top of page

DY KULTURAT E SHOQËRISË SHQIPTAREA KANË TË ARDHMJE?


Thanas Gjika

Për këtë temë nuk ka studime të posaçme, por unë po guxoj të hedh disa mendime duke shpresuar se mund të tërheq vëmendjen e studiuesve të specializuar që merren e do të merren me historinë e lëtërsisë, artit e gazetarisë shqiptare dhe me historinë e shkencave shoqërore shqiptare të shekujve XX-XXI. Shoqëria njerëzore ka synuar gjithnjë për të siguruar sa më shumë të drejta për sa më shumë anëtarë të saj. Hapi më i madh në këtë drejtim u krye me krijimin dhe zbatimin e kushtetutës borgjeze të të drejtave të njeriut, e cila sanksionoi të drejtën e fjalës, lirinë e shtypit, lirinë e lëvizjes, të drejtën e organizimit të partive politike, të drejtën e votës për bura e gra, të drejtën e grevave dhe demostratave paqësore, etj. Gjatë shekujve XIX-XXI këto liri e të drejta të njeriut në vendet euroatlantike kanë ardhur duke u pasuruar, forcuar e perfeksionuar gjithnjë e më shumë. Në ato shtete ku këto të drejta zbatohen me rigorozitet shohim se gjallon një kulturë e vetme kombëtare, e cila krijohet prej intelektualëve krijues shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve dhe studiuesve të shkencave shoqërore, të cilët pavarësisht se mund të kenë bindje të ndryshme politike, pra mund të bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, ose mund të kenë bindje të ndryshme artistike e shkencore, pra mund të bëjnë pjesë në shkolla e rryma letrare artistike e shkencore të ndryshme, ata krijojnë së bashku një kulturë kombëtare, kulturën demokratike. Kjo kulturë i shërben zhvillimit dhe emancipimit të masave të gjera të popullit të vendit të vet dhe të popujve të mbarë botës. Kurse në shtetet ku këto të drejta nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë, por nuk zbatohen me rigorozitet, pra në shtetet jo demokratike, gjallojnë dy kultura kombëtare, të cilat bashkëjetojnë, konkurojnë midis tyre dhe shpesh herë luftojnë njëra tjetrën. Qeveritë e vendeve jodemokratike ndihmojnë e përkrahin intelektualët krijues që i shërbejnë e i servilosen pushtetit. Këta me veprat e tyre publicistike, letrare, artistike dhe shkencore përpiqen të përjetësojnë pushtetin e klasës / kastës që është në pushtet. Kjo kulturë nuk është kulturë demokratike, nuk i shërben zhvillimit dhe përparimit të popullit të vet dhe aq më pak popujve të tjerë të botës. Në veprat që i përkasin kësaj kulture mbizotëron propaganda si në lerërsi, në arte dhe në shkencat shoqërore. Kultura tjetër, që konkuron me të është kultura demokratike, e cila gjallon përmes veprave letrare, artistike dhe publicistike, si dhe veprave shkencore historike, ku nuk mbizotëron propaganda, por arti realist, vërtetësia, kurse në studimet e shkencave shoqërore mbisundon jo propaganda, por objektivizmi në analizat shkencore. Kjo kulturë është kulturë demokratike sepse i shërben zhvillimit dhe emancipimit të popullit të vendit të vet dhe popujve të botës. Në historinë e popullit shqiptar këto dy kultura kanë ekzistuar që në kohën e pushtimit turk dhe vijojnë të ekzistojnë deri sot, sepse gjatë gjithë kësaj kohe populli ynë nuk është qeverisur dhe nuk po qeveriset prej qeverish të vërteta demokratike. Gjatë sundimit turk kultura proqeveritare kërkonte hapjen e shkollave në gjuhën turke, stimulonte mbushjen e gjuhës sonë me fjalë turko-arabe, përdorimin e alfabetit arab për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha mosshkëputjen e Shqipërisë prej Perandorisë Turke. Në krahinat jugore të vendit ku popullsia ishte kryesisht e krishtere ortodokse, gjalloi dhe një aspekt tjetër i kësaj kulture antikombëtare, kultura që i shërbente Patrikanës së Stambollit, e cila kërkonte hapjen e shkollave në gjuhën greke, shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin