DUKE NDJEKUR VIJËN E HOLLË TË KUFIRIT MES VARIANTEVE


Natasha Xhelili

DUKE NDJEKUR VIJËN E HOLLË TË KUFIRIT MES VARIANTEVE


(Shënime mbi veprën “Balada shqiptare e murimit dhe marrëdhëniet me variantet e vendeve fqinje” e autorit Timo Mërkuri)


- Sa shumë pikëpyetje ngrenë krye në baladën shqiptare të murimit. Sa herë e lexojmë, ndiejmë ankthin e flijimit, ndiejmë drithërimën që përshkon trupin e nuses së re që duhet të vdesë, t’i thotë lamtumirë jetës, pa mundur të kundërshtojë. Nuk është një vdekje e zakontë. Një thikë e ngulur, një plumb që mbaron punë menjëherë. Ajo duhet të vdes ngadalë, duke mbajtur peshën e murit, duke iu prishur bukuria, duke ndier fundin e tmerrshëm. Edhe Antigona u varros e gjallë, por ajo ishte në një shpellë. Asnjë gur nuk e preku trupin e saj, vetëm heshtja dhe errësira e shtynë në vetëvrasje. Po nusja e vogël e baladës është e guximshme, ajo kërkon t’i lënë gjirin jashtë, për të ushqyer djalin, sepse aty sheh të ardhmen. Djali është vazhdimësia e saj, është ëndrra e saj jetësore që do të përmbushet në një trup tjetër që ka gjakun e saj.