top of page

Dy metra distancë


Dy metra distancë

Tregim nga Fatmir Terziu

Në fillim u zgjua Ai. Lëvizi me kujdes trupin e tij pupël dhe bëri nga rrobja e trupit të tij që kishte më afër. U zgjat dhe e tërhoqi ngadalë, pastaj e mbuloi Atë. Buzëqeshi paksa nën buzë. Pastaj, ashtu duke mbështetur dorë pas dore trupin e tij të cingëlt u qas karthje tek dera. Nguci diçka në xhepin e pantallonave dhe me gishtat që i dridheshin nxori kutinë e duhanit, që e kishte grirë vetë netëve të tjera pa gjumë në sy. Prej kutisë gishtat e tij kapën dhe nxorën një shukë të vogël, aq sa një mbushje tre herëshe të lludhës dhe ia qepi asaj ane ku dukej se do të pushonte ajo ikje-ardhje e mërzitshme e derës. E ndjeu se diçka po e qetësonte. Pastaj në atë rrugën e kthimit u mundua të mos i zgjonte të tjerët. Ndoqi itinerarin më të gjatë, më të lodhshëm, por më të duhur.

“Ia dola mbarë.” – tha me vete dhe u mblodh thuajse grusht aty në minder. Pranë tij ndjeu frymën e të shoqes, sikurse të mos e kishte ndjerë herë të tjera. Diçka ndryshe. Trupi sikur po fluturonte mbi re. E gjithë hapësira që matej me ndasinë copa-copa të qiellit mbi sy iu duk sikur kishte qepur arna gjatë gjithë natës për çatinë e shtëpisë, që kishte përfunduar në atë gjendje që nga koha e tërmetit të disa muajve më parë. Ndjeu dhe dorën e gruas. Padashje ajo kishte kaluar kufirin e zakonshëm dhe ashtu pa ndonjë shpjegim qëmtonte në thellësi të ngrohtësisë që prodhohej më shumë nga fryma, se sa nga ajo shtjellë që paqtonte trupat e tyre.

“Ej, grua?” – më duket se …

“Aaaa, desha të të falenderoj nga zemra …, edhe për marifetin që ia gjete asaj dere. Ndaj…”

“Ë, de ë. Derën mbylla, nuk bëra ndonjë gjë të madhe.”

“Në rregull tani afrohu dhe bëj një sy gjumë.”

E ndërsa sytë kopjonin tërë strukturën misterioze që prodhonte larushia e qiellit mbi trarë, dera sërish në të sajën. Zhurma e saj … Eh, sa e mërzitshme, e sa më e mërzitshme që bëhej.

“Ah, kot e lodha dorën time. Kot. U zgjat dhe e mbuloi Atë, dy herë me velencë. Duhet të bëj derman vetë.”

Dhe ashtu u ngrit menjëherë Ajo. Ashtu, gjysëm përgjumësh, duke mos i ndjerë këmbët e saj të fryra, u gjend tek dera. U rrotullua përqark dhe sytë nuk i zunë ndonjë gjë. Pastaj pikasi diçka me sy. Zgjati duart, e kapi atë letër të lënë poshtë një gote uji, dhe pasi e zhubrosi me duar, e grisi me kujdes pa bërë zhurmën e zakonshme të një letre kur griset me shpejtësi, e ndau në tre pjesë, dhe ia vuri derës në tre pika. Njërën e vuri nga lart, aty ku dera me karnavazin e saj të vjetëruar krijonte një gropë të madhe nga rënia e vazhdueshme e suvasë, tjetrën aty ku dukej se vetë dera ishte kafshuar papushim nga ndonjë bishë me dhëmbë të mëdhaja, e të tretën në ndarësen që mbante bravën, që dukej si e hallkatur nga brinjët. E provoi me kujdes se mos hapej përsëri, por më kot. E ndjeu se edhe dy nipërit e tre mbesat flinin si pëllumba. I ndjeu të buzëqeshnin në gjumë. Dhe iku ngadalë që aty tek Ai. Ishte tashmë e qetë.

Një buzëqeshje e kishte mbuluar fytyrën e saj. Dhe ashtu me një nur që i shkëlqente nga fashat e hënës nën trarë fliste me vete.

“Ja edhe pak.”

Zhbiriste gishtat thatimë ngadalë duke numëruar.

“Edhe tre javë. Java e parë…, e dyta…, e treta. Ikën dhe ky murmuritës i pafytyrë, nuk na mërzit dhe ai Njeriu me atë çantë. Ja do të na vijë djali nga larg dhe do të ndreqim këtë rrangallë. Ishallah na del mbarë. Epo, mbarë do të na dalë…, se e ngrohta po na vjen.”


Ai lëvizi pakëz dhe ajo e ndjeu se duhej të kishte kujdes edhe me pëshpërimat që i dukej se komandonin edhe buzët e saj. E mos ndoshta ata bënin që Ai të zgjohej.

