DY LETRA


Edmond Llaçi

   Kushtuar xhaxhait dhe babait tim.

    Do ti vinte i biri. Në atë përpirje të shpejtë të rrjeshtave  të letrës të ardhur përpara dy javësh ai mësoi se më së fundi kishin vendosur ditën e dasmës. Ndjeu një gëzim të jashtëzakonshëm. Si prind, me gjithëse i privuar për të mos qenë pranë tyre edhe ai e kishte menduar prej kohës se i biri duhej të krijonte familjen e tij. Nuk ishte më i vogël. Do të ishte një ndryshim për më mirë për të gjithë. Më shumë edhe për të shoqen ku të cilës do ti ngrohej shpirti kur ta shihte edhe atë të martuar. Do të rehatohej më së fundi. Nuk do të qëndronte më pranë televizorit deri natën vonë. Tek do shihte ti rishfaqej ajo drita e bukur në sytë e tij ku më të shumtën e kohës ai qëndronte vetullngrysur, shpirti i saj do të mbushej me hare.

Ishte ende në këmbë aty pranë dritares së vetme të dhomës të siguruar me shufra hekuri të trasha. Shikimin e kishte përtej hapësirës së fushës deri në pafundësinë e asaj që kapte syri i tij. Sa herë ndodhej aty ajo hapësirë e ndrythte, e trëmbte. Ndjente sikur ecte dhe vetëm ecte pa mbritur në fund të saj. Nga posta e ditës së sotme mori lajmin e ri. Dy letra të ardhura në një kohe të shkurtër do ti shtonin gëzimin e jetës. Ç’farë mund të kërkonte tjetër. Nuk dëshironte më shumë veçse lumturinë e familjes. Ndjente përgjegjësi për jetën e tyre. I vetmi komunikim me ta, ishin ata zarfat e vegjël me shkrimin e bukur e të birit mbi to. Larg tyre dhe i brengosur, priste me ankth lajmet e ardhura. Ishte e vetmja mënyrë. Brenda tyre do ti shpjegonin me imtësi çdo zhvillim të jetës familjare që ata përjetonin.  Dhe ja, mësoi se do ti vinte i biri menjëherë pas dasmës. Ngriti kokën dhe hodhi shikimin drejt bashkëvuajtësve të tjerë dhe vëllait, i cili ndodhej i shtrirë në krevat, në katin poshtë. Si të gjithë të tjerët edhe ata të njëjtën vepër penale po vuanin,  atë të agjitacionpropagandës kundër pushtetit popullor. Shpesh tek e shihte të rinte në atë qetësi ku vetëm ai mund ta zotëronte, mendonte nëse do të mundte ti kalonte ato vite të mallkuara aty brënda pa të. Urtësia e të vëllait, e atij njeriu babaxhan, do ti siguronte një qetësi shpirtërore për ti kaluar sa më lehtë ato krizat e shpeshta që ndjente zemra e tij e lodhur. Por sot ai kishte përse ta shfaqte atë ndjenjën e bukur që kishte kohë që po e akumulonte. Gati si vjedhurazi e rihapi letrën të shkruara nga e shoqja. Kësaj rradhe, me atë shkrimin e saj të shkujdesur ishte ajo që do ti tregonte shumë gjëra për atë bijë të botës, tashmë gruaja e të birit të tyre. Vërtet ishte një ndjesi e bukur. Një ndjesi prindërore e ëmbël sikur e kishte njohur prej kohësh atë vajzë, atë bijë gjë që nuk kishte dëshirë ta humbiste pa e parë nga afër me gjithëse ai takim do të bëhej në një distancë të krijuar prej dy ndarje hekurash tepër të trashë. E palosi me kujdes dhe hodhi një shikim të shpejtë brenda asaj hapësire ku në pjesë më të madhe të ditës e kalonin aty. Heshtje. Po lexohej posta e ditës. Në aq sa i jepte mundësi pozicioni ku ndodhej, u përpoq ti vëzhgonte fytyrat e tyre. Të mësonte përjetimet tek po kalonin të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë. Në to do të shtoheshin edhe shumë rrudha të tjera në trajta të ndryshme deri në spostimin e vetullave në forma të çuditëshme, ose shpërthime gëzimi të shpejta të shoqëruara me lëvizje të ndryshme të trupit. Pavarësisht se ishin në distancë të largët me pjestarët e familjeve, për ta, ai çast ishte nga momentet më të bukura. Dhe do ti lexonin e ri lexonin ato letra. Më pas në ditët në vazhdim do të merej me mirëmbajtjen e rrobave e gjithçkaje tjetër. Me ushqimin do të kujdesej i vëllai. Por shpesh si në këtë çast, i ndodhte ajo që ai nuk dëshironte. Rikthehej në kujtimet e ngjarjet e kaluara. Ishte duke kryer pjesën më të madhe të atij dënimi të pa merituar. Në mënyrë tepër të shpejtë bëri llogarinë se sa kohë ndodhej aty brënda. Kishte kaluar gjysmën e tij. “Duhet të bëj durim” mërmëriti ndër dhëmbë. I u kujtua dita e gjykimit. Aty në rrjeshtin e parë, në ankth e shoqja me fëmijtë po prisnin masën e vendimit. U tmerrua tek i pa të dridheshin për fatin e tij. Dihej se sa do të dënohej. Aty përpara trupit gjykues dhe njerëzve të shumtë që kishin mbushur sallën pasi gjyqe të tilla kishin kohë që zhvilloheshin me dyer të hapura, për ti demaskuar publikisht “kundështarët” e partisë e pushtetit popullor. Në ato momente si për të dalë nga ajo situatë përdori “klikun” e tij ku me pëllëmbët e duarve mbështolli gjithë fytyrën duke e qëlluar lehtë atë. U rikthye në kohë. I ndodhte shpesh dhe ishte forma më e mirë për të shpëtuar nga mankthet.

      Më në fund u tregoi shokëve se i biri kishte vendosur që pas “muajit të mjaltit” do të kalonte ta shihte. Nga kofidenca priti edhe romuzet e para prej tyre. Nga më të lehtat deri më të kripurat. Ishte e pranueshme ajo atmosferë që krijohej pas rrëfimit të dikujt për gjëra familjare. Ata pothuajse i dinin të gjitha se çfarë u ndodhte gjithësecilit  në shtëpitë e tyre. Ishin po ata që i tregonin në momente të ndryshme psikologjike. Dikush kishte nevojë të shfrynte sikletin për ato që i ndodhnin. Tjetri për tu mburur do ti shtonte edhe diçka më tepër asaj që deshte të rrëfente.

Tepër i kujdesshëm, si gjithmonë, në ato që ishin të shtrenjta për jetën, u kthye dhe u ul pranë vëllait, buzë krevatit duke mbështetur në gjoks dorën e tij. I dha letrën dhe priti. Edhe ai kishte nevojë ta lexonte. Sa e sa herë kur qe vocërrak e mirte  në shtëpinë e tij për të kaluar pushimet e beharit. Ai shëndetligu që nuk besohej që do të “bëhej,’’ ja sot po shkon ti takojë. Ajo dritë e shpërthyer në sytë e të dy vëllezërve i ngacmoi zemrat e atyre burrave ku në të shumtën e rasteve shfaqnin ashpërsi. Nuk u kishte ndodhur ndonjëherë që të prekeshin e të lëshonin lotë të tillë. Tek përqafoheshin, mes urimeve të shumta dhanë bekimin e tyre për çiftin e ri.

Shtator 2017

0 views

Shkrimet e fundit