Prof.dr. Eshref Ymeri
Në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 02 janar, lexova esenë-analizë redaksionale, me titull: “A mundet që demokratët të rimarrin shpirtin e shumëpritur?”.
Analiza interesante, e parashtruar në këtë ese, më shërbeu si nxitje për të thënë dy fjalë.
Së pari, dëshiroj të theksoj se në jetëshkrimin e Lulzim Bashës ka një njollë të errët që nuk shlyhet kurrë. E kam fjalën për takimin e fshehtë misterioz të tij me Ramën natën, duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017. Pas atij takimi enigmatik, Lulzim Basha nuk mund t’i thoshte asgjë anëtarësisë së partisë demokratike dhe aq më pak opinionit publik, sepse e tillë është natyra e takimeve të fshehta të politikanëve të pushtetit me opozitën: ato mbeten gjithmonë sekrete, sepse dihet mirë që takime të tilla të përfaqësuesit të opozitës me përfaqësuesin e pushtetit, fshehin në vetvete pabesinë e tij ndaj militantëve që ai përfaqëson.
Rezultati i atij takimi të fshehtë ishte katastrofik për partinë demokratike në zgjedhjet e qershorit, në të cilat ajo humbi mbi 200 mijë vota. Lulzim Basha le ta vazhdojë karrierën në krye të partisë dhe anëtarësia e saj le të vazhdojë t’i bëjë hosana, pa qenë në gjendje ta kuptojë që kryetari është mik i fshehtë i Ramës, gjë që është me rrezik të madh për autoritetin e asaj partie. Sepse ajo anëtarësi duhet të jetë e vetëdijshme për faktin që, pas kryediktatorit Enver Hoxha, i cili e shkatërroi personalitetin e shqiptarit me përçarjen tragjike që mbolli për gati gjysmë shekulli me luftën e përbindshme të klasave dhe zhdukjen e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar, çka u kurorëzua me varfërinë tragjike të viteve ’80, faqja më e zezë kjo në karrierën e tij politike dhe në historinë e kombit shqiptar, edhe Rama është një tjetër faqe e zezë në historinë tonë kombëtare për politikën varfëruese që ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve, çka solli si pasojë emigrimin masiv të njerëzve, numri i të cilëve e ka kaluar shifrën mbi gjysmë milioni.
Së dyti, militantët demokratë, në zgjedhjet e 25 prillit, le të votojnë për Lulzim Bashën, por të mos harrojnë se kryetari i tyre e ka të përhershme aleancën e nëndheshme me Ramën për ndarjen e kohës së qëndrimit në pushtet herë njëri dhe herë tjetri, sipas radhës.
Së treti, militantët e varfër socialistë le të vazhdojnë të votojnë për Ramën, por të mos harrojnë se kryetari i tyre udhëhiqet nga psikologjia e kryediktatorit Enver Hoxha, sipas të cilit, sa më i varfër të jetë populli, aq më shumë të do, se të shikon në dritë të syrit për kafshatën e gojës. Dhe militantët e varfër socialistë, me bindjet e tyre të verbra, nuk kanë as ndryshimin më të vogël nga militantët e kryediktatorit Enver Hoxha, sepse janë pajtuar kokë e këmbë me varfërinë, e cila u është bërë pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Së katërti, edhe Rama, edhe Basha po tallen me militantët e tyre dhe me mbarë popullin shqiptar, duke luajtur komedinë e shpifur për të ashtuquajturën Reformë në drejtësi, për të cilën jam shprehur pesë vjet më parë, duke theksuar se me atë reformë do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi. Sepse Reformën në drejtësi mund ta kryejnë vetëm ata politikanë të rinj të pakorruptuar, që, nëse do të ishte e mundur, të dilnin nga gjiri i inteligjencies me vetëdije të lartë kombëtare, ta fillonin reformën që nga politikanët e korruptuar veteranë dhe oligargët rreth tyre, t’ua sekuestronin të gjitha pasuritë e paligjshme dhe mandej ta vazhdonin nga krerët e strukturave të larta të drejtësisë dhe të zbrisnin deri poshtë, te gjykatësit dhe prokurorët. Por në Shqipëri nuk ka inteligjencie me vetëdije të lartë kombëtare, se inteligjencia ekzistuese është e vdekur dhe e pakallur. Prandaj edhe Rama me Bashën vazhdojnë komedinë me të ashtuquajturën Reformë në drejtësi, sipas këshillave të ambasadorëve të huaj, të cilët në Shqipëri, si në një vend pa zot, kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh.