Sytë dukeshin të lodhur. E në raste të tilla dihet se kush i detyron të bëjnë detyrën e përcjelljes së trupit në përhumbje. Aty e ndjeu se e gjitha ishte një faj i asaj dere, dhe pikërisht në ato tre pika, që tashmë e kishin bërë me atë letër të qepte më në fund gojën e saj të mërzitshme.

Dera tashmë ishte në paqe me veten. Dhoma ndjente vetëm dihama e shukurima të vockla nën rroba. Të vegjëlit afroheshin me njëri tjetrin dhe dukej se kishin zënë ngrohtë. Nuk donin t’ia dinin as për harabelat që filluan të shpërndajnë lajmin e tyre se kishte ardhur dita e re. As për ato zhurmëza që shpëtonin pa u kuptuar nën atë mbulesë, as ndonjë gërrhitje spontane, …, as zhurmëzat e tjera që çapiteshin diku afër dhe larg.

Por, Ai nuk kishte si të mos e ndjente borinë e mikrobuzit të ushqimeve që vinte e i sillte një herë në dy javë në atë fshat. Kishte tashmë dy muaj që nuk ndjehej zhurma dhe boria e tij. Kishte dy muaj, apo tre, këtë nuk e mbante mend mirë, por ditën që e takoi Njeriun me çantë e mbante mend. Ishte pikërisht dy javë më parë si sot. I ishte lutur që t’i jepte ndonjë ushqim, se kishte fëmijët për t’i ushqyer. Ai kishte qeshur dhe i kishte kujtuar se nuk kishin paguar detyrimet e Bashkisë.

“Mos qesh zotëri i nderuar. Të lutem më kupto. Nuk jam njeri që gënjej. Nuk jam burrë që të abuzoj. Por halli më ka sjellë këtu tek ty.”

Njeriu me çantë kishte ngritur maskën nga goja e hunda e tij dhe i kishte kujtuar se duhej të mbanin distancë dy metra larg njëri-tjetrit. E Ai i ndjerë ngushtë kishte zbatuar urdhërin. Atëherë Njeriu me çantë kishte ndaluar dhe kishte nxjerë një letër nga çanta.

“Mere këtë letër dhe këtu është grafiku i ditës kur do të sjellim ushqime. Por kujdes fëmijët!!!”, i kishte thënë Njeriu me atë çantë, duke u gajasur sërish me të madhe. Këtë e kujtoi menjëherë teksa bëri të rrotullohej në anën tjetër.

“Po, fli more burrë, se shyqyr na la rehat ajo derë!” – i tha Ajo.

“Po si të flejë moj grua, sot kemi grafikun.” – shtoi Ai.

“Cilin grafik more burrë, mos je gjë në ëndërr?”

“Ushqimet, moj grua, ushqimet, se i lamë dhe ata jetimë pa gjë. U iku e ëma dhe nuk e varrosëm dot, se nuk na lanë, por as… E djali na u mbyll andej matanë. As …, ah moj grua, ah.”

“Mirë de, mirë, ja do të ngrihemi, dhe …”

“Dhe çfarë? Mos nuk ndjehesh mirë?”

“Jo more…, jo more burrë, jo. Unë mos qofsha…”

“E unë pastaj do numëroj yjet? Çfarë do të bëj pa ty. Po ata…”

“Ah, çfarë kam bërë unë, ah…unë e mjera. Unë që…”

“E de, e, thuaj ku është halli.”

“Dera, dera shikoje…”

“E shoh, po çfarë ti bëj, sa herë jam munduar dhe kam kërkuar ndihmë, por askush nuk më hedh më një sy. Më thonë duhet të mbajmë distancë dy metra nga njëri-tjetri. Edhe ai, Njeriu me çantë, kështu më tha kur ma dha atë letrën për ushqimet me grafikun e Bashkisë.”

“Ah, dera …, dera. Letra more burrë. Letra.”

“E mirë ja do shkoj tani…”

“Letra…, unë e paskam grisur padashje mbrëmë atë letër, për ti zënë gojën kësaj dere.”

“E mirë, de, mirë… do bëjmë dhe pa atë letër. Mos i nxirr ato lotë, nuk ti shoh dot…”.

E ashtu ngadalë e ngadalë doli nga shtrati. Menjëherë u hodhi dy shuplaka ujë syve dhe me lludhën e mbushur në gojë u gjend në sheshin e fshatit. Pa u afruar mirë tek mikrobuzi pa rrjeshtin e gjatë të njerëzve. Bëri më afër. Edhe pak më shumë, por dëgjoi një zë.

“Dy metra distancë! Mos u afro më!”

Fshiu sytë dhe ndjeu menjëherë se ishte Njeriu me çantë.

103 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page