjalë për t’u bërë qejfin. Do t’ju them si lindi kjo kureshtje që më vonë u kthye në simpati e dashuri. Babai im ishte nga Pogoni i Greqisë. Dy hapa larg Shqiperisë. Ai më thoshte shpesh “Shiko sa afër e kemi Shqiperinë, por njëkohësisht, tepër larg, shumë larg. E panjohur për ne. Sa afër i kemi shqiptarët, jemi fqinjë, por ata s’mund të vijnë këtu të na thonë një mirëmëngjes, as ne aty” E pyeta përse. Ai uli vetullat e syve dhe fytyra i mori një pamje pakënaqësie. Iu shmag pyetjes sime. Diçka murmuriti me vete “Lëre, lëre”. Fjalët e çuditshme të babait dhe heshtja pas asaj, shtoi më shumë kureshtjen. I shikoja tutje ca shtëpi që mezi dalloheshin dhe mendoja se si ishin ata njerëz aty. Aq më tëpër që babai dinte diçka dhe nuk më tregonte. Ahere isha dhjetë vjeç. Kisha një dëshirë të veçantë: mblidhja fotografi të flamujve të shumë shteteve, kombeve, fotografi të veshjeve tradicionale. E kisha si hob. Më pëlqente të isha një koleksionist i mirë. Dhe isha i apasionuar. Bleja çokollata dhe brenda gjeja fotografi flamujsh të shumë shteteve. Me shumë kujdes i vija në album të mirë që më kishte blerë motra.Në fillim të albumit ishte Albania, se fillonte me ‘A’, pastaj Argjentina, e kështu me radhë. Flamujt e shumë shteteve i kisha gjetur, të Shqipërisë, jo. Kjo më shtynte më tepër kërshërinë. Përditë blija çokollata me ëmbëngulje dhe me padurim për hobin që kisha. M’u bë fiksim. Por për fat të keq as që më binte në dorë ajo që kërkoja për aq kohë. Dhe është e çuditshme kurreshtja e fëmijës. Inati im bëhej më i madh.
Ndaloi për një moment,sikur donte ta kujtonte më mirë atë moment që e gjeti atë flamur të cilin e kërkonte me ngulm dhe vazhdoi:
-Edhe pas kaq e kaq vitesh, më vjen në mendje ai gëzim e kënaqësi që ndjeva atë ditë. Ishte e shtunë. Unë, siç ju thashë, nuk hiqja dorë nga “sëmundja” ime. Kisha dalë xhiro me motrën time. Blemë nga tre çokollata secili. Dhe atë që kërkoja me aq ngulm e gjeta te një nga çokollatat e motrës. Ndjeva sikur zbulova një diçka shumë të rëndësishme. Sikur hidhja hapin e parë që të njoh fqinjët e mi të “çuditshëm” Atje pashë një flamur me një fushë të kuqe dhe me një shqiponjë dykrenare në mes. Që atëhere, nga vitet e fëminisë ndjenja e çuditshme e kurreshtjes më shtoi interesin dhe dobësinë për vendin e shqiponjave, fqinjën time të çuditshme. Dhe me fantazinë fëminore , fillova të krijoja figura të ndryshme . Në shkollë desha të mësoja diçka më shumë ... Dhe tani jam këtu në vendin tuaj. Është konçidencë? Thojeni si të doni....
Sytë u gjallëruan dhe rrezatuan ngrohtësi... Përsëri heshti pak duke na parë me ata sy të butë e të kaltër. Duke u ngritur shtoi:
-Dhe shqiptarët janë njerëz punëtorë, të zgjuar dhe fisnikë..Kështu i njoha.
...Nuk harron, diplomati Xhova të më shoqëroj mesazhet e tij me atë simbolikën e shtrenjtë që u bë kurioz kur ishte i vogël.
URA E PSHERËTIMAVE
Është një urë e vogël. Një urë që nuk bie në sy. Por ama punën e bën. Le të thonë është e parëndësishme. Bashkon në një segment fshatin X me rrugën kryesore. Ose më saktë autostradën që na lidh me një shtet fqinj. Është vepra e fundit që u bë në këtë fshat. Them si vepër arti.Nuk ka rëndësi sa kushtoi, As cila firmë e ndërtoi. Interesantja është se u ndërtua me bunkerët e Enverit. Se dikush i vuri çekiçin t’i marr hekurin. Kuptohet ata që ia dinë vlerën lekut. Nuk jam me mendimin e ndonjërit që thotë se kot harxhuam gjithë atë beton e hekur. Ja që ia gjejmë vendin. Mund t’ua marr mendja sa bunkerë u shkulën për të ndërtuar “Urën e Artës” ? As më pak, as më shumë, plot gjashtë.
Por belanë gjetën disa oficerë. Të shkretët oficerë kanë kohë që kërkojnë të gjejnë ku u zhdukën gjashtë bunkerët. Jo se i ha meraku për bunkerët, por i kanë në inventar. I akuzojnë se i shitën për hekur. Me një fjalë akuzohen për korupsion. Hajde bela, hajde. Pa bërë korupsion, akuzohesh për 1 kuintal hekur. Sa herë shkelin mbi këtë rrugë. U ranë këmbët. Pyesin si Stresi te Kostandini dhe Doruntina. Asnjë s’di gjë. Ose dinë dhe nuk duan të trazohen. Kohë të veshtira , thonë. Nuk e dinë oficerët e shkretë sa herë kanë shkelur mbi betonin e bunkerëve në urë, në betonin e Enverit, se ato janë gjashtë bunkerët që i dhanë firmës një fitim neto 3 milionë lekë..
Disa që e dinë, ndalojnë sipër urës dhe psherëtijnë me dhembje “Ah, more i shkretë Enver, të vajti mundimi kot. Të shkatërruan bunkërët. Ku do të mbrohemi ne tani? Poshtë urës?
Një udhëtar i çuditshëm duke dëgjuar psherëtimat shkroi mbi betonin e bunkëreve të urës: “URA E PSHERËTIMAVE
Comments