Së pesti, militantët e varfër socialistë le të votojnë për Edi Ramën, por të mos harrojnë se kryetari i tyre po ndjek me besnikëri rrugën e kryediktatorit Enver Hoxha në marrëdhëniet me serbosllavizmin, çka është një tradhti e hapur ndaj Kosovës. Dëshmia më e pastër është flirtimi i tij me kriminelin Aleksandër Vuçiç për ndarjen e Kosovës dhe krijimi i të ashtuquajturit minishengen, i cili s’është gjë tjetër, veçse rikrijim i Jugosllavisë, siç e ka pranuar publikisht vetë Vuçiçi. Qëndrimi i Ramës ndaj Kryetares së Parlamentit dhe Presidentes në detyrë Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Tiranë, dëshmoi më së miri edhe një herë se ai e turpëroi keq atdheun amë dhe është faqja më e zezë në historinë e kombit shqiptar. Qëndrimi tradhtar i Ramës ndaj Kosovës të kujton qëndrimin e kryetradhtarit Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, ku i deklaroi shefit të misionit amerikan Jakobs se ndaj mikeshës së vetë, Jugosllavisë, s’kishte pretendime për Kosovën. Edhe Rama, për qëndrimin e turpshëm që mbajti ndaj Zonjës së Nderuar Vjosa Osmani, sipas të gjitha gjasave, ka marrë porosi nga Beogradi të sillej në atë mënyrë, ashtu sikurse kryeargati i serbosllavizmit Enver Hoxha merrte udhëzime prej andej për të pushkatuar krerët e katolicizmit, përfaqësues të shquar të nacionalizmit shqiptar.
Së gjashti, askush, deri tani, nga krerët e militantëve socialistë dhe demokratë, as nuk e ka shkuar ndonjëherë nëpër mend që Shqipëria, si atdheu amë, të ngrejë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e rënda dhe shkatërrimet që kreu në Kosovë dhe të kërkojë nga ajo Gjykatë të paguajë dëmshpërblimin përkatës, i cili, siç ka theksuar Ramush Haradinaj, arrin në 22 miliardë euro.
Së shtati, militantët socialistë dhe demokratë me vetëdije kombëtare, duke ndjekur me vëmendje veprimtarinë e këtyre dy formacioneve politike gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, le të binden përfundimisht se lëvizja dhjetoriste nuk ishte gjë tjetër, veçse një komedi e bukur për t'i hedhur hi syve popullit të shumëvuajtur nën diktaturën kriminale enveriste, sikur komunizmi gjoja u përmbys. Në të vërtetë, komunizmi, sipas platformës së Ramiz Alisë, të shpalosur në mbledhjen e Byrosë politike të nëntorit të vitit 1989, ndërroi vetëm fasadën nga komunizëm në neokomunizëm, duke sjellë edhe ca ndryshime me ekonominë e tregut, pluralizmin politik dhe lirinë e mendimit. Prandaj në atë fjalim-platformë, Ramiz Alia deklaroi:
“Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 22 korrik 2018).
Pikërisht në përputhje me këtë orientim të pasardhësit të kryediktatorit, komunizmi, si diktatura më e egër në historinë e kombit shqiptar, nuk u dënua kurrë me ndonjë vendim të posaçëm të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe kryekrimineli Enver Hoxha vazhdon të mbajë ende medaljen më të lartë të kohës - titullin e heroit të popullit.
Së fundi, militantët e varfër socialistë dhe demokratë me vetëdije kombëtare, a nuk mendojnë se do të ishte shumë mirë sikur t’i bojkotonin fare zgjedhjet e 25 prillit, për t’u dhënë një mësim të mirë të dyja formacioneve politike komediane, që të shmangen nga skena politike dhe të krijohet mundësia që të shfaqen aty personalitete të pakorruptuara, si Vjosa dhe Albini, të cilët, në programin e tyre qeverisës, ashtu si edhe qeveria Kurti në Kosovë, të përfshijnë dy pika të rëndësishme - sekuestrimin e të gjitha kapitaleve të paligjshme të politikanëve, të oligarkëve politikë dhe të gjyqtarëve e prokurorëve, të pasuruar me djersën e popullit, dhe të ngrejnë padi kundër Serbisë për krimet dhe shkatërrimet në Kosovë.
