Në të përjavshmen e mirënjohur letrare, "ExLibris" më është botuar sot një sikël me poezi dhe një shënim i shkrimtarit të njohur, Roland Gjoza për poezitë e mia. Faleminderit "ExLibris"! Faleminderit kryeredaktorit të "ExLibris" dhe njëkohësisht drejtorit të shtëpisë Botuese “Onufri”, Bujar Hudhri! Gjithashtu falenderoj shkrimtarin Roland Gjoza për fjalët e ngrohta për poezinë time!
Dy fjalë për ciklin poetik, “Ftohtë në Tiranë”
ROLAND GJOZA New York
Kam në duar një cikël me poezi dhe si rëndom në këto raste ndiej një emocion të veçantë. Poezitë m’i ka sjellë miku im, Ylli Dosku. “Roland, më tha, lexoji, janë të shokut tim të ngushtë, Rexhep Polisit”. Nuk e njihja Rexhepin si njeri, por e kisha lexuar fare pak si poet. Nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje, sepse sot shkruhet shumë, po një farë përshtypje disi të vagullt ruaja nga një cikël i tij në një gazetë të Tiranës ku kisha botuar edhe unë. Për fat të keq vëllimi i tij i fundit me poezi “Përditë më vrasin nga pak”, nuk më kishte rënë në dorë. I lexova me një frymë poezitë që mbaja në duar dhe nuk e di pse u kaplova nga keqardhja për fatin e mbrapshtë të poetit dhe ëmbëlsira e trishtë që buronte nga ajo tufë e vogël lirikash. Ishte një poet që vuante. Si duket e shikonte jetën me sytë e poetit dhe për këtë shkak i humbte shanset… Dhe sigurisht që sytë e një poeti janë sytë e një engjëlli, por jeta është e mbushur me demonë. Në këtë dyluftim deri tani të humbur në rrafshin e egzistencës e shikoj këtë poet delikat që s’di të fshehë asgjë nga përjetimet e veta. Duke lexuar këtë cikël intim përplot ndjesi të holla, më kaploi një mall i thellë i dhembshur për dy poetë të mëdhenj: Eseninin dhe Poradecin. Ngjashmëria me ta nuk ka të bëjë me imitimin, jo aspak, po me afrinë shpirtërore, shijen poetike, spontanitetin, gjendjen emocionale përplot ngjyrësi që krijohet. Rexhep Polisi ka profilin e vet origjinal. Shqetësimi i tij ka një kahje qytetare; ai është i mbërthyer nga dhimbja e përhershme njerëzore dhe revolta kryeneçe. Vargu intim, i drejtëpërdrejtë, muzikal, me ngjyra të larushitura, plot piskamë, ndjenja e masës; veçanërisht kjo e fundit, bëjnë atë që ne t’i rikthehemi poezisë së tij dhe të themi me bindje: Është e bukur, e ndjerë, e sinqertë. Tashmë jam bërë mik me Rexhepin si njeri dhe si poet. S’më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj fat poezisë së tij.
Nata pa hënë
Poezi nga REXHEP POLISI
FTOHTË NË TIRANË
Ftohtë, ftohtë në Tiranë... Mbi Dajt bora po rigon; Si krah zogu më ngjan, Malli që më hënëzon...
Mbuluar me tis trishtimi, Dita zvarritet e mpirë; Ti ndrin si rreze agimi, Si pikë vese e dlirë…
Bën ftohtë në Tiranë... Dajti zbardh i përlotur; Flokët e borës savan Mbi heshtjen e ndrojtur…
LIRI
I burgosur jam Në të njëjtën qeli me ty Dhe nuk mund të të prek E as të të shoh në sy!
I burgosur jam brenda teje... As emrin të ta thërras S’paskam fuqi... Liri!
NËNË!
M’u lagën mendimet Nga shiu i lotëve Që pa pushim Bie prej qiellit të vrenjtur.
Fjalët Më janë tharë nga dhembja. Duart Më dridhen si mështekna Nga erërat...
S’reshtin për asnjë çast Pendimet...
Është dimër Dhe fjalët kanë ngrirë, Nga qielli Si breshër më bëhen...
Në ajrin e qelqtë Vizatoj portretin tënd Dhe thellë, Thellë, së brendshmi Ndjej puhizën e ngohtë, Buzëqeshjen tënde Që më ngroh Në këtë natë polare...
NJË QERSHIZË
Një qershizë e brishtë buzë rruge Paska çelur pa pritur muajin maj. Lodrojnë petalet në ditën e murrme; Unë s’di pse ndjehem si i zënë në faj...
Harruar në shkresat mbi tavolinë Më ikën ditët krejt pa kuptuar... Sot kjo qershizë më solli freskinë E një stine që më kish munguar...
GURGULLIMA E LUMIT TONË
Këtu ndjehem si i huaj, në dhe të huaj, Ndjehem bosh. Pikë gjaku s'më lëvrin Nën lëkurë. As dielli nuk ngroh si aty Në viset e tua, në viset tona të bukura...
Si i huaj ndjehem dhe paskam mall Për gurgullimën e lumit tonë që na mban Ndezur përherë dashurinë kristal, Që shkrin edhe borën në mal...
SARANDË
Mbrëmë Të kisha aq afër, Aq pranë, Saqë dorën, po të zgjasja Do të prekja Buzëqeshjen tënde, Që edhe detin E lë pa frymë... Do të prekja Ajrin që ti thith Dhe gjithë Madhështinë... Por dora nuk m'u bind Dhe u futa nxitimthi Në lumin e njerëzve, Mes dallgëve Pa kthim, Duke lenë pas Dhembje E trishtim...
NATË PA HËNË
Lotët e tu më mbetën në faqe; Si kristal u thye mbrëmja... Nuk ka hënë brenda kësaj nate; Pylli ndanë lumit oshëtin nga dhembja.
Iu luta ëndrrës të mos ikë këtë mbrëmje, Ëndrrës jetime në botën e hirtë. Nata e trishtë si gjysmë hëne M’u ul të banojë në timin shpirt...
AROMË GRUAJE
Ka ditë, muaj e vite që ec në ajër drejt teje. Ec bashkë me mendimet e bukura për ty, Ec dhe përndrihem nga mijëra diej Si një mal i lartë deri në yjësi...
Lumi që gjarpëron në trupin tënd, Më mbyt, më zhyt në drithërime. Kjo lojë e çmendur krejt më çmend Nën rrahjet e zemrës me gjëmime!
DET QIELLOR
Vështrimi yt, det qiellor... M’u shkri si borë në pranverën e syve, Si shtangia e trishtë mbetur në dorë Në hendekun e thellë mes ne të dyve... Dhe koha ndali ritmin e saj, Atë çast kur tërmet ra, e ndjeve dhe ti? Ishte vjeshtë, ëndrrat tona lageshin në shi.
FJALËT
Fjalët po më digjen së brendshmi... Duan të dalin dhe të fluturojnë të lira, Të marrin frymë e të përcjellin dashuri.
Tash gjthë këtë grumbull fjalësh, Që kanë shpëtuar nga djegia, Po i nis drejt kaltërsive...
Si pëllumba fluturojnë ato hapësirave E unë marr frymë lirisht Dhe ndjej se jam gjallë...
Commentaires