grek, mbushjen e gjuhës sonë me greqizma, luftonte për greqizimin e popullit shqiptar, për moskrijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, etj. Në kundërshtim me këtë kulturë proturke ose progreke antikombëtare u zhvillua kultura e Rilindjes sonë Kombëtare. Gjatë sundimit të Mbretit Ahmet Zogu i I, përsëri mbisunduan dy kulturat, njëra si kulturë proqeveritare jo demokratike dhe tjetra si kulturë demokratike, e përfaqësuar prej shumë shkrimtarësh, këngëtarësh, piktorësh e gazetarësh. Gjatë pushtimit fashist u punua për krijimin e kulturës profashiste me anën e disa gazetave. Kjo kulturë ishte thjesht propagandë gazetareske që u shoqërua me shumë pak krijime letrare e artistike. Në kundërshtim me të u zhvillua kultura antifashiste e cila pati dy krahë, nga njëra anë këtë kulturë e përfaqësuan forcat nacionaliste dhe udhëheqësit e organizatës patriotike “Balli Kombëtar”. Këtu duhen përmendur dhe këngët që krijoi populli për luftëtarët e çetave patriotike nacionaliste e ato balliste (shumë prej këtyre këngëve u botuan në një vëllim më 2019). Pati dhe botim traktesh, buletinesh e gazetash. Nga ana e saj Partia Komuniste Shqiptare, si parti leniniste u shqua për disiplinë të hekurt brenda radhëve dhe për propagandë të fortë. Kjo parti e rriti nivelin e propagandës antifashiste përmes gazetave “Zëri i popullit”e “Bashkimi” dhe me anë të buletineve. Pas gushtit 1943 ajo e shtriu propagandën e vet edhe kundër forcave të tjera antifashiste si Balli Kombëtar, Legaliteti dhe nacionalistëve të pavarur, me qëllim që në fund të luftës të merrte pushtetin si forcë e vetme politike antifashiste. Qëllim që e realizoi në fund të nëntorit 1944. Marrja e pushtetit politik prej Partisë Komuniste të Shqipërisë u shoqërua me forcimin e propagandës proqeveritare, me mbylljen e gazetave dhe revistave që synonin lirinë e shtypit, me botimin vetëm të gazetave e revistave proqeveritare. Intelektualë, shkrimtarë e klerikë që mendoheshin prej udhëheqjes së partisë shtet se mund të kundërshtonin vijën e saj politike u vranë, u burgosën dhe u dëbuan nëpër kampe pune (internim). Me anën e Radio Tiranës, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Lidhjes së Gazetarëve, Kinostudios “Shqipëria e Re”, Televizionit u forcua propaganda proqeveritare në maksimum. Në letërsi dhe arte u kërkua me ngulm që të krijohej sipas normave leniniste të realizmit socialist, ku të dominonte figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si hero pozitiv, model i shoqërisë së re socialiste. Shqipëria u shpall shteti më demokratik në botë, por të drejtat e njeriut, e drejta e fjalës dhe e shtypit të lirë nuk ekzistonin fare. Në të gjitha veprat letrare artistike dhe ato shkencore të shkencave shoqërore si historia e popullit shqiptar dhe historia e letërsisë shqiptare, dukuritë e jetës duhej të interpretoheshin në përputhje me politikën e partisë shtet. Ky detyrim sillte shpesh herë shtrembërimin e së vërtetës historike. Konkretisht duke qenë se partia kërkonte që Lufta Antifashiste të trajtohej vetëm si luftë e Partisë Komuniste, në asnjë vepër letrare, vepër arti, ose film artistik nuk u trajtua rezistenca e 7 prillit 1939 dhe nuk u përmendën dëshmorët e saj. Po ashtu u mohuan Lufta Antifashiste e çetave nacionaliste, ose e çetave të Ballit e të Legalitetit. Intelektualët me formim borgjez perëndimor dhe kleri, sidomos ai katolik, u paraqitën si forca regresive reaksionare, kur dihet se intelektualë, mësues, ingjinierë, mjekë të formuar në botën perëndimore dhe klerikë si At' Gjergj Fishta me shokë kishin luajtur rol përparimtar në jetën dhe historinë tonë kombëtare. Të tilla shtrembërime të realitetit në veprat letrare e artistike dhe në shkencat shoqërore ishin pjesë e krimeve të komunizmit. Shkrimtarët që