Këto dy formacione politike duhet të shmangen nga pushteti për disa vjet, në mënyrë që partia socialiste të themelohet, se 12 qershori i vitit 1991 nuk është datë themelimi, është thjesht data e ndërrimit të emrit nga parti e punës në parti socialiste. Pra, ajo është vazhduesja besnike e partisë së punës. Se formimi psikologjik i anëtarësisë së saj nuk ka as ndyshimin më të vogël nga formimi psikologjik i enveristëve të partisë së punës. Kjo është edhe arsyeja që Rama, ashtu si edhe kryediktatori Hoxha, partinë e ka vënë nën këmbë, e shkel me këmbë si t’i dojë dhe sa herë t’i dojë qejfi, se vetëm veten e tij e konsideron me imunitet të padiskutueshëm, kurse të tjerët rreth dhe poshtë vetes i konsideron lëndë inerte, që mund t’i hedhë poshtë kur të dojë. Me këtë qëndrim fyes ndaj partisë së vet, Rama dëshmon se vuan tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit. Pikërisht si kryediktatori Hoxha, i cili ishte askushi, siç e pati vlerësuar Mustafa Kaçaçi, dhe një ditë të bukur u gjend në krye të partisë komuniste. Edhe Rama, nga njeriu askush që flinte nëpër metrotë e Parisit, një ditë të bukur, për fajin e pafalshëm të Fatos Nanos (i cili, në vitin 2001, në Pezë, pati deklaruar: “...e nxora nga mjerimi si refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura... dhe e ktheva me thonj të paprerë nga Parisi...”), u gjend në postin e ministrit të kulturës, të kryetarit të bashkisë, të kryetarit të partisë dhe, në fund, të kryetarit të qeverisë.
Në dallim nga partia socialiste, e cila, siç u theksua më lart, duhet të themelohet, partia demokratike duhet të rithemelohet, sepse ajo sot nuk ka kurrfarë vetvetësie (identiteti). Nëse një herë e një kohë, kur në krye të saj ishte prof.dr. Sali Berisha, ajo kishte vetvetësi dhe gëzonte përkrahje në një masë të gjerë në radhët e elektoratit, pas muajit maj të vitit 2017 ajo është zhveshur pothuajse tërësisht nga personaliteti politik dhe prandaj nuk e gëzon më atë përkrahje nga ana e atij elektorati.
Militantët e të dyja formacioneve politike ndoshta po mendojnë se unë shikoj ëndrra në diell. Megjithatë, pasi lexova analizën e lartpërmendur, e quajta për detyrë atdhetare t’i shpreh dy fjalë që thashë më lart. Militantët e varfër të të dyja formacioneve politike, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, le të veprojnë si të duan. Nëse kanë dëshirë, le të shkojnë të votojnë se varfërinë aty do ta kenë, “mikeshë” të përhershme në tryezat e tyre, me të cilën janë mësuar dhe nuk ndahen dot prej saj.
Ventura, Kaliforni
04 janar 2021
I dashur Resmi, Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për vlerësimin tuaj të çmuar. Mungesa e guximit të shqiptarëve, të rreshtuar në formacione të ndryshme politike, në këndvështrimin tim, e ka burimin te psikologjia enveriste, e cila nuk çrrënjoset lehtë nga vetëdija e tyre. Sipas asaj psikologjie, ai që është në krye të partisë, është më i zgjuari nga të gjithë, ai i di të gjitha. Por edhe kryediktatori, kur mori pushtetin, e kishte një bazë ku u mbështet në ushtrimin e diktatit të pakufizuar: te psikologjia tradicionale bajraktariste në radhët e shqiptarëve, të cilët bajraktarin në krye të bajrakut e vlerësonin sikur të ishte Hyjnia që ka zbritur në tokë. Ju uroj gëzuar Vitin e Ri, shënde…
Resmi Corbaxhi
Jo vetem mendje ndritur por edhe guximtar Kur mbaron se lexuari esene e prof te gjithe themi: i dinim te gjitha por askush nuk ka pasur kurajon te shprehet si ai Faktet jane bindese nuk lene pike dyshimi. Ende nuk ka nje sqarim ne baze cfare ndodhi, perse, dhe a ndikoi ne humbjen e zgjedhjeve. Shpjegimi i tyre jo thjesht per kureshtje por si nje kusht per te mos shkelur ne derrasen e kalbur Edhe po te vije opozita ne pushtet duhen hapur letrat e asaj nate te fshehte per te mos u percare me keq sapo te ndahen portofolet ku sigurisht di te kete qefmbetje
Ahmet Mehmeti
Fatmir Terziu, faleminderit per transmetimin e ketij mesazhi te Pr. Eshrefit, personalitet shume i nderuar i nacionalizmit humanitar shqiptar.
I dashur Profesor Odisea, Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë për objektivitetin e këndvështrimit tuaj. Ju uroj gëzuar Vitin e Ri, me të gjitha mbarësitë në familjen tuaj dhe suksese në karrierën pedagogjiko-shkencore në Universitetin e Vlorës. Eshref Ymeri Ventura, Kaliforni 04 janar 2021
I dashur Ahmet,
Ju falënderoj nga zemra për fjalët tuaja aq të ngrohta, aq miqësore dhe aq frymëzuese pë mua. Më gëzon zemra që në personalitetin tuaj del në pah brumosja e shkëlqyer e formimit tuaj, si një intelektual me vizion nacionalist, me frymë të theksuar atdhedashurie.
Ju uroj gëzuar Vitin e Ri, shëndet dhe mbarësi në familjen tuaj.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë.
Eshref Ymeri
Ventura, Kaliforni
04 janar 2021