top of page

Dy shkrime...


Gjuha Hyjnore

Astrit Lulushi


Çfarë gjuhe flitet në Parajsë? Asnjë që ka shkuar nuk është kthyer të na e tregojë. “Shih Zotin dhe vdis”, thotë Bibla.

Dhe, pas kësaj pyetje, kthehemi tek Shën Augustini, filozof e teolog (354 – 430), i cili hodhi i pari idenë se familja e Eberit - nip i Noes dhe ati i Pelegut - ruajti atë gjuhë që besohej se ishte gjuha e përbashkët e racës hebraike. Shumica e 72 gjuhëve që lindën, kur u shemb Kulla e Babelit, datojnë në shumë breza pas Eberit. Shën Augustini e zgjidh këtë problem, duke thënë se Eberi, i cili jetoi 430 vjet, ishte ende gjallë kur Perëndia e ndau gjuhën në copa. Dhe Hipoteza e Shën Agustinit qëndroi për më shumë se një mijë vjet.

Në vitin 1684, duke shprehur skepticizëm, britaniku Thomas Browne hodhi dyshimin se megjithëse toka ishte shumë e populluar para përmbytjes, me një shpërndarje të madhe dhe hapësirës në kohë, njerëzit mbajtën një gjuhë uniforme në të gjitha pjesët ku u vendosën.

Zbulimi i Botës së Re dhe eksplorimi i Lindjes së Largët kishin sjellë njohuri të gjuhëve të reja përtej 72 gjuhëve të llogaritura nga Shën Augustini. Duke cituar gjuhët amerikane vendase, Browne sugjeroi që "ngatërrimi i gjuhëve, në fillim preku vetëm ata që ishin të pranishëm në ndërtimin e kullës së Babelit...Për banorët rreth kodrave, ku ndodhej arka e Noes...gjuha primitive me kalimin e kohës u degëzua në disa pjesë të Evropës dhe Azisë”. Sipas kësaj pikëpamjeje, thjeshtimi nga një gjuhë më e madhe sesa hebraishtja mund të jetë përgjegjës për ndryshimet në gjuhë. Browne sugjeron kinezishten e lashtë, ndër gjuhët që erdhën nga konfuzioni, përzierja dhe ndryshimi. Ai thotë se një dialog mund të hartohet në Saksonisht, vetëm me fjalët që mund të nxirren nga Helenishtja...dhe nëse gjuha e skithësve si gjuhë amtare shkon në të gjithë kombet e Evropës, madje deri në Persi, njësimi në gjuhë midis kaq shumë kombeve, ka një përhapje më të arsyeshme dhe më tepër mund të nxirret nga gjuha e përbashkët sesa nga gjuha e ndonjë kombi të veçantë.

Konfuzioni në Kullën e Babelit u hoq si pengesë duke u lënë mënjanë. Përpjekjet për të gjetur ngjashmëri në të gjitha gjuhët rezultuan në zbulimin gradual të një gjuhe të vetme antike nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera. Browne padyshim e botoi këtë studim mbi gjuhët para vitit 1684. Në të njëjtin shekull kur James Howell botoi Vëllimin II Epistolae me letra pothuajse imagjinare për persona të ndryshëm të rëndësishëm që përmbanin informacione të vlefshme historike. Në Letrën LVIII (58), metafora e një peme gjuhësh shfaqet plotësisht e zhvilluar.

“Unë tani do të ngre velat drejt Hollandës, gjuha e së cilës është dialekt me anglishten, pasi të dyja rrjedhin nga holandishtja e lartë”. Gjuha e Lartë Holandeze ose Teutone është një nga Gjuhët Amtare, e përhapur në shumë vende evropiane, dhe vazhdon akoma në pjesën më të madhe të Polonisë dhe Hungarisë, të cilët kanë një Dialekt për gjuhën e tyre vulgare. Disa nga shkrimtarët e saj do ta bënin këtë botë të besonte se ajo ishte gjuha që flitej në parajsë.