kishin krijuar para luftës sipas parimit realist, pas vitit 1944 me dashje a padashje, filluan të krijonin vepra të reja sipas parimeve të realizmit socialist. Në këtë rrugë filluan të ecin dhe shkrimtarë e artistë të rinj që e nisën krijimtarinë e tyre pas vitit 1945. U stimulua krijimi i veprave të realizmit socialist me dhënie lejësh krijuese, me dhënie çmimesh të ndryshme, me dërgime jashtë shtetit në vendet e kampit socialist, me përkthimin e veprave në rusisht e ndonjë gjuhë tjetër, etj. Mirëpo figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si model i heroit pozitiv nuk mund të krijohej edhe në veprat që trajtonin tema historike, pra në vepra ku pasqyrohej jeta shqiptare para krijimit të partisë komuniste. Ndër kohë trajtimi i temës historike për të nxjerrë në dukje traditat patriotike të popullit tonë nuk mund të ndalohej. Kështu që partia shtet u detyrua të lejonte që krahas veprave që pasqyronin jetën socilaiste me hero pozitiv të krijoheshin edhe vepra me heronj të së kaluarës që nuk ishin komunistë, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, rilindës të ndryshëm, luftëtarë që kishin dhënë jetën për liri nga zgjedha turke, ose serbe (për pjesën e popullit shqiptar që iu dha Serbisë mbas vitit 1912), dhe luftëtarët antifashistë italianë deri në nëntor të vitit 1941, Ndodhi që i njëjti shkrimtar, piktor, skulptor, skenarist, regjisor të krijonte vepra të realizmit socialist, kur trajtonte tema nga jeta bashkëkohore dhe vepra thjesht realiste, kur trajtonte tema nga e kaluara historike. Kështu që brenda kulturës shqiptare në vitet e diktarurës komuniste mbizotëroi kultura proqeveritare, por krahas saj gjalloi dhe një kulturë jo servile, që përbëhej prej veprash letrare e artistike realiste dhe që ishte krijuar jo sipas parimeve të letërsisë dhe artit të realizmit socilaist. Këto vepra si psh cikli i romaneve “Rilindasit” të Sterio Spasses, romani “Skënderbeu” i Sabri Godos, romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” të Ismail Kadareaë, “Lëndina e lotëve” i Teodor Laços, etj; filma si “Nëntori i Dytë” e “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” e “Përrallë nga e kaluara” të Dhimitër Anagnostit, “Mësonjëtorja” i Muharrem Fejzos, “Kohë e largët” e Spartak Pecanit, “Udha e shkronjave” i Vladimir Priftit, “Ja vdekje, ja liri” i regjisorëve I. Muça e K. Mitro, “Balada e Kurbinit” i Kujtim Çashkut, etj. U realizua si film prej regjisorit I. Zhabiaku komedia e shquar e Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës”, si dhe komeditë me temë aktuale “Kapedani” prej Fehmi Oshafit e M. Fejzos dhe “Dy herë mat” prej Bujar Kapexhiut, ku nuk u fut heroi pozitiv. Po ashtu pati realizime realiste në piktura dhe skulptura me temë nga e kaluar historike si tablotë murale të Zrf Shoshit në Muzeu Historik i Krujës, “Beteja e Albulenës” e Lek Pervizit, etj dhe në skulpturë “Monumenti i Skënderbeut” i Janaq Paços në Krujë dhe ai i Odise Paskalit në Tiranë, “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, etj. Të gjitha këto vepra dhe të tjera, që nuk po i përmendim këtu, janë vepra që i përkasin kulturës demokratike të cilat kanë vlera të qëndrueshme artistike që nderojnë artin dhe kulturën shqiptare. Në këto vepra u zbatuan parimet e artit realist dhe jo normat e realizmit socialist. Në fushën e shkencave shoqërore pati studime të qëndrueshme lidhur me historinë e së kaluarës, pra të periudhës së Antikitetit, Mesjetës dhe Rilindjes, si dhe të historisë së letërsisë shqiptare të para vitit 1944. Ndihmesë të vyer këtu dhanë dhe shumë studiues të rinj të Kosovës e të Maqedonisë. Pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e kulturës demokratike që gjalloi gjatë viteve të diktaturës komuniste ka qenë dhe krijimtaria letrare e artistike e prodhuar