top of page

Dritat e muzgut


Fatmir Minguli


Kishte kohë që nuk shkruaja pothuajse asgjë, jo se nuk doja por nuk më jepej. Isha në një gjendje të turbullt ca nga vapa dhe ca nga pandemia e pakuptimtë, por dhe vetë nga pakuptueshmëria e gjithçkaje rreth e rrotull. Shkurt nuk dëshiroja të shkruaja. Por koha mes kaosit dhe turbullirës nganjëherë të ofron çaste që ta kthjellojnë disi mendjen dhe ti shpreson për një rreze drite në fund të errësirës. Para pak ditësh nga posta më erdhi një letër ku adresa e prurësit ishte pothuaj e palexueshme. Kur e hapa gjeta një shkrim me dorë që pasi e lexova pashë se nuk ishte ndonjë tregim, apo ese. Por mund të ishte thjeshtë një etyd letrar… Po e riprodhoj ashtu siç ishte e shkruar në letrën me sfond të verdhë. …Ishte e treta ditë që duke shkuar në ateljenë e punimeve të gurëve dekorative, anës rrugës shihja të ulur dy pleq burrë e grua ulur mbi një mur të ulët me tulla. I përqëndruar tek imazhi i asaj vajzës me kaçurrela për të cilën po përgatisja bustin e vogël, nuk i kisha dhënë rëndësi fare atyre dy pleqve, burrë e grua. Por duke kaluar me makinë i shihja që ata ishin aty në të njejtën orë, në të njejtin pozicion ashtu të shtrënguar njeri pas tjetrit a thua se kishin frikë se mos vinte dikush dhe i shkëpuste nga njeri tjetri. Por kisha vënë re se ata ashtu siç rrinin në të njejtin pozicion e në të njejtën orë në duart e plakut dukej një qese plastike nga e cila merrnin vazhdimisht diçka për të ngrënë. Ishte koha kur muzgu sapo kishte lëshuar pushtetin e vet mbi dritën e ditës dhe fytyrat e tyre nuk para i dalloja, por e ndjeja se duhej të ishin shumë pleq. Ishin të martuar apo bashkëjetonin, kush e dinte? Vrisja për ditë mendjen për të ata të moshuar, por më tepër më surprizonte pozicionimi i të dyve mes dy shtyllave, dritat e verdha të cilat fokusoheshin pikërisht mbi ta. Sensi i skulptorit më ngacmoi dhe natën e katërt duke kaluar pranë tyre, pothujase e ndalova makinën e ngula vështrimin mbi ta. O zot, dy drita të verdha që lëshonin ndriçim mbi këto silueta. Dhe ata të dy hanin diçka që e merrnin nga ajo qesja e bardhë. Ishte e njejta orë kur ata ushtronin ritualin e tyre.


E kisha harruar fare bustin e vajzës me kaçurrela. Si ishte e mundur që dritat në vend që të ndriçonin rrugën kryesore fokusoheshin aty mbi atë kënd të vajtueshëm! Por me një shikim të shpejtë vura re si mbulesat metalike të llampave aty lart në të dy shtyllat ishin deformuar dhe ndodhte ai fokusim pjerrtas… Përse vallë? Mos ndoshta donin të ishin pjesë e asaj skene muzgu kur ndërkohë dielli kishte perënduar pas Kodrës së Kokomanëve?! Ata aty ishin, të ulur në atë brez muri jo shumë të lartë që edhe ai dikur kishte qenë shumë i lartë por jeta e kishte rrëzuar. Gjithsesi edhe ashtu i cunguar të jepte idenë e një muri… Figura e tyre, dritat e verdha që shponin tejpërtej mjegullnajën e hirtë të muzgut, dhe vetë ajri rreth atyre dy pleqve më ngjallën dëshirën për t’ i kthyer në një skulpturë të dy ata. Po…si do t’ia bëja me dritat e verdha!? Dëshira shpesh mbetet vetëm dëshirë. Enigma e tyre mbetet enigma. Përse ata të dy në të njejtën orë, në të njejtin vend, në të njejtin pozicion, ashtu të shtrënguar mbas njeri tjetrit ishin aty përditë!? Doja t’i afrohesha për t’i parë nga afër, mbase edhe t’i pyesja. por mu duk e tepërt. Do prishej magjia e asaj skene të çuditshme, skenë që mund të ishte sfond në teatrot absurdë të rrugëve të vjetra të Pragës. E çdo të fitoja po të prishej ky imazh! Ishte një imazh siluetash që intononte vetëm po të shihej nga larg, si ato pikturat lozonajre që nuk i shijon kur i rri nga afër.

Durrës Gusht 2020

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page