Kërkimi për "gjuhën e parajsës" ishte temë e të gjithë gjuhëtarëve të Evropës. Ata që shkruanin në latinisht e quanin lingua prima, lingua primaeva ose lingua primigenia. Në anglisht ishte gjuha Adamike; në gjermanisht, Ursprache (gjuhë e parë). Ky koncept i gjuhës misterioze, hyri në përdorim shumë përpara se neo-gramatikanët ta përvetësonin për gjuhët e tyre të para. Që nga ajo kohë, hendeku midis familjeve gjerësisht të ndryshme të gjuhëve mbeti i pa mbyllur. Sot disa thonë se gjuha shqipe është Hyjnore, duke përmendur legjenda, mite e të vërteta, pa lënë pa thënë, se fqinjët për shekuj kanë patur plane për fshirjen e tyre nga historia. “Është paranojë”, thonë të tjerë, duke qeshur. Dhe të parët i pyesin: “Po sikur planet e dikurshme të mos jenë mbyllur?”


SHKRIMI II:


Ndërgjegje

Astrit Lulushi


Vetëdija është misteri i mistereve. Është e vetmja gjë e njohur drejtpërdrejt për ne. "Nuk ka asgjë aq të paimagjinueshme se sa materia e vetëdijshme për veten e saj” (Blaize Paskal). Ashtu si imazhet në mendje krijojnë realitetin fizik, realiteti fizik krijon imazhe në mendje. Imazhet krijojnë imazhe. Për shumë shekuj, filozofët kanë eksploruar natyrën e imazhit, shkencëtarët kanë teorizuar origjinën e tij.

Vetëdija është imazh. Dhe përparimi vitet e fundit ka ofruar dritare të reja të jashtëzakonshme në çështjet e ndërgjegjes. Teoritë e përgjithshme dhe të veçanta të relativitetit dhe teorisë kuantike - kanë zbuluar faktorë që luajnë një rol themelor në krijimin e asaj që ne e perceptojmë si "realitet" fizik.

Në të shkuarën besohej se realiteti fizik që përjetojmë ekziston i pavarur nga vëzhgimet tona. Me fjalë të tjera, ekziston një realitet material aktual.

Gjithësia nuk ka një histori të vetme, madje as një ekzistencë të pavarur. Në të vërtetë, si shumë nocione në shkencën e sotme, duket se kjo shkel sensin e përbashkët. Por sensi i përbashkët bazohet në përvojën e përditshme, jo në univers, siç zbulohet përmes mrekullive të teknologjive që na lejojnë të vështrojmë thellë në atom ose të kthehemi në universin e hershëm.

Atomet në vetvete nuk janë reale; ato janë grimca wë formojnë një botë mundësish dhe jo një prej gjërave ose fakteve. Çështjet filozofike të ngritura nga mekanika kuantike vlejnë si për të mëdhenjtë ashtu edhe për të vegjëlit — jo vetëm përshkruajnë mikrofizikën elementare, por edhe botën klasike ose makrofizike (Njutoniane). Vetëdija dhe aspektet e saj mendore janë pjesë e universit kuantik në të cilin jetojmë, dhe nga këndvështrimi kuantik ky univers është një vend jashtëzakonisht ndërveprues.

Vetëdija kuantike nënkupton që ne jemi pjesë e një universi që është një punë në progres; jemi pjesë të vogla të një universi ku shikojmë dhe krijojmë vetveten. Nuk është vetëm e ardhmja që ne përcaktojmë, por edhe e kaluara. Vëzhgimet tona aktuale zgjedhin një nga shumë histori dhe të ardhme të mundshme për "realitetin" e ndërtuar mbi të kaluarën. Dhe e kaluara, ajo që vërtetë ka ndodhur, paraqitet si histori e shkruar djallëzisht gabim, dhe e rreme. Kjo bëhet për të kontrolluar të tashmen e të ardhmen. Shpesh, shumica harron se, kush dëshiron gjithçka humbet gjithçka - të kaluar, të tashme, të ardhme.


16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page