brenda burgjeve të diktaturës. Për nderin e kulturës demokratike shqiptare të atyre viteve disa nga shkrimtarët e piktorët e burgosur si piktori e rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Pano Tasi, piktori Maks Velo, etj, krijuan vepra realiste brenda mureve të burgjeve ferr. Pas ndërrimit të regjimit kjo letërsi e ky art u botuan dhe bashkë me veprat realiste që përmendëm më lart dëshmuan se letërsia e realizmit socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko letrar e artistik shqiptar. Pikërisht këto vepra letrare dhe artistike që përbëjnë kulturën demokratike në vitet e sundimit të diktaturës komuniste, përbëjnë hallkën lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar të Rilindjes e të kohës së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar të ditëve tona. Mirëpo në Shqipëri, pas ndërrimit të regjimit dikatorial, nuk mundi të krijohej një kulturë e vetme demokratike, por vijuan të gjallojnë ende dy kultura, njëra demokratike dhe tjetra kultura seervile e pushtetit pra ajo jo demokratike. Kjo ndodhi sepse mbas ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së e udhëzuar prej Planit Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi, u përpoq që të sabotonte procesin e pluralizmit partiak duke futur në partitë e reja politike ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të regjimit diktatorial, për të bërë të mundur degjenerimin e proceseve demokratike. Zbarimi i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe pasuritë e vendit vijuan t'i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi dhe arte të gjallojë kultura jo demokratike, kultura servile që propagandon politikën e kastës sunduese të shpërndarë në parti të ndryshme politike me emra Parti Socialiste, Parti Demokratike, Parti Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj. Ish-krijues të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të kërkonin falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojuan t'i mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke moskuptuar se ky justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj diktaturës dhe enverizmit. Në krijimtari letrare dhe artistike këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t'u ngjajnë shkrimtarëve përparimtarë, duke i cituar e përmendur sa më dendur. Merren me trajtim temash filozofike, etj. Për t'u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë së burgut dhe të krijimtarisë së re që prodhojnë ish-të përndjekurit e ndërgjegjes dhe krijuesit e rinj. Në rrugë edhe më të gabuar kanë ecur historianët që shkruan historinë e Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar” të viteve 1912-1939 dhe 1939-1991 në dy vëllimet III dhe IV, botim akademik dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” po ashtu botim akademik i vitit 2008-2009, por shumë dukuri, ngjarje dhe figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra madhore, krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje as janë përmendur. Kjo tregon se klani Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave të RSh-së edhe pas ndërimit të regjimit diktatorial. E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallojnë dy kultura. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që dënojnë krimet e komunizmit dhe trajtojnë në veprat e tyree letrare, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor. Kësaj kulture i përket e ardhmja, kurse kulturës proqeveritare do t'i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Në kvtë bashkvsi popujsh nuk do të jetë më i nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturë servile ndaj pushtetit, sepse ky do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare...

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page